Revoltë e lojtarëve, ja prapaskenat e largimit të Murinjos 6 ditë përpara finales

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2021 | 23:45

Revoltë e lojtarëve, ja prapaskenat e largimit të Murinjos 6 ditë përpara finales

“Special One” është gjithmonë dhe në çdo rast, por ky është shkarkimi më pak i bujshëm në karrierën e tij. Në orët gjatë të cilave futbolli europian është përfshirë nga cikloni i Super Ligës, Zhoze Murinjo shkarkohet nga Totenhemi, një prej 6 klubeve angleze që i është bashkuar projektit të ri.

Murinjo

Një lajm surprizë, vetëm 6 ditë përpara finales së Kupës së Ligës, ku “Spërsat” do të luajnë përballë Mançester Sitit në “Wembley” më 25 prill. Stoli i është besuar momentalisht dyshes Rajan Mejson dhe Kris Pauell, në pritje të emërimit të trajnerit të ri. Rebelohen lojtarët

– Mediat angleze zbulojnë se shkarkimi i portugezit mëngjesin e së hënës ka ardhur për shkak të një re volte të futbollistëve. Disa prej emrave kryesorë të skuadrës kanë trokitur në derën e presidentit Daniel Levi për t’u ankuar për taktikat dhe metodat e punës së Mout, duke shkaktuar një krisje në dhomën e zhveshjes.

Mes këtyre lojtarëve mësohet se ishin edhe kapiteni Hygo Loris dhe sulmuesi Herri Kejn. Protesta e lojtarëve ka kohë që ka nisur dhe Levi fillimisht heshti, por fytyrat e pakënaqura u shtuan gjithnjë e më shumë në qendrën stërvitore, duke mbërritur deri tek ikonat që më parë e kishin mbështetur. Pavarësisht nga gjithçka, Kejn e falënderoi trajnerin 58- vjeçar me një postim në rrjetet sociale:

“Faleminderit për gjithçka shef. Ishte një kënaqësi që punuam së bashku. Të uroj më të mirën në kapitullin tënd të ardhshëm”. Sigurisht që ndër arsyet kryesore të këtij vendimi janë rezultatet dhe mënyra e lojës së skuadrës. Totenhemi që renditet në vend të 7-të të klasifikimit duket se nuk ka shumë shanse për të arritur një vend në Champions sezonin e ardhshëm.

Murinjo zëvendësoi Mauricio Poçetinon në stol nëntorin e vitit 2019, duke u rikthyer në pistë pas 11 muajve pushim pas shkarkimit nga Mançester Junajtid, ku ai fitoi edhe trofetë e fundit: Superkupën e Anglisë në 2016, Ligën e Europës dhe Kupën e Ligës në 2017. Nën drejtimin e tij, Totenhemi që ai e mori në vend të 14-të, e renditi në vend të 6-të që në sezonin e parë. Në total i drejtoi për 86 ndeshje, por fitoret ishin 51.16% ndaj 54.27% që e kishte Poçetino.

Fjalët e para – Pasi boshatisi zyrën dhe iu drejtua shtëpisë, “Sky Sport” tentoi t’i merrte edhe fjalët e para portugezit pas shkarkimit. Me nënqeshjen e tij tipike dhe i shpenguar me gazetarin që e pyeti nëse shkarkimi i tij ishte i padrejtë, Murinjo tha vetëm: “Nuk kam asgjë për të thënë, ju më njihni, e dini që nuk do të them asgjë. Nuk kam nevojë për pushim”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"