Probleme me dëmtimet te Flamurtari, por mungesa e Moçkës ngre dyshime për ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2020 | 13:31

Probleme me dëmtimet te Flamurtari, por mungesa e Moçkës ngre dyshime për ardhmen

Sikur të mos mjaftonin organika e varfër dhe problemet e tjera, Flamurtari duhet të vuajë edhe dëmtimet. Në ndeshjen me Orikun, që u luajt në Vlorë të shtunën, një ndër lojtarët e rëndësishëm të ekipit, Ariel Muçollari, pësoi një dëmtim në kavilje dhe la fushën me vështirësi në të ecur. Nga stafi i Flamurtarit mësohet se Muçollari duhet të qëndrojë për pak ditë pushim dhe të bëjë terapi dhe ushtrime rehabilituese.

Flamurtari Mocka

Nuk është ende e qartë se për sa kohë ai do të rehabilitohet dhe do të jetë gati për trajnerin Resuli. Ai është një nga titullarët më të rëndësishëm në mbrojtje për vetë eksperiencën që ka, pasi sezonin e kaluar ka luajtur rregullisht.

PORTIERI MOÇKA – Flamurtari kishte edhe një mungesë tjetër të rëndësishme në seancën e djeshme stërvitore, atë të portierit Shpëtim Moçka. Nuk dihet pse ai nuk u paraqit dje në stërvitje, por ka dyshime që shtohen edhe nga fakti se ndaj Orikut ai nuk luajti asnjë minutë, duke e ndjekur ndeshjen si spektator.

Burime pranë klubit sqarojnë për “Panorama Sport” se ka qenë një vendim i stafit teknik për të mos e aktivizuar Moçkën, në mënyrë që të shihej gjendja e portierit të ri Alimuçaj. Po ashtu, nuk konfirmohet ndonjë problem mes portierit dhe drejtuesve të klubit, megjithatë, mungesa e Moçkës është disi enigmatike. Ai u rikthye në ekip vetëm disa ditë më parë bashkë me sulmuesin Ribaj, pasi morën garancinë se do të likuidoheshin për pagat e prapambetura.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"