Qerimaj: Rezultatet tona, fryt i mbështetjes që na keni dhënë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2022 | 23:49

Qerimaj: Rezultatet tona, fryt i mbështetjes që na keni dhënë

Ndonëse në një hark shumë të shkurtër kohor ra rreth 9 kilogramë, duke zbritur në kategorinë e re të peshave 73 kg, Erkand Qerimaj tregoi se mbetet një peshëngritës i kalibrit botëror. Në Kampionatin Botëror që u mbajt në Uzbekistan, shkodrani u klasifikua në vendin e katërt.

ERKAND QERIMAJ

Qerimaj e komentoi me superlativa vitin që lamë pas, ndërsa gjithashtu edhe ai vlerësoi mbështetjen e marrë nga Komiteti Olimpik:

“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen që na keni dhënë duke nisur që nga Lojërat Olimpike dhe deri në Kampionatin Botëror. Vendi i katërt në Botëror nuk ishte një rezultat i rastësishëm, gjithashtu edhe në Olimpiadë shkuam me normë kualifikuese, duke bërë gjithashtu një paraqitje shumë të mirë.

Me mbështetjen që kemi pasur nga Komiteti Olimpik, duke nisur nga grumbullimet, fizioterapitë dhe çdo gjë tjetër, arritëm të shkojmë në një gjendje mjaft të mirë në Botëror, duke marrë edhe rezultate”.

Më tej, Qerimaj falënderoi presidentin e Komitetit Olimpik për gjithçka që ka bërë për peshëngritjen: “Ajo që më ka bërë përshtypje dhe që dua ta falënderoj presidentin Ylli është se ka qenë në mbështetjen tonë gjatë gjithë kohës, duke na ndjekur që nga stërvitjet që kemi bërë këtu dhe duke qëndruar pranë nesh për gjithçka që kemi pasur nevojë.

Kjo bëri që ne të paraqiteshim në mënyrën më të mirë në Botëror, ku nderuam jo vetëm Federatën e Peshëngritjes, por edhe Komitetin Olimpik dhe të gjithë Shqipërinë. Rezultatet që arritëm janë diçka shumë e madhe dhe reflektojnë punën që ne bëjmë çdo ditë. Gjithashtu edhe ndryshimet e qeverisë për shpërblimet tani do të reflektojnë edhe më shumë, pasi do të afrohen më tepër të rinj në peshëngritje”.

Në fund, 33-vjeçari u ndal tek aktivitetet e këtij sezoni: “Ky vit që sapo ka nisur është shumë i rëndësishëm për ne, pasi kemi përpara Europianin, Lojërat Mesdhetare dhe Botërorin. Ne pretendojmë që të jemi në zonën e më të mirëve, duke ngritur lart flamurin në këto evente”, përfundoi prononcimin e tij Erkand Qerimaj, gjatë pritjes së djeshme në zyrat e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ku së bashku me Briken Caljen u vlerësua me certifikatë mirënjohjeje nga presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"