Serbi Markoviç dhe Apolonia, kampionët e Turit të 71-të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2014 | 22:45

Serbi Markoviç dhe Apolonia, kampionët e Turit të 71-të

ciklizemKa përfunduar dje në qytetin e Fierit Turi i 71-të Çiklistik i Shqipërisë. Etapa e gjashtë dhe e fundit ishte ajo me itinerar Përmet-Fier, 125 km e gjatë. Kjo etapë pothuajse fushore u zhvillua me një rivalitet të fortë sportiv midis pretendentëve për fitimin e titullit, por edhe ekipeve. U tentuan shkëputje nga çiklistë të ndryshëm, por pa ia arritur qëllimit që të shkëputeshin nga grupi. Në fund, çiklistët fitues u ndanë vetëm nga një sekondë diferencë prej njëri-tjetrit. Etapa Përmet-Fier u fitua nga çiklisti i Novi Pazar, Marko Stankoviç, me kohën 2h34’01”, i ndjekur nga Kristel Sota i Apolonisë dhe Stefan Petrovski i VMK Kumanov. Ndërkohë, fitues i Turit u shpall po Stankoviç me kohën 18h05’47”; i dyti u rendit Hyrmet Kastrati i Teutës me 18h07’50” dhe në vendin e tretë çiklisti fierak, Paolo Braka, me kohën 18h08’02”. Në rang ekipor, kampion u kurorëzua Apolonia me kohën 53h40’42” me trajner 70- vjeçarin Kiço Kalemi. Në vendin e dytë, me një diferencë afro 7 minutash, u rendit Novi Pazar me kohën 53h47’35” dhe i treti u pozicionua Teuta me kohën 55h00’06”. Ndërkohë që çiklisti më i mirë i Turit u shpall Antonio Shqau i ekipit të Elbasanit. Në përfundim, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, u shpreh: “Ky Tur ka shkuar në mënyrën më të shkëlqyer. Në dy ditët e para të garës ishte kohë e vështirë me shira të shumtë e të rrëmbyeshëm, por që çiklistët e përballuan mjaft mirë. Fjalët më të mira shkojnë për ekipin e Apolonisë me trajner Kiço Kalemin që megjithëse me elementë të rinj, zhvilloi një garë dinjitoze dhe u rikthye si kampion. Kjo ka ardhur si rezultat i mbështetjes së bashkisë si dhe drejtuesve të klubit. Dua të falënderoj Policinë e Shtetit për kontributin e dhënë për mbarëvajtjen. Nuk më vjen mirë që fituesi individual është një çiklist serb, por ja që në sport këto gjëra ndodhin”. Ndërsa trajneri i Apolonisë, Kiço Kalemi, tha: “Pavarësisht atyre që kanë ndodhur më parë, Apolonia rikthehet te titulli kampion. Merita u takon vetëm djemve të ekipit dhe askujt tjetër që arritën të bëjnë realitet objektivin e marrë dhe ta kthejnë Apoloninë në identitet. Ky Tur u zhvillua me rivalitet shumë të madh pasi kishin ardhur tre ekipe shumë të përgatitura nga Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Megjithatë, çiklistët, falë kolektivitetit dhe shpirtit të garës do të triumfonin me një diferencë prej 7 minutash e 40 sekondash ndaj vendit të dytë. Apolonia do të vazhdojë me këto ritme”.
MIKEL MBRIÇAJ

ETAPA E 6-të, PËRMET-FIER
Vendi i parë
Marko Stankoviç (Novi Pazar) 02h34’01”
Vendi i dytë
Kristel Sota (Apolonia) 02h34’02”
Vendi i tretë
Stefan Petrovski (VMK) 02h34’03”
RENDITJA E PËRGJITHSHME EKIPORE
Vendi i parë
Apolonia 53h40’42”
Vendi i dytë
Novi Pazar 53h47’35”
Vendi i tretë
Teuta 5h00’06”
RENDITJA E PËRGJITHSHME INDIVIDUALE
Vendi i parë
Marko Stankoviç (Novi Pazar)
Vendi i dytë
Hyrmet Kastrati (Teuta)
Vendi i tretë
Paolo Braka (Apolonia)
Vendi i katërt
Antonio Shqau (Elbasani)
Vendi i pestë
Nikolla Djukiç (VMK)
Vendi i gjashtë
Olsion Veliaj (Tirana)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"