“Sarri? Në fillim të sezonit i dhuruam njëri-tjetri dorashka boksi”, Tare flet për largimin e mundshëm nga Lacio: Jam i qartë në idetë e mia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2023 | 21:56

“Sarri? Në fillim të sezonit i dhuruam njëri-tjetri dorashka boksi”, Tare flet për largimin e mundshëm nga Lacio: Jam i qartë në idetë e mia

Kontrata e Igli Tares me Lacion përfundon në muajin qershor dhe drejtori sportiv i bardhekaltërve, nuk ka ende në tavolinë një ofertë për rinovimin e tij. Vetë drejtuesi shqiptar ka folur rreth kësaj situate për “Sky Sport” duke bërë të qartë fillimisht se nuk kishte përplasje aq të shumta sa shkruhej në media me trajnerin Mauricio Sarri.

tare sarri lotito

“Në fillim të sezonit i kemi dhuruar njëri-tjetrit dorashka boksi…”, e nisi me një batutë Tare. “Unë nuk e di nga dalin këto lajme dhe kush i ka bërë të dalin. A shkoja më mirë me Inzagin? Jo, janë raporte të ndryshme. Vlerësimi ndaj Sarrit mbete i njëjti, unë dhe presidenti deshëm që ta sillnim te Lacio. Unë mendimin tim e kam dhënë brenda klubit kur jemi takuar, që jemi dy karaktere të forta është jashtë diskutimit, por ajo që na lidh është e mira për Lacion. Çdokush ka kontribuar për të arritur objektivin e sezonit.

E ardhmja? Jam i lidhur me këtë klub me dashuri dhe ngrohtësi, kam jetuar 18 vite dhe është një lidhje që nuk do të thyhet kurrë. Por kontrata ime përfundon pas një muaji, duhet të vlerësojmë bashkë me presidentin atë që do të jetë më e mira, por edhe unë do të mendoj nga ana ime për më të mirën në të ardhmen.

Kur mbërrin në një klub dhe kanë kaluar mbi 15 vite, janë shumë. Në fund të një rrugëtimi është e drejtë që të bëhet një përmbledhje dhe të merret drejtimi i duhur, sidomos kundrejt klubit. Unë jam i qartë me idetë e mia. Do të flas përsëri me presidentin, por nuk ka shumë gjëra për të qartësuar. Gjëja që vlen më shumë është e mira e klubit dhe në këtë aspekt, unë do të bëj pjesën time”, tha Tare, duke lënë çdo gjë të hapur për të ardhmen e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"