“Privilegj që mbaj shiritin e kapitenit në Vlorë”, Pjeshka: Shkurtaj do të na ndihmojë, ja si ia del Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2024 | 20:47

“Privilegj që mbaj shiritin e kapitenit në Vlorë”, Pjeshka: Shkurtaj do të na ndihmojë, ja si ia del Flamurtari

Denis Pjeshka mendon se Flamurtari e ka edhe një shans për ngjitjen direkt në Superiore, gjersa matematika ia lejon. Kapiteni thekson se objektivi është ndeshja e radhës dhe në situatën ku gjendet skuadra, nuk lejohen gabimet.

Kapiteni Pjeshka duke festuar me shokët e ekipit golin e Shkurtajt ndaj Burrelit

Në intervistën për “Panorama Sport”, Pjeshka kërkoi kujdes nga ekipi, si dhe pohoi se afrimet e merkatos e kanë rritur konkurrencën. Si kapiten ka përgjegjësi të madhe, ndërsa thekson se pesha e fanellës ndihet nga çdo futbollist.

Denis, a u trembët nga pjesa e fundit të ndeshjes me Burrelin?

Gjithmonë kur ekipet janë në fitore 3-0, bie ritmi i lojës, aq më shumë në fund. Futbolli kështu është, ishte një autogol aksidental.

Mos ishte një lloj nënvlerësimi nga ana juaj si ekip?

Nuk mund të them nënvlerësim. Pas golave që pësuam, ekipi reagoi dhe e mbyllëm ndeshjen me golin e katërt. Thjesht duhet kujdes, sidomos kur je 2-0 apo 3-0, që vënë ekipin nën presion nga një gol i pësuar. Na duhen rezultatet dhe nuk na falen më gabimet. Duhet të kemi më shumë kujdes.

Si ndiheni si kapiten i Flamurtarit?

Në radhë të parë, është privilegj që të jem kapiten i një ekipi si Flamurtari, me traditë në futbollin shqiptar. Normalisht, është një përgjegjësi e madhe. Dihen objektivat që kishte ekipi sezonin e shkuar, por edhe tani. Shpresoj që ta ndihmoj skuadrën në pjesën e mbetur të kampionatit për të arritur objektivin. Kemi edhe një shans. Megjithëse dy ekipet e para janë shkëputur me pikë, por matematika na e jep një shans të fundit.

Jeni përgatitur psikologjikisht për “play off”-in apo vazhdoni të besoni, pasi skuadra tani i ka të qarta situatat?

Po përgatitemi për ndeshjen e fundjavës dhe tri pikët e radhës, pastaj të shikojmë se si do të shkojmë deri në fund të sezonit. Gjëja më e rëndësishme për ne janë tri pikët. Kemi përpara ndeshje direkte si me Bylisin dhe me Elbasanin. Janë shumë pikë në lojë. Duhet të luftojmë vetëm për fitore, ndeshje pas ndeshjeje.

Si është klima te Flamurtari pas merkatos dhe afrimeve të janarit?

Klubi ka bërë disa afrime dhe mendoj se janë lojtarë profesionistë në radhë të parë. Kanë luajtur dhe janë djem që kanë dalë edhe kampionë. Kanë ardhur që të na ndihmojnë dhe të na japin një dorë për të arritur objektivin. Shkurtaj besoj se do të na ndihmojë shumë në sulm, se është një lojtar që e njeh shumë mirë golin. Thjesht, rritet konkurrenca që është gjithmonë në të mirën e ekipit.

Kur keni ardhur në Vlorë, sa e rëndësishme ka qenë për ju historia e Flamurtarit?

Ne e dimë vlerën e fanellës së Flamurtarit dhe e njohim historinë dhe se çfarë peshe ka. E dimë që është një qytet i madh dhe një ekip po kaq i madh në futbollin shqiptar. Ne mundohemi gjithmonë që të japim maksimumin në fushë. Kemi bërë edhe gabime, apo nuk na kanë shkuar gjërat mirë në disa ndeshje. E rëndësishme është që ne të futemi në fushë në çdo ndeshje për të dhënë më të mirën tonë.

Çfarë prisni nga ndeshja e radhës me Korabin?

Nuk kemi luksin të tolerojmë asnjë kundërshtar. Ato gabime që kemi bërë nuk na falen më në të ardhmen. Është një ndeshje e fortë dhe që është vlerësuar nga ana jonë. Duhet të marrim tri pikët se janë shumë të rëndësishme për Flamurtarin. Shpresoj që me paraqitjet e  mira të afrojmë më shumë sportdashësit në stadium, të cilët gjithnjë mundohen të na mbështesin.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"