Politika e futbollit të 17-vjeçarëve të Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2018 | 21:07

Politika e futbollit të 17-vjeçarëve të Shqipërisë

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Kështu pra: “A mund të priten ndryshime në pandryshueshmëri?”. E, siç kemi premtuar, po e vazhdojmë me temën tonë II ciklin tonë. Tashmë jo nëse ndërhyri politika në zgjedhjet e FSHF, por duke u përpjekur që të kuptojmë se cilat janë politikat e futbollit që ndjek Federata Shqiptare e Futbollit. Kështu, pak ditë më parë, gazeta “Panorama Sport” ka botuar një shkrim me titullin: “Grekët na bllokojnë talentet, ankohet trajneri i Kombëtares U17”.

Me sa duket, titulli i ka qëndruar besnik deklaratës së trajnerit të Shqipërisë së 17-vjeçarëve, Dzemal Mustedanagic. E them këtë se titulli na shfaqet disi i rëndë dhe absurd. Kësisoji, ngaqë nuk mund të të shkojë nëpër mend se si grekët, pra, Greqia, mund të bllokojë talente shqiptarë. Greqia është shtet tjetër, e kësisoj, nuk mund të ketë fuqi t’ia bllokojë Shqipërisë talentet e saj. Gjithnjë simbas “Panorama Sport” del se trajneri Mustedanagic deklaron fjalë për fjalë këto:

“Një problem të vazhdueshëm e kemi me ekipet greke, specifikisht me Olimpiakosin, ku luajnë tre elementë që premtojnë shumë, por nuk i lejuan të grumbulloheshin këte herë… Nëse edhe tre lojtarët e Olimpiakosit do t’i bashkohen ekipit tonë, mendoj që do të kemi një skuadër shumë të fortë. Bëhet fjalë për një brez të talentuar…”. Bukur vërtet! Mirëpo, teksa gazeta boton dhe listën e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri, na del se prej 23 lojtarëve, vetëm 6 luajnë në Shqipëri. Që do të thotë se 17 prej tyre nuk luajnë në Shqipëri. E për një çast “kënaqesh” tejet, kur vëren se ka futbollistë që vijnë nga Fiorentina, Valencia, Milani e deri te Tottenham e Anglisë! Pa shkuar te PAOK apo AEK të Greqisë.

kombetarja-u17-470x249

Dhe janë pra, plot 17 djem! Duket qartë se asnjeri prej tyre nuk është prodhim i futbollit të Republikës së Shqipërisë. Janë shqiptarë pa dyshim, por janë shqiptarë të cilët nuk i ka rritur e formuar Shqipëria, por shtetet e tjera. Kësisoj, t’i kërkosh llogari Olimpiakosit të Greqisë që nuk t’i jep tre lojtarët e tij të cilët i ka rritur e formuar ai, e madje ta quash këtë një padrejtësi, është krejt papranueshme, për të mos thënë edhe joetike. Në botën e sotme të globalizimit “gjithëtokësor”, për një Olimpiakos grek nuk ka aspak vlerë fakti nëse këta djem janë shqiptarë. Tashmâ ata janë shqiptarë të Greqisë, ashtu siç janë me mijëra të tjerë. Por ajo që ka më tepër rëndësi është se këta djem janë prodhim i futbollit të Greqisë, ashtu siç janë plot edhe 14 të tjerë, të cilët janë prodhim i futbollit të Italisë, Anglisë, apo qoftë dhe Spanjës.

Ka ardhur koha që kjo politikë të marrë fund njëherë e mirë, nëse nuk duam ta shkatërrojmë futbollin e rinisë shqiptare mbrenda tokës së Republikës së Shqipërisë. Nëse nuk duam pra, të shuajmë ëndërrën e të rinjve të Shqipërisë për t’u bërë futbollistë të mirë dhe për të mbërritur deri te skuadrat kombëtare të shtetit të tyre. Nuk e di nëse protesta e klubit Olimpiakos nis e ngjason me protestën e paradokohshme të klubeve apo Federatës së Futbollit të Zvicrës, të cilën e mahnitëm duke vendosur deri dhe kampingje në tokën e saj për t’ia rrëmbyer futbollistët e saj, qoftë dhe të një origjine shqiptare.

