Premiot, Gjoza: Ligji do ndryshojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2014 | 11:10

Premiot, Gjoza: Ligji do ndryshojë

GjozaPresidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka përshëndetur triumfin e radhës të sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare, dje me Hysen Pulakun në Europianin U-23. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gjoza tha se Pulaku së bashku me Daniel Godellin do të jenë surpriza e Lojërave Olimpike “Rio 2016”. “E themi me bindje se tashmë peshëngritja shqiptare është e plotësuar duke filluar me të rinjtë, kategorinë U-23 dhe të rriturit. Rezultati i arritur dje nga Pulaku është tregues i qartë dhe rikonfirmim i peshëngritjes si sport elitar në vendin tonë. Përveç tri medaljeve të fituara, konstatojmë se ai ka bërë edhe një progres në rezultat, krahasuar me pjesëmarrjen në kampionatin botëror. Pra, kombëtarja e peshëngritjes është solide dhe me perspektivë në të ardhmen. Por një meritë në këtë ecuri të jashtëzakonshme të rezultateve e ka stafi teknik, sekretari i përgjithshëm dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për të arritur deri këtu”, tha fillimisht presidenti Gjoza. Sa i përket mospërfshirjes të kategorisë U-23 në listën e shpërblimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave, presidenti Gjoza do të deklaronte: “Në dijeninë time, ligji aktual po ndryshon dhe shumë shpejt do të përcillet në Parlament, ku pjesë e ristrukturimit të përfitimit të shpërblimeve do të jetë edhe kjo kategori”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"