“Ronaldo më ftoi te Reali”, rrëfehet Levandovski: Ja pse nuk e tradhtova Bajernin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2020 | 13:27

“Ronaldo më ftoi te Reali”, rrëfehet Levandovski: Ja pse nuk e tradhtova Bajernin

Robert Levandovski ka treguar se Kristiano Ronaldo tentoi ta joshte që të shkonte në “Bernabeu” duke e ftuar të transferohej te Reali i Madridit. Si sulmuesi portugez ashtu edhe Serxho Ramos e ftuan bomberin polak të Bajernit që të vinte në klubin e tyre pas përballjes së tyre në Ligën e Kampioneve gjatë sezoneve të fundit.

LEVANDOVSKIT

Një transferim që nuk u materializua kurrë, pasi sulmuesi ndihet i lumtur në Mynih, atje ku po vazhdon të tregojë se mbetet një prej numrave 9 më të mirë në botë.

“Unë jam në një prej klubeve më të mira në botë dhe e di që mund të jem i lumtur këtu. Jemi në një nivel shumë të lartë, që nga niveli i skuadrës ku luaj deri te infrastruktura sportive. Është shumë më e lehtë kur luan për një klub të tillë”, tha polaku gjatë një interviste për gazetën spanjolle “As”. “Po, është e vërtetë që Ronaldo dhe Ramosi më kërkuan që unë të transferohesha te Reali. Ti mund të transferohesh në kampionatin spanjoll apo në një tjetër vend, në një tjetër klub të shkëlqyer.

Por për mua kjo nuk është gjëja më e rëndësishme. Këtu ku jam ia kam dalë që të arrij nivelin maksimal dhe dua ende të vazhdoj të jem i sukseshëm”. Levandovski shkëlqeu për herë të parë kundër Realit kur luante për Dortmundin.

Ai shënoi katër gola gjatë fitores 4-1 për klubin e tij, e cila i lejoi në vitin 2013 që të avanconte deri në finalen e “Wembley”-t kundër Bajernit. 31-vjeçari vendosi që të transferohet pikërisht te fituesit e Champions-it me parametër zero, ku ka shënuar deri tani 230 gola në 275 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

Këtë sezon, ai ka realizuar 39 gola në vetëm 33 ndeshje dhe i duhen vetëm 4 gola të tjerë për të barazuar sezonin më të mirë të tij në karrierë. Leva u përball dy herë kundër Ronaldos dhe Ramosit në Champions gjatë sezoneve 2016-17 dhe 2017-18.

Në të dyja rastet, më tej avancuan spanjollët, të cilët triumfuan në të dyja finalet e këtyre sezoneve. Por talenti i polakut i mjaftoi CR7-ës, i cili ëndërronte që ta kishte shok skuadre për të formuar një dyshe vrastare në sulmin madrilen.

PËRGATITI: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"