Kjo lloj politike e frymëzuar prej FSHF-së apo prej disa “seleksionerëve” kaq “të zotë” të saj, përbën një nga problemet më të mprehta, më frenuese për zhvillimin e futbollit të Republikëss së Shqipërisë. Sigurisht, nuk duhen penguar djem të origjinës shqiptare, të një talenti të madh, që të vijnë e të luajnë me ekipet tona kombëtare. Por që të grumbullosh 17 shqiptarë të shteteve të tjera përballë vetëm 6 të shtetit tënd, është pak të thuash se kemi të bëjmë me një lloj skandali tejet origjinal. Aq më tepër kur është fjala për ekipe 17-vjeçarësh. Natyrisht nuk harrojmë që Shqipëria shkoi në 24-shen e Europës, ku u rendit e 18-ta, duke pasë në Kombëtaren e të rriturve shumicën e lojtarëve shqiptarë të shteteve të tjera. Nuk mund të qortoj, përderisa ajo ia mbërriti suksesit të madh. Po që kjo politikë të bëhet qëllim më vete e të shtrihet në marramendje deri te ekipet e 17 apo 19-vjeçarëve, kjo është e pafalshme dhe tejet dëmtuese për rritjen dhe fuqizimin e futbollit të Republikës së Shqipërisë. Le të kalojmë tash te përfitimi i kësaj Kombëtareje shqiptare të “shteteve të tjera”.

Ja rezultatet e Shqipërisë 17- vjeçare në 7 vitet e fundit të kualifikimeve europiane: 2011: 3 ndeshje, 1 fitore, 1 barazim, 1 humbje, golat 3-3.

2012: 6 2 0 48-10

2013: 3 1 1 12-2

2014: 6 1 0 56-11

2015: 3 0 1 21-8

2016: 3 0 0 31-5

2017: 3 1 0 25-2

Në tërësi bilanci i 7 vjetëve të Shqipërisë së 17-vjeçarëve është ky: 27 ndeshje, 6 fitore, 3 barazime, 18 humbje, golat 26-41. Komentet janë të tepërta. Në thelb kemi të bëjmë me një Kombëtare humbëse e rregullt, madje në katër edicionet e fundit ajo ka vetëm 2 fitore. Sigurisht nuk harrojmë se dy herë, më 2011 dhe 2014, edhe pse përmes vrimës së gjilpërës, Shqipëria e 17-vjeçarëve ka kaluar turin. Çka sigurisht flet edhe për seriozitetin e punës së trajnerit boshnjak. Mirëpo, e shihni se kjo është shumë pak, kur kujton se sot kemi një Europë të 55 shteteve, pa harruar se në atë që u arrit në këto dy herë (“Elite raund”), rezultatet qenë më se humbëse.

shqiperia 18 vjecaret 1982

Dhe përderisa kjo Shqipëri e 17-vjeçarëve në tërësi është humbëse, 18 humbjet e saj përballë vetëm 6 fitoreve në shtatë vjet, mjaftojnë për të hequr dorë nga kjo praktikë tashmë e pafrytshme. Doemos edhe e financimeve disi komprometuese përballë nevojave të pafund për financime të futbollit të të rinjve brenda tokës sonë shqiptare. “Non vale la pena”, siç do të thoshte latini. “Nuk ia vlen barra qiranë”, siç do të thoshte shqiptari. Tjetër problem mandej (çka kërkon një studim prej Federatës Shqiptare të Futbollit që, me sa duket, studimet kësisoj nuk i ka për zanat) kur guxojmë e pyesim: sa prej këtyre lojtarëve kanë arritur në Kombëtaren e parë të Shqipërisë? E vërteta është se, nuk dihet se ku po shkojmë me këtë politikë: Kombëtarja e parë me shumicë absolute me shqiptarë të shteteve të tjera!

Shqipëria NEN 17 me shumicën shqiptarë të shteteve të tjera!

Shqipëria NEN 19 me shumicën shqiptarë të shteteve të tjera!

Shqipëria NEN 21 me shumicën shqiptarë të shteteve të tjera!

Po shqiptarët e Shqipërisë kë do të përfaqësojnë? Mos ndoshta “Kombëtaren” e Arbëreshve të Siçilisë apo të Arbëreshëve të Zarës, siç kam pyetur edhe një herë tjetër?… E mua vetjakisht (personalisht) më ka kapë frika se mos po mbërrijmë që edhe me Kombëtaren e femrave, e cila pa pikë përvoje e fuqizimi po merr pjesë në garat europiane, të ndodhë pra, që edhe ajo t’i braktisë vajzat e Shqipërisë!… Vitin që shkoi më kaloi 35-vjetori (1982) i arritjes më të madhe të Shqipërisë së 18-vjeçarëve kur nën drejtimin e trajnerit të paharrueshëm, Bahri Ishka, ajo u kualifikua për në turneun final të Kampionatit Europian të kësaj moshe. Që do të thotë se hyri midis 16 skuadrave më të mira të Europës për atë sezon.

