Romela Begaj: Tani synoj Olimpiadën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2014 | 22:00

Romela Begaj: Tani synoj Olimpiadën!

Olympics Day 3 - WeightliftingNdërsa e ka ende të freskët fitimin e medaljes së artë në kampionatin botëror në stilin e shkëputjes, Romela Begaj ka një objektiv edhe më madhor: podiumin në Lojërat e ardhshme Olimpike. Nga aventura kazake, pengu i vetëm i Begajt ishte fakti që nuk arriti dot të thyente rekordin e botës. “Është një arritje shumë e madhe për gjithë kombin shqiptar. Është hera e parë që sillen dy medalje ari. Ka qenë një garë shumë e vështirë”, tha Begaj përmes një interviste për “A1 Report”. Romela Begaj tha se puna e bërë gjatë përgatitjeve me trajnerin Luan Shabani dha rezultatet e saj. “Jam mësuar me ndryshimin në peshë. Pavarësisht se kjo ka pasur vështirësitë e saj. Nuk është e thjeshtë. Tani jam stabilizuar. Pesha 63 kg është identike si 58 që kam qenë. Por them që do t’ia dal. Gara në Europianin e ardhshëm besoj se do të jetë në rezultate të larta. Është nder që punojmë me një sportist që ka vlera të mëdha, është një trajner me vlera. Jam shumë krenare që punoj me të. Këto rezultate që kanë ardhur në Shqipëri sot, janë për meritë të Luan Shabanit. Është emocion i madh të marrësh medalje me atë konkurrente që unë kisha. Medalja e arit ishte fantastike për mua, e marrë me shumë mundim. Ëndrra e çdo sportisti është pjesëmarrja në olimpiadë. Dhe unë e Daniel Godelli e presim këtë pjesëmarrje”, u shpreh Begaj.
Apeli – E shtata në botë në dygarësh kërkoi më shumë vëmendje nga shteti. Sportistja tha se rezultate të tilla e ngrenë lart emrin e Shqipërisë, ndërsa theksoi se sportistët duhet të vlerësohen edhe atëherë kur nuk arrihet në fitoren e një medaljeje. “Është një rezultat shumë i mirë. Është një sport me nivele të larta. Është krenari për Shqipërinë që ka këta sportistë që i ngrenë emrin. Patëm një mbledhje bashkë me kreun Gjoza. Ishte një bisedë për rezultatet, dhe shumë pak për problemet që do shfaqen më vonë. Ka shumë për të përmirësuar. Aty ku ka rezultate, ka edhe probleme. Me këtë rezultat që kemi, duhet të bëhen shumë gjëra, duhet të hidhet një sy më i madh nga sporti. Ka shumë probleme. Nuk duhet të vlerësohet një sportist vetëm kur ka fitore, por në çdo rast nuk duhet të hidhet poshtë djersa e mundi”, tha sportisja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"