Pro dhe kundër dënimit të Juves, flasin avokatët: Ja pse e pësuan vetëm bardhezinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2023 | 0:13

Pro dhe kundër dënimit të Juves, flasin avokatët: Ja pse e pësuan vetëm bardhezinjtë

Dënimi i Juventusit ka përçarë opinionin publik, lidhur me faktin nëse i meriton ose jo 15 pikët penalizim.

7182938_22092722_juventus_penalizzazione_perche

Pas së premtes, ku erdhi edhe forma e prerë e vendimit në Këshillin e Apelit, madje me këtë organ që vendosi të shkojë edhe përtej 9 pikëve të kërkuara nga pala akuzuese, në media ka shpërthyer uria për të kuptuar sesi do të përfundojë kjo histori me Juven, por ndoshta edhe me ndonjë klub tjetër në vazhdim, në shkallët e tjera të gjykimit.

Prandaj, gazetat, televizionet, portalet dhe çdo instrument tjetër i medias po përpiqet të intervistojë dhe të kuptojë diçka më konkrete, me ligjore, por edhe në terma më të thjeshtë se çfarë ka bërë Juvja që nuk e kanë bërë skuadrat e tjera, që deri tani mbeten të pafajshme dhe se sa shanse kanë bardhezinjtë që të anulojnë dënimin me 15 pikë në renditje, që i ka kushtëzuar të gjithë sezonin aktual dhe atë të ardhshmin. Dhe për të folur mbi dy anët e medaljes, pro dhe kundër, janë marrë në pyetje dy prej avokatëve më të njohur në Itali.

Matia Grasani: Ja pse u dënuan vetëm bardhezinjtë

Dënimi i Juventusit ka nga ata që janë pro dhe kundër, por ndërkohë në pritje që bardhezinjtë të kuptojnë argumentimin dhe të lëshohen në kundërsulm, në zyrat e “CONI”-it, tashmë janë avokatët që përplasen mes tyre, duke dhënë arsyet pse është e drejtë dhe jo. Dhe mes atyre që mendojnë se ky dënim pritej për Juven është edhe avokati napolitani, Matia Grasani:

“Arsyeja pse u dënua vetëm Juventusi? E thjeshtë, sepse gjykimi për revokim u bazuar mbi grumbullimin e 14 mijë dokumenteve brenda të cilave prokuroria ka gjetur prova, të cilat çonin në hapjen e kësaj dosjeje, për sa i përkiste Juventusit. Ndërkohë, për momentin, dosje të inkriminuar për skuadrat e tjera nuk ka”.

Gjykata e “CONI”-it – Ndërkohë, lidhur me hapin e radhës që e pret Juven, në apelin e “CONI”-it, Grasani nënvizon: “Pa njohur motivimet që çuan në dënim është e vështirë të bëjmë parashikime. Beteja e radhës do të jetë si një ndeshje me eliminim direkt, pasi Gjykata e “CONI”-it ose konfirmon, ose anulon vendimin e Këshillit të Apelit, për një rivlerësim të ri, nisur nga normat e reja që duhen ndërmarrë. Cilat janë veset e “CONI”-it, lidhur me vendimet e tyre?

Vlerësimet e tyre janë radikale. Motivimi për marrjen e një vendimi, në këtë rast i Këshillit të Apelit, nuk duhet të jetë në kontrast me kodin sportiv. Nëse ligjet sportive janë shkelur, atëherë 15 pikët do të konfirmohen, përndryshe do të anulohet”. Dhe në këtë pikë Juvja është e fituar, pasi siç u shpreh gjykata e shkallës së parë, ligji për plusvalencat dhe mënyrën sesi matet vlera e një lojtari, ligjërisht nuk ekziston.

JUVJA DO TË DIGJET SËRISH – Por Matia Grasani beson se Juvja sido që të jetë do të dënohet gjithsesi. “Unë mendoj se ky fill procedimi nuk do të mbetet i izoluar për Juventusin. Edhe sikur të dalë e pafajshme për çështjen e plusvalencave, fakti që mbi këtë klub pritet të hapet një tjetër hetim lidhur me pagat e fshehura në periudhë COVID, por të futura shumë më vonë në bilance, është një shkelje, e cila gjithashtu përkthehet në pikë penalizim, pavarësisht nëse konfirmohen ose jo 15 pikët për çështjen e plusvalencave.

