Sezoni në rrezik, ja arsyet e krizës së Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 22:20

Sezoni në rrezik, ja arsyet e krizës së Tiranës

Tirana është në një pozicion shumë delikat në këtë pikë të sezonit. Tri pikë larg vendit të katërt që të çon në “Final 4”, me një këmbë jashtë finales së Kupës së Shqipërisë, pasi u mund nga Kukësi 2-0, nuk ka një organikë të plotë.

tirana

Shkurt, Tirana është ekipi në krizë. Një mrekulli e shpëton Tiranën nga kjo gjendje, ndonëse në kampionat duhet të luajë edhe shtatë takime si dhe një 90- minutësh në Kupë ku me 2-0 shkon të shtesë dhe me tre gola plus kualifikohet. Një situatë e rëndë, që ka ardhur si pasojë e gabimeve të shpeshta të drejtuesve.

GABIMI 1 – Tirana e nisi mbarë, duke firmosur me Orges Shehin, por gaboi në lëshimin e disa lojtarëve si Aleksi, apo ndonjë tjetër që ishte titullar në ekip. Kjo prishi ekuilibrat në grup pa nisur kampionati.

GABIMI 2 – Problemi tjetër ishte merkatoja në hyrje për disa reparte. Mesfusha për shembull, ku u morën lojtarë të njëjtë, por jo një gjashtësh siç kërkonte Shehi. Më pas Ahmataj u detyrua të gjente Metën si shkatërrues. Për mos folur për pozicione të tjera.

GABIMI 3 – Largimi i Shehit dha një tjetër goditje ekipit. Skuadra u mor nga Ahmataj pa nisur mirë sezoni. Polemikat me ish-trajnerin nuk u shuan, ndërsa më pas gabimi i radhës erdhi nga stafi i ri.

GABIMI 4 – Pezullimi i Ardit Hilës solli një përshjellim në skuadër me një lojtar që nuk stërvitej, ndërsa të tjerët po. Dashje pa dashje situata nuk ishte nga më të mirat dhe kjo u reflektua edhe më pas në grup.

GABIMI 5 – Merkatoja e mbyllur dhe asnjë blerje në janar detyroi klubin të shiste lojtarë. Gjashtë ikje dhe vetëm një kthim, duket qartë se kanë ndikuar në rezultate, pasi ekipit i mbaruan alternativat.

GABIMI 6 – Në shkurt erdhi ndryshimi i dytë i trajnerit. Një tjetër stabilitet i prishur në skuadër. Paçka faktit se Fagu ka respektin e të gjithëve, ndryshimi solli tronditje. Një situatë që duket se nuk po kalohet, pasi trajneri i ri, ide të reja duhet të “përtypen” nga skuadra. Këto janë fajet e drejtuesve, por edhe lojtarët kanë pjesën e tyre.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"