Presidenti Agim Demrozi do ta nisë nga emërimi i trajnerit të ri, ja situata te Egnatia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2022 | 10:28

Presidenti Agim Demrozi do ta nisë nga emërimi i trajnerit të ri, ja situata te Egnatia

Largimi i trajnerit Zekirija Ramadani nga Egnatia nuk mund të thuhet se ishte diçka e papritur në ambientin rrogozhinas. Prej javësh përflitej se 44-vjeçari nga Shkupi do të largohej sapo të mbyllej edhe ndeshja “play out” ndaj Korabit.

DEMROZI

Dhe kështu ndodhi, teksa mes palëve nuk pati marrëveshje për një rinovim të kontratës. Madje, prej ditësh mediat kosovare kanë raportuar se Ramadani do të jetë trajneri i ri i Gjilanit. Ndërsa dje ka pasur raportime se shkupjani e ka arritur akordin me skuadrën kosovare.

Gjithsesi, tashmë preokupimi i drejtuesve rrogozhinas është gjetja e një trajneri të ri dhe ndërtimi i skuadrës për sezonin 2022-2023. Baza e skuadrës është nën kontratë, përfshi edhe lojtarët e huaj që kanë spikatur, si Pedro Augusto, Xhekson Kenio dhe Mikhael Agbekpornu.

Gjithashtu, qendërmbrojtësi Besart Krivanjeva ka kontratë edhe për sezonin e ardhshëm. Nga ana tjetër, klubi duhet të rinegociojë për marrëveshje të re me sulmuesin kongolez, Dzon Delarxh, i cili shënoi në fitoren ndaj Korabit.

Numri një i klubit, Agim Dermozi, do të bëjë një organizim për sezonin e ri, jo vetëm në strukturat drejtuese, por edhe në nivelin e skuadrave të grupmoshave, që do të kompletojnë hierarkinë e Egnatias.

Në ditët e ardhshme pritet të zyrtarizohet në rolin e drejtorit sportiv edhe shkodrani Ndriçim Shtubina, i cili i dha lamtumirën futbollit të luajtur.

Sa u përket lëvizjeve në merkato, fillimisht do të pritet caktimi i trajnerit e më pas do të bëhen piketimet konkrete, paçka se disa emra janë të tavolinën e drejtuesve. Dilema ka edhe për mesfushorët e dëmtuar Bruno Telushi dhe Guilherme Eller, të cilët nuk dihet nëse do të vazhdojnë me rrogozhinasit edhe sezonin tjetër.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"