Porosi pa fund, flet trajneri i Tërbunit: Mos lini asnjë hapësirë në duelin me Besëlidhjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 11:42

Porosi pa fund, flet trajneri i Tërbunit: Mos lini asnjë hapësirë në duelin me Besëlidhjen

Tërbuni ka mbyllur zyrtarisht seancën anti-Besëlidhja dhe është gati. Ndonëse me mungesa, Alert Alcani i bën llogaritë me pikë në këtë transfertë. Për të do të jetë një ndeshje vërtetë speciale, pasi rikthehet në shtëpi. Ai është lezhjan dhe nostalgjia bën të veten, e megjithatë si profesionist pret vetëm fitoren nga skuadra e tij. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” ai e thotë qartazi se gabimet janë të ndaluara, ndërsa pret përqendrim maksimal nga minuta e parë e deri në vërshëllimën finale të arbitrit.

alert alcani

“Në këtë ndeshje kam një mungesë. Sulmuesi Rezi mungon për arsye familjare, ndërsa futbollistët e tjerë janë të gjithë të gatshëm.

Besëlidhja ka kualitete brenda grupit, ndaj të mitë duhen të jenë me këmbë në tokë dhe të mos gabojnë. Lojtarët nuk duhet t’i lënë hapësirë kundërshtarit, por ta godasin aty ku mund të gjejnë hapësirë.

Gjithsesi, ne nuk kemi pse merremi me kundërshtarin, por me atë që ne do të bëjmë në fushën e lojës. Mund të kishim një tjetër pozicionim në klasifikim.

Nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të përqendrohemi për të arritur rezultate pozitive e të mos u ndahemi vendeve të para.

Ka nga ato ekipe që hyjnë në fushë për të luajtur bukur, kurse ne duam të bëjmë këtë, por edhe të marrim pikë.

Në Lezhë nuk kemi ardhur vetëm për të marrë një pikë, por për ta fituar ndeshjen. Lojtarët duhen të kenë në çdo sfidë një përqendrim të madh, sepse kundërshtari gjithmonë kërkon të godasë, ndërkohë që edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Ndeshjet do t’i marrim një nga një pasi secila prej tyre ka rëndësinë e vet.

Ky grup lojtarësh ka potencial për të ruajtur vazhdimësinë, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Sot presim dhe mbështetjen e tifozëve tanë, që do të na ndihmonin shumë”.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"