Prokuroria e Vlorës: UEFA po mban peng hetimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2015 | 14:30

Prokuroria e Vlorës: UEFA po mban peng hetimet

Flamurtari-TeutaProkuroria e Vlorës po vijon në mënyrë intensive hetimin e ndeshjes Flamurtari-Teuta, e cila u denoncua si e trukuar nga drejtuesit e klubit vlonjat. Çështja nuk është mbyllur ende, ndërsa burime pranë organit të akuzës thanë dje për “Panorama Sport” se janë në pritje të përgjigjes së UEFA-s, e cila do të sjellë informacionin e 6 kompanive ndërkombëtare të basteve. Kjo çështje i është besuar për hetim prokurores Flora Çela, e cila ka edhe mbështetjen maksimale të kryeprokurorit të Vlorës, Ramadan Troci.

Ata do ta çojnë deri në fund këtë çështje dhe për të vendosur përpara përgjegjësisë autorët, nëse pretendimet e vlonjatëve do të rezultojnë të vërteta. “Jemi ende në pritje të përgjigjes së UEFA-s në lidhje me çështjen e ndeshjes Flamurtari-Teuta.

Kërkojmë informacion zyrtar nga 6 kompani të basteve që operojnë jashtë vendit. Pritet që të mbërrijnë përgjigjet nga UEFA për informacionin e kërkuar për kompanitë e basteve dhe më pas do të arrijmë në konkluzione. Ndoshta brenda muajit maj do të na mbërrijë materialet që ne kërkojmë dhe shumë shpejt pritet që të mbyllet kjo dosje”, i tha dje gazetës një burim zyrtar i Prokurorisë. Ecuria e hetimit Hetimet për çështjen e ndeshjes mes Flamurtarit dhe Teutës kanë ecur me ritme të shpejta. Prokuroria ka mbledhur një informacion voluminoz, përfshi këtu edhe kompanitë e basteve që ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë. Burime nga organi i akuzës konfirmojnë për gazetën se janë marrë në pyetje për këtë çështje 4 futbollistë nga Flamurtari dhe Teuta si dhe drejtuesit teknikë të tyre, jo trajnerët, por përgjegjësit teknikë. Për shkak të hetimit, ky organ nuk bën të ditur emrat e lojtarëve dhe stafit teknik që janë pyetur. Po ashtu, për shkaqe të hetimit, nuk bëhen të ditura as deklaratat që ata kanë dhënë.

Burime konfidenciale pranë organit të akuzës pohojnë për “Panorama Sport” se asnjë nga futbollistët apo drejtuesit teknikë të Flamurtarit dhe Teutës nuk ka pranuar që të jetë bërë pjesë e trukimit të kësaj ndeshjeje. Pala e Teutës, siç mësohet, është shprehur se në asnjë mënyrë nuk është toleruar ndaj Flamurtarit, por në minutat e fundit ekipi është shpërqendruar si pasojë e lodhjes dhe ngarkesës psikologjike. Po ashtu edhe drejtuesi teknik i Flamurtarit, si dhe futbollistët, nuk kanë pranuar se janë pjesë e një trukimi të mundshëm të kësaj ndeshjeje, ndërsa kanë kërkuar me forcë që të hetohet deri në fund. Prokuroria e Vlorës, veç provave që ka grumbulluar deri tani, ka sekuestruar pamjet filmike të ndeshjes mes Flamurtarit dhe Teutës. Në hetim është vënë e gjithë ndeshja, ndërsa veçanërisht është analizuar 15-minutëshi i fundit. Akuza e ngritur me këtë rast është e përcaktuar në nenin 197/ a për trukimet dhe paracaktimin e rezultateve në garat sportive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"