Të gjithë lojtarët qenë të dalë prej Kampionateve të Shqipërisë. Ju kujtoj vetëm ata, të cilët arritën të veshnin deri dhe fanelën e Kombëtares së parë: Gjergji, Iljadhi, Lekbello, Kushta, Demollari, S.Gega, Shkurti, Josa, Mersini, Zmijani, Ocelli, Dume. Një vit më vonë (1983), plot 7 prej tyre, Kushta,. Demollari, Josa, Mersini, Zmijani, Ocelli, Lekbello, me Shqipërinë e 21- vjeçarëve hynë në tetëshen e Europës! Dhe një vit tjetër më vonë katër prej tyre, Zmijani, Demollari, Josa, Ocelli përbënë shtyllën e Kombëtares sonë të shkëlqyeshme të vitit 1984 (Belgjika, Polonia…).

Sot e kësaj dite na duhet t’i përulemi kujtimit të trajnerit Bahri Ishka, madje profesor i futbollit – se i tillë ishte – për përzgjedhjen historike, të pagabueshme të skuadrës së tij të 18-vjeçarëve – bazament i Kombëtares tonë të pashlyeshme 1984, e cila nën drejtimin e trajnerit të shquar Shyqyri Rreli për pak qe duke shkuar në finalet e Botërorit 1986. Kjo po është punë shkencore e mirëfilltë, madje e markës së pastër shqiptare. (U desh të kalonte më se një dhjetëvjeçar (1993-94) që ky sukses, ndonëse në përmasa më modeste, të përsëritej me 17-vjeçarët e Shqipërisë, tash të drejtuar prej një tjetre figure të madhe të futbollit shqiptar, trajnerit Mexhid Haxhiu, gjithashtu me djem të dalë po prej skuadrave të klubeve të Shqipërisë).

Vërtet, kush na e mbushi mendjen se Shqipëria sot nuk prodhoka më talente të futbollit?… E pra, sa kjo nuk është e vërtetë, po aq është krejt e pamundur. Ajo që është e vërtetë dhe e mundur është kjo tjetra: që ti bën politikë të gabuar për fuqizimin e talenteve tuaja brenda vendit tënd. Dikur, kur shkonim në stadium, thoshim: “Ky lojtar i klubit tonë është i Kombëtares së 19 apo 21- vjeçarëve, ky tjetri është me Kombëtaren e 17-vjeçarëve”. Për fat, sot këto përcaktime për hijeshitë e Kampionateve Kombëtare të Shqipërisë, sa vjen e po shuhen. Çka, përveç të tjerave, cënojnë edhe vlerat e ndikimit publik te të rinjtë, të vetë modeleve të futbollit shqiptar të cilësisë së lartë.

E, kombëtarasit e Shqipërisë së 17-vjeçarëve – dhe jo vetëm – thuajse nuk janë më këtu. Tash nuk na mbetetet gjë tjetër, veçse të presim se çka do të bëjë Kosova e 19- vjeçarëve, e cila thuajse rrufeshëm kaloi turin e saj të Kampionatit Europian 2018, pra arriti ate kualifikim që Shqipëria me këte moshë ka bukur një dhjetëvjeçar që nuk e arrin. Qysh më 2007-08, kur nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Ramadan Shehu, kaloi turin mbasi mposhti Serbinë dhe duke zhvilluar mandej ndeshja tejet dinjitoze përballë Gjermanisë, Kroacisë e Sllovakisë,. Të gjithë lojtarët e tij ishin të klubeve të Republikës së Shqipërisë. Këto ditë e ka fjalën Kosova, pra, e cila do të ndeshet me Portugalinë, Republikën e Irlandës dhe Sllovakinë.

Rasti i parë i një rivaliteti të bukur edhe me historinë e simotrës së saj, Shqipërisë. Për këtë Shqipëri, për të cilën papritmas kemi një lajm “të pakëndshëm”: trajneri i ri i Kombëtares Kosovës u caktua Bernard Challandes nga Zvicra, i cili në ditën e parë të paraqitjes së tij thuajse thërriti pa mëshirë për “t’i rrëmbyer” talentet kosovarë të Zvicrës: “Jo, jo. Ata duhet të luajnë për Kosovën. Ata do t’i thërras këtu. Do të bëj edhe ‘luftë’ që ata të vijnë këtu te ne dhe të luajnë për Kosovën!”. Kështu thërriti trajneri Challandes. Një thirrje që i bën mirë futbollit shqiptar, duke e detyruar t’i kthejë sytë menjëherë te talentet e tij, të cilët si përherë gjenden brenda Republikës së Shqipërisë.

* Për vazhdimësi shih temën e parë të ciklit tonë: I.POLITIKA E FUTBOLLIT DHE “POLITIKA E POLITIKËS”! ( “Panorama Sport”, 23 shkurt 2018)

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"