PSE VETËM JUVJA – Por duke iu rikthyer sërish pyetjes, pse vetëm Juventusi është dënuar, Grasani e mbyll, duke ofruar edhe një argument tjetër: “Unë nuk ta përjashtoj se do të ketë edhe klube të tjera që do të thirren në apel dhe do të mund të dënohen.

Çështja është se pas shpërthimit të frymës së plusvalencave, Prokuoria e Torinos vendosi që të lëvizë e para dhe shumë shpejt madje, duke u hedhur në sulm për të gjetur fakte të abuzimit masiv me këtë lëvizje fiktive parash. Prandaj, ekipe të tjera që mund të dalin përpara drejtësisë sportive do të ketë vetëm atëherë kur prokuroritë e qyteteve përkatëse do të lëvizin për të gjetur fakte se edhe ato kanë kryer këto padrejtësi”.

 

Avokati Kastonovo: “CONI” do ta rrëzojë dënimin, ja pse

Ai që beson se Juventusit do t’i anulohet vendimi në Gjykatën e “CONI”-it (Komiteti Olimpik Italian) është avokati penalist, Xhovani Kastronovo.

Pas dënimit me 15 pikë të Juves, në bazë të njohurive tuaja juridike, cila është pikëpamja mbi çështjen?

Është një vendim që nuk mund të qëndrojë në botën e së drejtës, duke qenë se kjo çështje u ngrit si një hipotezë akuze populiste, aq më tepër duke kaluar nga një dënim ekzemplar prej 15 pikësh, edhe pse kërkesa maksimale ishte 9 pikë.

Në bazë të çdo profili ligjor, ky vendim është jashtë logjike. Sepse nëse biem dakord se Juventusi ka bërë plusvalenca fiktive, ndërkohë që të gjitha klubet e tjera janë shpallur të pafajshme nga akuzat, atë më thoni, me kë i ka konsumuar ky klub këto shkëmbime lojtarësh dhe këto parregullsi që duhet të paguajë. Do të duhet të lexohen motivimet e vendimit për të kuptuar, atë që sot për sot është thjesht e pashpjegueshme.

Po, e pashpjegueshme duket termi më i drejtë…

Për më shumë, fakti që nuk ka një normë që të shpallë parametrat dhe kriteret që duhen marrë parasysh për vlerën e një lojtarit, drejtësia foli qartë në shkallën e parë, duke i shpallur të gjitha skuadrat të pafajshme. Por si ka mundësi që mbi këtë tezë, të ngrihet një antitezë dhe të çojë juridikisht, pa pasur ligj, në dënimin e një klubi.

Pra, cili është mendimi juaj?

Mua më duket se këtu është shkelur edhe principi juridik i “ne bis in idem”, që do të thotë se nuk ka sesi një skuadër të dënohet për të njëjtën çështje, pasi është shpallur fillimisht e pafajshme.

Për më tepër, një fletë A4, e cila mban shënime të Federiko Kerubinit, i cili nuk pëlqen punën që po bën Fabio Paratiçi, edhe pse nënvizohet “plusvalenca artificiale”, kurrsesi nuk mund të jetë një provë, aq më tepër duke i vënë edhe nga prokurorët nofkën e “Librit të zi të Fabio Paratiçit”.

Prandaj personalisht jam optimist se Kolegji i Garancisë, gjykata e “CONI”-it do të anulojë këtë ilegjitimitet, por vetëm për formën e saj, duke mos hyrë në asnjë mënyrë në meritën e vendimit për të cilin bëhet fjalë.

Duke parë se Juvja është e vetmja skuadër e goditur kundrejt të tjerave, mendoni se është dëmtuar fort?

Nga ajo që duket deri tani, Juventusi është etiketuar si shpikësja e sistemit të plusvalencave, me drejtësinë që ka shkuar dhe përtej duke e quajtur këtë në teori një krim, por që në të vërtetë nuk ekziston. Sepse nuk ka ligj. Nëse një plusvalencë regjistrohet, atëherë ky përfitim ka brenda dy aktorë, jo vetëm Juven. Prandaj, ose dënohen të dyja klubet, ose asnjë.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"