Priten debutimet te Partizani, vjen ora e… blerjeve të verës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2018 | 11:22

Priten debutimet te Partizani, vjen ora e… blerjeve të verës

Partizani është gati që të bëjë debutimin në Kupën e Shqipërisë, teksa në turin e parë eliminator, sot pasdite në orën 16:00, do të ndeshen me Tërbunin në transfertë. Skuadra e stërvitur nga Skënder Gega, duke parë kundërshtarin, por edhe faktin që të dielën do të ndeshen me një rival aspak komod në kampionat si Laçi, pritet që të bëjnë disa ndryshime në formacion, ku do t’i jepet një shans mbi të gjitha blerjeve të merkatos së verës, që deri tani nuk kanë luajtur asnjë minutë si mbrojtësit Eneo Bitri e Rron Statovci, mesfushori koreanoverior, Hyon-Uk So, si dhe sulmuesi Eraldo Çinari. Të gjithë dje u provuan në ndeshjen brenda familjes, në 25 minutat e fundit të stërvitjes së djeshme.

partizani stervitje

STËRVITJA

Trajneri Gega e ndau seancën e djeshme në katër faza. Përveç lojërave në kuadrat mes grupit të lojtarëve dhe stërvitjeve fizike me disa sprinte të shpejta, më pas ai urdhëroi që titullarët si Egzon Belica, Labinot Ibrahimi, Bruno Telushi, Lorenc Trashi, Jasir Asani, Esat Mala dhe Reinaldo Kalari të stërviteshin veçmas, ndërsa në gjysmëfushën tjetër pjesa tjetër e skuadrës iu nënshtruan “urdhrave” të Gegës.

Fillimisht u provua një situatë loje pa portier mes dy skuadrave (të kuq dhe jeshilë) për të përmirësuar zotërimin e topit, ndërsa në pjesën e tretë u provuan disa aksione kundërsulmi me një portë, në të cilën urdhrat ishin të qartë: shpërndarje topi nga krahët dhe goditje drejt kuadratit me të parën. Ndërsa, për të bërë disa kolaudime të fundit përpara transfertës në Kupë, i gjithë grupi u bashkua dhe për 25 minuta u zhvillua një sfidë brenda familjes, në të cilën Gega ishte i fokusuar mbi të gjitha te formacioni i veshur me jelekët jeshil, të cilët me shumë mundësi do të jenë edhe formacioni që do ta nisë sot në orën 16:00, nga minuta e parë përballë Tërbunit.

FORMACIONI

Kupa e Shqipërisë do të jetë një shans për ata lojtarë dhe investime të bëra gjatë merkatos, ku trajneri Skënder Gega do të kuptojë më së miri edhe gjendjen e disa futbollistëve, për të cilët ka shumë kuriozitet edhe nga ana e tifozëve për t’u parë në aksion, si për shembull koreano-veriori So, por edhe sulmuesi Eraldo Çinari mbi të gjitha. Pjesë e skuadrës me jelekët jeshil ishin portieri i dytë, Dashamir Xhika; në mbrojtje Sodiq Atanda, Renato Gojkoviç, Alma Uakili dhe Eneo Bitri; në mesfushë Ardit Hila, Eneid Kodra dhe HyonUk So dhe në sulm Jurgen Bardhi, Emanuel Mensah dhe Eraldo Çinari, blerja 60 mijë euroshe nga skuadra e Vllaznisë.

Me shumë mundësi, sot do të shihet në fushë një Partizan sulmues, me një rreshtim të mundshëm ofensiv 4-3-3, me anë të së cilit do të tentohet që të mbyllin llogaritë me kualifikimin në Kupën e Shqipërisë, kundër pukianëve, që në sfidën e vajtjes. I vetmi dyshim mund të jetë pjesëmarrja e Alma Uakili, i cili pësoi një tërheqje në minutat e fundit të seancës dhe kërkoi ndihmën e masazhatorit të skuadrës.

JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"