Premiot në dygarësh, Shaqiri: Shteti të vërë dorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2014 | 22:15

Premiot në dygarësh, Shaqiri: Shteti të vërë dorë

Peshengritje.kpgHektor Shaqiri, trajneri nga dora e të cilit medalistët kanë qenë të panumërt në arenën ndërkombëtare, ndihet krenar që nën urdhrat e tij kanë qenë edhe dy kampionët e rinj të botës në Almati të Kazakistanit, Daniel Godelli dhe Romela Begaj. Ndërsa flet me emocione për suksesin e arritur nga këta “xhevahirë”, të pritshëm si rezultate sipas tij, i mirënjohuri i trajningut kuqezi shpreh keqardhjen për mënyrën e trajtimit financiar nga shteti. Vlerësimi vetëm në dygarësh nuk është e pranueshme për trajnerin Shaqiri, ndaj shteti duhet të reflektojë për t’i trajtuar edhe në stilet respektive.
I kënaqur që një ishsportistja juaj shpallet kampione e botës?
Absolutisht që po. Me Romelën kam punuar 8 vite, nuk janë pak. Por mos harroni që edhe Daniel Godelli ka qenë sportisti im për katër vite, madje është kurorëzuar edhe kampion bote për të rinj.
Nëse në shkëputje zuri vendin e parë, nuk ndodhi kështu në shtytje…
Në fakt, Romela (Begaj) teknikisht ka një dobësi që është pjesa e poshtme e këmbëve. Të kundërtën mund të them për Danielin. Por, në fakt, diferencën e bën stili i shtytjes, deri në kufijtë e 90- përqindëshit. E ka këtë “fatkeqësi”, por s’duhet harruar që është një vajzë shumë punëtore. Nëse do të kishte tentuar më tepër me gjymtyrët e poshtëm, pa dyshim që do të ishte shpallur sërish kampione e botës. Këtë e them pa frikë. Plus kësaj, nuk ka trajner profesionist. Unë e kam dashur më herët që të rritej në peshë, marrë në konsideratë edhe gjatësinë e saj.
Ju vjen keq që nuk është më nën urdhrat tuaja?
Jo, jo, aspak. Me këtë performancë pretendon Begaj në Lojërat Olimpike? Patjetër. Romela nuk është i ndarë për asnjë moment zonës së podiumit. Nuk mund të themi se është herët për të folur, por që duhet përshëndetur nisma e federatës me grumbullimet e zhvilluara në Greqi pasi këtu dihet si janë kushtet tona. Po mbin bari nëpër palestra.
Profesor, a është e pranueshme që të shpallesh kampione e botës dhe të mos marrësh asnjë qindarkë marrë parasysh vlerësimin vetëm në dygarësh?
Me Romelën kemi shkuar mbi 20 herë në ministri dhe kemi kërkuar rishikim të këtij vendimi, që në të vërtetë është evaziv, pasi nuk e saktëson nëse jep premio për stilet respektive apo në dygarësh. Na kanë thënë se do ta shikojnë, por nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. Sportistë si Romela dhe Danieli i kemi me kokrra, ndaj duhen stimuluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"