Prapaskenat e bujshme të merkatos/ Xhixho Donaruma dhe Çalha falas te Juvja, por janë “peng” i CR7

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2021 | 22:24

Prapaskenat e bujshme të merkatos/ Xhixho Donaruma dhe Çalha falas te Juvja, por janë “peng” i CR7

E ardhmja e Kristiano Ronaldos është një nga temat më të nxehta te Juventusi. Ai po mban peng në njëfarë mënyre edhe merkaton e klubit, që në mungesë të tij, do të merrte të tjera rrugë. Edhe menaxheri i portugezit duket se po shikon për mundësi transferimi për të asistuarin e tij.

Donaruma dhe Calha

Nëse ndodh që CR7 largohet nga Torinoja, atëherë klubi mund të përdorë “pagën” e tij për të afruar lojtarë. Ashtu si në vitet e kaluara, drejtuesit bardhezinj vijojnë të jenë tepër vigjilentë për një afrim me parametër zero. Në këtë verë, Paratiçi e Nedved mund të realizojnë një goditje të dyfishtë të kësaj natyre dhe duket se kanë gati objektivat.

SYNIME – Duket se gjahu në merkato për “Zonjën e Vjetër” janë dy lojtarë të Milanit. Bëhet fjalë për Hakan Çalhanoglunë dhe Xhanluixhi Donarumën. I pari do të zinte vendin e Ramsejt, teksa portieri do të blindonte  portën. Kërkesat e tyre ekonomike janë problem për kuqezinjtë, por dukshëm jo për Juventusin që mund të kënaqë secilin. Portieri, me anë të Mino Raiolës, ka bërë të ditur se kërkon 10 milionë euro në sezon, ndërkohë që turku “vetëm” 5 milionë.

Të dy do të përbënin në borderonë bardhezi vetëm gjysmën e rrogës së Ronaldos, teksa pjesa tjetër e shumës mund të përdorej për të paguar edhe ndërmjetësit që kërkojnë komisione të bollshme.

Goditje si Ramsej, Rabio, Emre Xhan apo Dani Alvesh kanë rezultuar funksionale, ndaj te Juvja mund të synojnë përsëri formulën e afrimit të lojtarëve me parametër zero, ndërkohë që raportet me Raiolën që janë shumë të mira, mund të ndihmojnë në plotësimin përfundimtar të këtij mozaikut të veçantë merkatoje.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"