Rrëfehet “Sherifi” i Teutës, Kallaku: Titulli i mundshëm, ju tregoj “çelsin” e suksesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2018 | 20:25

Rrëfehet “Sherifi” i Teutës, Kallaku: Titulli i mundshëm, ju tregoj “çelsin” e suksesit

Sherif Kallaku ka gjetur shkëlqimin në Durrës. Teuta duket se ka gjetur lojtarin që i mungonte prej disa sezonesh që, veç cilësive, ka klas dhe zgjuarsi. Për mesfushorin 20-vjeçar çelësi i suksesit nuk është vetëm puna, por edhe fakti që stërvitet nga profesionistë të vërtetë dhe në krah ka lojtarë me shumë përvojë.

Kallaku Teuta

Në një rrëfim për “Panorama Sport”, ai flet për objektivat, ndërsa nuk e mohon dëshirën për titullin kampion. Nuk kishte si të mos ndalej te ndeshja e së shtunës, që e përball me të shkuarën. I riu nuk i harron ata që i kanë dhënë një dorë dhe për këtë motiv shpreh mirënjohjen ndaj kurbinasve, të cilët i dhanë shansin që të shprehej dhe premton se nuk do festojë nëse u shënon.

Sherif, Teuta është forca e dytë e këtij kampionati. E prisnit këtë ecuri kur erdhët në fillim?

Të them të drejtën, e mendoja. Dhe po e them edhe arsyen. Projekti që klubi kishte ishte shumë bindës dhe serioz. Dhe mjafton që të shikosh organikën për të kuptuar këtë gjë. Jemi në vendin e dytë, por asgjë nuk ka përfunduar dhe këtë e dimë të gjithë. Është një pozicion që na motivon për të ecur përpara dhe na fal kënaqësi, sepse puna jonë është shpërblyer. Kemi mbështetjen e vazhdueshme të presidencës dhe ky është një tjetër bonus për ne.

Aftësitë tuaja kanë qenë të dukshme, por në Durrës keni gjetur edhe shkëlqimin… Cili është “çelësi” i suksesit?

Puna është i vetmi “çelës” që kam. Në fillim të sezonit nuk isha në formën time më të mirë, por profesor Shkëmbi më priti dhe më dha besimin e tij dhe tani dua vetëm që t’ia shpërblej atë besim. Po punoj fort në çdo seancë stërvitore, dua të mësoj sa më shumë dhe kam fatin të punoj me këtë staf profesionistësh. Pastaj, në çdo ndeshje jap maksimumin, sepse dua të tregojë sa vlej. Por, sigurisht që nuk jam i vetëm, pasi puna e grupit është ajo që të jep mundësinë të shprehësh më mirë.

A e lakmoni kreun e renditjes dhe sa shanse mendoni se keni për të luftuar për titullin kampion?

Ne synojmë që të jemi pjesë e Kupave të Europës dhe deri tani jemi brenda objektivit, kjo është më e rëndësishmja. Ndeshje pas ndeshjeje tregojmë karakterin tonë dhe gjithmonë duam të marrim maksimumin. Etja për fitore dhe për arritje vjen duke u shtuar, por ka ende kohë dhe rruga është e gjatë. Nëse vazhdojmë me këto rezultate, do jetë e vështirë të na ndalë kush dhe pse jo të mos arrijmë dhe vendin e parë. E rëndësishme është të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Ku ndryshon Laçi i një sezoni me parë me Teutën e këtij edicioni?

Nuk di ta them me saktësi, por vjet kur luaja te Laçi ne ishim djem të rinj dhe normalisht me ambicie. Këtu te Teuta kemi lojtarë me eksperiencë që dinë si arrihet fitorja, dinë si mbrohet dhe ndërthuren me dëshirën që kemi ne të rinjtë. Teuta i ka të gjitha cilësitë që i duhen një skuadre.

Dy gola në 17 javë, ju kënaq kjo statistikë?

Jam i kënaqur që arrita të zhbllokohem dhe e dija që pas golit të parë, që më mungonte prej thuajse një viti, i dytë nuk do vononte dhe kështu ndodhi. Ndoshta dy gola në kaq ndeshje janë pak, por gjithmonë mendoj në radhë të parë për ekipin, pastaj për golat e mi. Normalisht, çdo gol ka rëndësinë e tij dhe ai përballë Luftëtarit ishte shumë vendimtar.

Me sa gola do donit ta mbyllnit këtë kampionat?

Dua të shfaq më të mirën time dhe nuk kam një objektiv konkret, por nëse shënoj sa më shumë, aq më mirë do jetë.

Në Durrës jeni kthyer në një idhull, ndërsa edhe për shumë të tjerë jeni një nga futbollistët më të mirë të këtij kampionati. Si ndikon ky vlerësim te Kallaku?

Normalisht, është një ndjenjë shumë e veçantë dhe dua t’i falënderoj të gjithë këtu në Durrës, ndihem i privilegjuar. Është një vlerësim për punën time, gjithmonë përpiqem të jap më të mirën time, të bëj çdo gjë siç duhet dhe jam i përkushtuar për të vazhduar e për të dhënë më të mirën time. Një meritë e madhe u shkon dhe shokëve të skuadrës që janë një ndihmesë e madhe dhe në fushën e lojës çdo gjë duket më e lehtë.

Nëse do kishit një kontratë përpara dhe liri të zgjidhje, për cilin ekip do të firmosnit?

Në çdo rast do të zgjidhja Teutën dhe këtë e them me bindje të plotë. Këtu ndihem si në familje, jam në shtëpi.

Diferencat e pakta që janë në këtë kampionat e bëjnë detyrim fitoren me Laçin. Po ju si e konsideroni?

Ndeshja përballë Laçit është si gjithë të tjerat, e respektojmë dhe e dimë që kanë një organikë të mirë. Këtu kemi mësuar që çdo takim ka rëndësi të njëjtë dhe i marrim javët me radhë.

Kemi pasur kohën e mjaftueshme për të punuar dhe jemi përgatitur maksimalisht me impenjimin e duhur. Vijmë pas një ecurie shumë të mirë dhe nga fitorja ndaj Kastriotit e normalisht do të hyjmë në fushën e lojës vetëm për fitore dhe për të dhuruar më të mirën tonë, gjithashtu të shprehim futbollin tonë të mirë. Duam patjetër ta mbyllim këtë vit me fitore dhe në vendin e dytë.

Nëse shënoni përballë ishekipit, do të festonit?

Pa dyshim që jo, nuk do festoj. Laçi më dha besimin që asnjë skuadër tjetër nuk do të më jepte në fillimet e mia. Dua të falënderoj dhe presidentin Pashk Laska me këtë rast për shansin që më dha. Do u jem mirënjohës gjithmonë.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"