“Riorganizim në janar, do të ketë edhe shkurtim shpenzimesh”, Bizhdili mohon bojkotin: 80% e ekipit janë paguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2021 | 15:00

“Riorganizim në janar, do të ketë edhe shkurtim shpenzimesh”, Bizhdili mohon bojkotin: 80% e ekipit janë paguar

Besa udhëtoi me kalamaj në Ballsh, atje ku u mund në shifrat 0-2. Që të humbësh përballë kryesuesve nuk është ndonjë çudi e madhe, por vëmendjen e tërhoqi mungesa e titullarëve. Askush nga lojtarët me peshë nuk ishte as në stol dhe shkak ishin rrogat e padhëna prej dy muajsh. E megjithatë, Nexhat Bizhdili mohon bojkotin.

Bizhdili-2

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai sqaron se nuk ka asnjë problem parash, pasi ka likuiduar gati 80 për qind të ekipit deri në muajin dhjetor. Presidenti sqaron se ishte zgjedhje që të luanin me të rinjtë përballë Bylisit, pasi donin që t’i testonin.

“Nuk është e vërtetë se ka pasur bojkot të ndeshjes për moslikuidim pagash. Ju informoj se mbi 80% të grupit janë likuiduar deri në fund të dhjetorit.

Pjesa tjetër do të likuidohet këto ditë. Nëse në Ballsh udhëtuam me djem të rinj, kjo nuk ishte arsyeja e pagave, por thjesht donim të provonim të gjithë grupin e futbollistëve në funksion të vlerësimit të saktë të atij kontigjenti, që ia vlen të mbahet në ekip në janar”, u shpreh fillimisht numri një i klubit.

SHKURTIME SHPENZIMESH

Kur pyetet për arsyet që e çuan në këtë zgjedhje, argumenton se në janar do të bëhet riorganizim. Edhe pse Besa e nisi sezonin me pretendime, ai është dorëzuar dhe po planifikon shkurtime shpenzimesh. “Përtej dëshirës e investimit tonë, tashmë vështirë të arrijmë dy vendet e para.

Investuam në fillim të sezonit për të kapur Superioren, por me keqardhje shoh se nuk jemi aty ku duhet të ishim. Në këto kushte, do të ketë një riorganizim të plotë të grupit. Parashikohen shkurtime shpenzimesh, pasi kemi vërtet trajtim financiar, por edhe akomodim e fjetje për shumë lojtarë dhe kjo natyrisht ka kosto jo të vogël.

Kemi programuar që pas janarit të riorganizojmë një ekip me synim qëndrimin në 6 vendet e para. Më tej, nëse na paraqiten shanse, pse të mos vijojmë të synojmë Superioren”, përfundoi presidenti i Besës.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"