Rikthehet Canka: Unë, makthi i Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2016 | 11:17

Rikthehet Canka: Unë, makthi i Elbasanit

Lushnjarët kanë për funduar përgatitjet në kuadrin e ndeshjes së sotme me Elbasanin që do ta luajnë në stadiumin “Roza Haxhiu”, në orën 14:00. Me përfundimin e seancës së fundit stërvitore, në kampin verdhejeshil erdhi dhe lajmi për fitoren e Bylisit ndaj Dinamos dhe diferenca është tashmë sërish +3.

Lushnja-Elbasani formacionet

Skuadra e teknikut Artan Bano do të zbresë sot në fushë me synimin e vetëm për të marrë tri pikët dhe për të rikthyer distancën e pikëve në +6 nga Bylisi. Këtë e pohoi për “Panorama Sport” futbollisti i linjës së djathtë te verdhejeshilët, peqinasi Endri Magani, duke u shprehur: “Ekipi është përgatitur për ta fituar këtë ndeshje. Jemi shumë të motivuar për të marrë tri pikët. Alternativa jonë e vetme është fitorja, e cila na shërben për të konsoliduar pozitat në krye. Do të jemi të vëmendshëm ndaj Elbasanit dhe do të luajmë futboll për të fituar”.

Canka

Canka

Ndryshe nga transferta me Dinamon, verdhejeshilët do të jenë disi më të plotë në këtë takim. Mbrojtësi Bufasi rikthehet pas skualifikimit, ndërsa sulmuesi Mikel Canka, që ndaj Dinamos ishte në pankinë, do të jetë i gatshëm sot ndaj Elbasanit.

“Ndihem më mirë pas dëmtimit. Shpresoj të luaj dhe të shënoj. Luajmë një ndeshje të rëndësishme për tri pikë. Elbasanit i kam shënuar gjithnjë dhe jam i bindur se do realizoj sërish. E respektojmë atë ekip pasi ka në përbërje futbollistë vendës. Nuk na lejohet më hap i gabuar si me Turbinën. Kam një ftesë për të gjithë tifozët e Lushnjës që në këtë ndeshje të na mbështesin”, tha Canka.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"