“Reflektuam pas Kupës, ishte një fitore e rëndësishme”, Bregu: Korça më sjell fat, titullit i shkojmë në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2021 | 14:16

“Reflektuam pas Kupës, ishte një fitore e rëndësishme”, Bregu: Korça më sjell fat, titullit i shkojmë në fund

Dejvi Bregu po rezulton një investim me vlera për Teutën, pasi me 11 golat dhe cilësitë e tij vlonjati po e merr për dore skuadrën durrsake drejt titullit kampion. Korça i sjell fat dhe këtë gjë ish-sulmuesi i Skënderbeut e ka pranuar edhe për “Panorama Sport”, ku sqaroi edhe arsyen se pse ai nuk feston kur shënon ndaj bardhekuqve. Bregu pohoi se ekipi i ka të gjitha mundësitë që ta mbyllë i pari sezonin, por duke qenë edhe 8 ndeshje, ai kërkon që Teuta t’i bëjë hapat e vegjël dhe të studiuar.

Dejvi Bregu Teuta

“Goli? Korça është një qytet i veçantë për mua dhe Skënderbeu një ekip ku kam kaluar vite të mira, prandaj që vlerësimi im mbetet maksimal. Për këtë nuk mund të festoja në shenjë respekti për atë që më ka dhënë dhe kohën që kemi kaluar së bashku. Nga ana tjetër, Korça duket se më sjell fat dhe arrij të shënoj sepse është një ambient fantastik”, u shpreh fillimisht Bregu për gazetën.

REAGIMI DHE TITULLI

Pas eliminimit në Kupë, Teuta ka reaguar në kampionat. “Ishte një fitore tejet e rëndësishme për ne. E dinim që do të ishte e vështirë, pasi Skënderbeu po kalon një moment mjaft të mirë dhe një gjë të tillë e tregoi edhe në Kupë. Ne kemi reflektuar shumë pas atij takimi dhe e interpretuam mirë lojën. Duke qenë kështu, e dinim që do të ishte një ndeshje që do të vendosej nga detajet prandaj u munduam të ishim të qetë dhe të përqendruar. Arritëm të shënonim dhe e menaxhuam mirë rezultatin. Jemi në vendin e parë dhe brenda objektivit që i kemi vendosur vetes.

Ka ende shumë javë në lojë. Janë edhe 24 pikë, prandaj duhet të marrim gjithçka, ndeshje pas ndeshjeje. Cilësitë i kemi dhe besojmë se do ta mbyllim të parët, por siç e thashë do të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës për të ecur me hapa të vegjël drejt suksesit final”, përfundoi golashënuesi më i mirë i Teutës

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"