Rrëfehet Luan Zmijani: Pengu me Vllazninë, çfarë na ndodhi në Kavajë dhe perlat e mjekut historik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2020 | 18:52

Rrëfehet Luan Zmijani: Pengu me Vllazninë, çfarë na ndodhi në Kavajë dhe perlat e mjekut historik

Pas ish-gardianit të portës shkodrane Armir Grima, flet një tjetër bashkëkohës i tij, mbrojtësi shkodran Luan Zmijani. Një nga emrat e dinastisë Zmijani në fushën e futbollit ka dhënë mendimin e tij për “Panorama Sport” lidhur me këtë situatë. Por, ai ka folur edhe për të shkuarën, për nostalgjinë e atyre viteve, sa të bukura dhe aq të vështira në çdo fushë të jetës, por edhe për futbollin shqiptar. Kohë, në të cilat edhe batutat kanë pasur pa diskutim vendin e tyre.

Zmijani1

Zmijani, mbani mend nga karriera juaj si lojtar e trajner të jetë ndërprerë kaq gjatë kampionati, për shkak të një force madhore apo pandemie?

Jo, nuk ka pasur ndërprerje të aktivitetit përveçse atij të vitit 1997. Në mars të vitit 1997, edhe pse u ndërpre për disa muaj kampionati, nisi sërish në verë, por për sezonin pasardhës nuk ra asnjë skuadër nga kategoria.

Çfarë kujtoni nga ai kampionat në kohë lufte?

E mbaj mend si tani atë vit. I kemi zhvilluar takimet pas ndërprerjes në Tiranë me sistem grumbullimi, ku ndeshjet janë bërë në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe e kujtoj shumë mirë sa e vështirë ka qenë ajo kohë. Kemi kujtime të bukura në një kohë shumë të vështirë. Unë dua të veçoj një rast unikal, për mendimin tim, që nuk kam se si ta lë pa e përmendur. Nuk e harroj Altin Xhahysën, një mesfushor me tipare sulmuese, që sapo u kthye nga Zvicra, pikërisht një ditë para ndeshjes ku edhe kuptohet pa stërvitje, sepse kishte pasur një frakturë në krah dhe aktivizohet pikërisht kundër Tiranës, që ishte kundërshtari direkt për titull dhe arrin që të shënojë pikërisht golin që na dha fitoren në atë takim. Pavarësisht se e mundëm direkt Tiranën, sërish nuk arritëm që të merrnin titullin e kampionit, por dolëm në vendin e dytë.

Si mendoni se duhet të veprojë FSHF-ja për këtë sezon?  Duhet t’u japë edhe një shans të gjitha ekipeve nëse nuk zhvillohet kampionati apo duhet të merren verdikte në bazë të renditjes?

Me sa jam i informuar, FSHF-ja po kërkon më insistim që të bëhet kampionat dhe këtë ua ka kërkuar instancave të larta të qeverisë, ku shpreh të gjithë gatishmërinë e saj që t’i plotësojë të gjitha kushtet për mbarëvajtjen pa asnjë problem shëndetësor të të gjithëve që kanë lidhje me sportin.

Trajneri i Skënderbeut, Daja, ka thënë se nuk mund të vazhdohet në këto kushte, kur lojtarët kanë dy muaj pa stërvitje. Sipas tij, duhet të nisë kampionati në shtator dhe të shtohet numri i ekipeve. Si ju duket kjo ide?

Gjithsecili jep një mendim të vetin në këtë situatë. Është shumë e vështirë se si mund të veprohet, sepse ka për të pasur gjithmonë kundërshtime, por jam i bindur se në qoftë se s’do të ketë futboll të luajtur, sërish FSHF-ja do të bëjë zgjidhjen e duhur.

Si e keni parë Vllazninë këtë sezon, çfarë ju ka zhgënjyer më shumë dhe çfarë ju ka pëlqyer?

Kam parë një sezon me luhatje dhe tepër me rivalitet, ku me dy fitore je për Europë dhe me 2 humbje për mbijetesë. Zhgënjim për mua janë disa blerje. Ndërsa, ekipi më ka pëlqyer në fazën e parë kur mundën Kukësin.

Si po e kaloni këtë situatë pa futboll?

Më mungon jashtëzakonisht futbolli. Më mungon shumë, sepse s’jemi mësuar kështu. Ne e kemi të lidhur jetën me këtë sport. Jemi në kohë karantine dhe njerëzit bëhen nostalgjikë.

Cili mendoni se është pengu më i madh juaji si portier dhe kujtimi më i bukur që keni nga futbolli?

Nostalgji kam kur dëgjoj këngët e mjeshtrit të madh Bujar Qamili kushtuar titujve kampion e sidomos atij të vitit 1998, kur përmenden me radhë të gjithë emrat tanë, të protagonistëve të atij titulli që ashtu si edhe kampionati i vitit 1997 nuk ka qenë aspak më i lehtë, madje do të thosha ka qenë shumë më i vështirë. Për sa i përket pengut është humbja e titullit në “Qemal Stafa” po përballë Tiranës në vitin 1999, kur në minutën e 75-të pësuam gol që dhe na kushtoi titullin e kampionit.

Na tregoni historinë më humoristike që keni përjetuar kur keni qenë pjesë aktive e futbollit!

Dikur në gjirin e skuadrës kemi pasur një sulmues, Gjergji Shllaku, i cili kishte një humor për ta pasur zili edhe estrada e Shkodrës. Po udhëtonim për në Gjirokastër një ditë para ndeshjes dhe duke diskutuar gjatë gjithë udhëtimit çfarë dëmesh ishin bërë në qytete të ndryshme. Po kalonim nëpër Kavajë dhe si për çudi të gjithëve po na binte në sy se situata ishte krejt në normalitet. Pa dyqane të thyera dhe po i thoshim njëri-tjetrit: “Shif me u habit, asnjë xham apo tarabe e thyer”, kur ndërhyn Gjergji me një qetësi të madhe e thotë: “Harruat që jena në Kavajë dhe i kanë thyer dyqanet nga mbrapa…” Aty plasi e qeshura, e cila zgjati për një kohë të gjatë.

Ndonjë batutë tjetër?

Doktori historik i Vllaznisë, Zyhdi Çoba, njihet për humor të hollë. Gjatë një ndeshjeje në Shkodër, që nuk e mbaj mend mirë se cili ka qenë kundërshtari, në dyluftim e sipër pësoj dëmtim në kokë dhe ndërpritet loja. Vjen menjëherë stafi mjekësor dhe më pyet doktori: “Çfarë ke?” I them që më merren mend dhe nuk shikoj, më duket çdo gjë si terr. Përgjigjja e doktorit ishte epike. Më tha: “Prit sa të hap perdet”. Kjo batutë, por jo vetëm, ka qenë gjithnjë e pranishme nga doktor Zyhdiu, i cili të bënte për të qeshur edhe në momente të vështira.

ADMIR URUÇI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"