Qesharake/ Vllaznia shiti Vecajn te Dinamo e Zagrebit për vetëm 20 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2017 | 11:41

Qesharake/ Vllaznia shiti Vecajn te Dinamo e Zagrebit për vetëm 20 mijë euro

Vetëm 20 mijë euro u ka kushtuar transferimi i Uendi Vecajt gjigantëve të Dinamo Zagrebit. “Panorama Sport” zbulon se 20-vjeçari është shitur nga Vllaznia te kroatët për këtë shifër, e cila normalisht është shumë e vogël, kur bëhet fjalë për kalimin te një klub, i cili investon miliona euro për talentet.

Vecaj

Duket se nga ky transferim ka dalë shumë më shumë i fituar lojtari, edhe pse klubet kanë arritur një marrëveshje që, në rast të rishitjes së Vecajt, Vllaznia të përfitojë 10% të vlerës së kartonit. Është ky “bonusi” i vetëm i kuqebluve nga shitja e mesfushorit.

Akordi – Prej pasdites së të enjtes, Uendi Vecaj është bërë zyrtarisht pjesë e Dinamos së Zagrebit. Lojtari kaloi me sukses provën dhe pas marrëveshjes me homologët, shkodranët siguruan shërbimet e tij. Vetë mesfushori, në një prononcim për gazetën, shprehet i lumtur për realizimin e kësaj ëndrre.

 

Gjithsesi nuk heziton që të falënderojë klubin “mëmë” që i dha mundësinë të promovohet te Dinamo. “Jam shumë i kënaqur që arrita të mbyll marrëveshjen me një ekip të huaj dhe mbi të gjitha me një klub si Dinamo.

vecaj vila

Për afro 10 ditë unë jam stërvitur pranë kësaj skuadre, por ende nuk e besoja që do bëhesha pjesë e kroatëve. Më pas drejtuesit e dy klubeve kanë rënë dakord që unë të jem deri në mesin e vitit 2021, pra edhe në sezonin 2020-2021 pjesë e këtij klubi.

Natyrisht që është realizimi i një prej ëndrrave të mia, që të luaj jashtë Shqipërisë dhe për më tepër kur luan me një skuadër si Dinamo. Unë dua të falënderoj edhe drejtuesit e Vllaznia që u treguan të gatshëm si në momentin kur unë shkova për t’u stërvitur me këtë skuadër, po ashtu edhe në arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Vecaj vs Telushi

Klubi ka treguar gjithë interesimin e tij për të bërë të mundur që unë të vazhdoj një rrugëtim të suksesshëm në karrierën time”, u shpreh fillimisht lojtari, i cili sezonin e fundit luajti 14 ndeshje me fanellën e kuqebluve.

Përfitimet – Vetë Vecaj thekson se Vllaznia nuk u bë pengesë për të, megjithatë ai nuk zbulon shumë nga detajet e transferimit, përveç faktit që klubi kuqeblu ruan 10% të vlerës së kartonit. “Klubi Vllaznia është treguar i gatshëm për këtë transferim, duke mos më penguar në këtë rrugëtim. Nga sa di unë, klubi na ka ndihmuar në këtë lëvizje, ndaj edhe i falënderoj.

Vecaj

Nga sa kam informacion, shkodranët kanë ruajtur 10% të vlerës së kartonit tim”, përfundoi mesfushori. Tani mbetet për t’u parë nëse Dinamo do ta mbajë në radhët e saj për këtë sezon apo do ta huazojë tek ekipet e veta satelit, praktikë që e ka zbatuar shpeshherë me elementë të talentuar. Megjithatë e rëndësishme është që Uendi Vecaj ka nisur një rrugëtim të suksesshëm në karrierën e tij.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"