“Rimarrim kreun brenda fazës së dytë”, lojtari i Besës: Ka dhe 3 faza, do të shfaqemi ndryshe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2020 | 21:02

“Rimarrim kreun brenda fazës së dytë”, lojtari i Besës: Ka dhe 3 faza, do të shfaqemi ndryshe

Besa e ka mbyllur vitin me “poker”. Ky triumf erdhi si reagim pas kritikave dhe “kërcënimit” të presidentit Nexhat Bizhdili se do të merrte masa në rast të një dështimi. Pjesë e formacionit ishte edhe Bledar Lila, që prej një muaji vuante nga një dëmtim. I vetmi mesfushor ofensiv tregon si e ka përjetuar këtë kohë jashtë fushe. “Rikthimi në formacion rezultoi me një fitore të pastër. Mungesa prej 1 muaji sigurisht që ka lënë pasojat e veta. Psikologjikisht u rëndova pas rezultateve me Egnatian e Tomorin. Megjithatë, tashmë kaloi. Ishim të dënuar për të fituar në javën 9-të. Dikush mund të thotë se Elbasani ishte ekipi i fundit në klasifikim… Jo, nuk është kështu. Nëse nuk jep maksimumin ndaj çdo ekipi, zhgënjehesh.
unnamed
Mërgjyshi na e bëri të qartë këtë, na kërkoi të luanim sikur përballë kishim Egnatian apo Lushnjën. Me këtë vlerësim hymë në fushë dhe për 16 minuta shënuam dy herë, gjë që s’e bëmë në dy javët e fundit. Mbyllëm 45 minutat e para 3-0, çfarë dëshmoi se reaguam ashtu si premtuam e si pritej. I kishim të gjitha mundësitë që të ishim në krye. Gabuam aty ku s’duhej dhe jemi në vend të dytë. Po për mua ka edhe 3 faza të tjera në të cilat Besa do të shprehet krejt ndryshe. Besoj se brenda fazës së dytë do komandojmë ne. Vlerësojmë Egnatian, Lushnjën, Pogradecin etj., por askush s’duhet ta harrojë se ne jemi Besa, ekipi më me përvojë, peshë e histori. Do ta shihni këtë në javët në vijim”, përfundon Lila.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"