Rregulla strikte dhe disiplinë e “hekurt” te Kukësi, lojtarët peshohen çdo mëngjes. Zbardhet programi i ditëve turke

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2020 | 8:47

Rregulla strikte dhe disiplinë e “hekurt” te Kukësi, lojtarët peshohen çdo mëngjes. Zbardhet programi i ditëve turke

Kukësi duket se ka gjetur “karar” në stol. Nëse një vit më parë iu desh të ndërronte 3 trajnerë deri në mbyllje të pjesës së parë të sezonit, këtë herë i ka besuar Shpëtim Duros. Janë mbyllur 17 javë kampionat dhe përtej ulje-ngritjeve, verilindorët janë të parët në renditje dhe brenda objektivave. 

shpetim duro

Cilësia në organikë nuk i mungon, e megjithatë në një kohë të shkurtër diti që të stabilizonte ekipin dhe bëri që të mos ndiheshin largimet masive që u bënë në verë. Por, duket se edhe 60- vjeçari ka sekretet e tij. Përveç metodikës që ndjek në stërvitje dhe punën e madhe që bën me psikologjinë e çdo lojtari, është edhe shumë strikt.

Ndoshta kur ekipi është në aktivitet nuk e ka mundësinë që të ketë kontroll total (qoftë për ushtrimin, oraret apo jetën e natës), por tani që i ka në Antalia po i “shtrydh” në kuptimin e plotë të fjalës. Janë shumë pak orë të lira për verilindorët, pasi pjesa tjetër e çdo dite është e programuar deri në detaje.

kukesi

Prej orës 7 të mëngjesit e deri në 10 të darkës, ka pak mundësi për t’u qetësuar. Regjim kazerme mund ta quajmë ndryshe. E besoni apo jo, lojtarët peshohen çdo mëngjes gjatë qëndrimit në ditët turke. Kështu është vepruar që prej 4 janarit.

PROGRAMI 

Gazeta “Panorama Sport” ka siguruar me detaje programin ditor të skuadrës verilindore dhe duhet thënë se është shumë i ngjeshur dhe strikt. Po ju zbardhim programin që ndoqën ditën e djeshme, pra më 8 janar. Rreth orës 07:00 skuadra ka zgjimin dhe vetëm një orë më pas lojtarët e kanë me detyrim që të peshohen. Në këtë minifazë duket se rëndësi kanë edhe kilogramët. Me të kryer këtë provë, lojtarët konsumojnë mëngjesin. Ora 09:00 i kthen futbollistët në dhoma dhe jo për të pushuar, por për t’u bërë gati që në 09:45 të nisen drejt fushave ku do të zhvillojnë të parën stërvitje. Në orën 10:00 kanë nisur ushtrimet dhe seanca normale stërvitore. (Në disa raste ekipi në orën 10:00 ka kryer stërvitje në palestër).

kukesi

Mbas 130 minutash përgatitje, ata rikthehen në hotel, atje ku kanë kohën të bëjnë dush, ndërrohen dhe bëhen gati për drekën, (e cila shtrohet në orën 13:00). Edhe konsumimi i ushqimit është me orar, pasi zgjat afro një orë. Lojtarët akomodohen nëpër dhoma dhe kanë kohën e mjaftueshme për të pushuar, deri në stërvitjen e pasdites. Në 15:45 nisen drejt fushave dhe çerek ore më vonë nis procesi i programuar nga stafi teknik. Sërish 1 orë e 40 minuta me ngarkesa dhe më pas rikthimi në hotel, ku bëhen gati për darkën e orës 19:30. Nga ky moment të gjithë kanë 2 orë e gjysmë kohë të lirë për të kaluar me njëri-tjetrin. Ora 22:00 fiks, duhet t’i gjejë të gjithë nëpër dhoma dhe pse jo në gjumë.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"