Politika e futbollit dhe “politika e politikës”!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2018 | 23:07

Politika e futbollit dhe “politika e politikës”!

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

1. Javën që shkoi (11-12 shkurt), në rubrikat televizive, nja katër anëtarë apo kryetarë të saporizgjedhur të FSHF-së mbushën me praninë e tyre ekranet. I kishim mbajtur mbi shpinë para zgjedhjeve gati për natë, deri në mërzi të pafund. Edhe mbas zgjedhjeve prapë ata! Duken që nuk ndihen të fortë. Sepse i forti nuk ka nevojë të vetëreklamohet tash e parë. Megjithatë, iu lumtë! “Turpi” u mbetet televizioneve, pra, gazetarëve, servilizmi i disa prej të cilëve ndaj FSHF-së është bërë shembullor (emblematik).

Nuk po shtyhem të hyj thellë, por do t’iu lutesha kolegëve të mi që të ndjekin disa javë rubrikat e futbollit të dy shteteve më në zë edhe për gazetarinë, Itali e Gjermani. Dhe nëse do të gjejnë ndonjëherë në emisionet e tyre të drejtpërdrejta ndonjë kryetar a anëtar të komiteteve ekzekutive të federatave të tyre të futbollit, me vrap të njoftojnë si për një risi europiane të medias sportive.

E pra, historikisht, në gazetarinë tonë, edhe në kohën e Partisë nuk na ka “sunduar” Federata e Futbollit si sot. Na sundonte Partia, por Federatën e kishim në tehun e kritikës. Jo se e kishim inat, por sepse, përmes kritikave tona, kërkonim t’i jepnin jetë asaj e të luftonim dukuritë e pakëndshme që cenonin zhvillimin e futbollit. Eh, ku kemi mbërritur, vërtet! Anëtarët e kryesisë së Federatës bëjnë madje deri dhe analistin e ndeshjeve, vëzhguesit e delegatët e ndeshjeve moviolistin, punonjës të ministrisë “gazetarin” pa parâ.

E nuk merret vesht se sa u kushtohen punëve në ministri apo detyrimeve e profesioneve të tyre ku punojnë. Sepse dita e shkretë ka vetëm 24 orë për të gjitha. Ende në Shqipëri nuk po ia gjejmë anën temës së madhe, që ka të bëjë se kush dhe si arrin të zërë vend në detyra ministrore. Ithtarët e partive apo shërbyesit e saj, kjo dihet. Po dituria, përvoja, arsimimi, kultura, dijet…? Ka qenë vërtet interesant: në zgjedhjet e FSHF-së pothuajse nuk u përmend aspak ministria përkatëse, e cila madje ka në fjalësin e emërtimit të saj edhe “sportin”.

komiteti e

Në të vërtetë, në pamje të jashtme, ajo s’kishte pse të ndërhynte përderisa federatat sportive janë të pavarura prej saj, ndonëse Ligji i Sportit ua “urdhëron” një varësi, qoftë edhe në prapaskenë. Kjo ngaqë për ta, në njëfarë mënyre, Ministria është Qeveria. E Qeveria është prodhim i Shtetit. E sporti është edhe prodhim i qeverisë, po aq sa dhe i federatave sportive dhe i vetë popullit. Në tërësi, e gjitha kjo është një varësi e ndërsjellë, madje, që po të duash quaje edhe “politikë”. Kësisoj, vetëm sa për të kujtuar përdorimin gjatë kë- tyre ditëve të të ashtuquajturës “ndërhyrje politike” në zgjedhjet e FSHF-së. Kur për hir të së vërtetës, me përjashtim të kandidimit të një funksionari dhe deputeti të partisë në fuqi, mirëfilli nuk pamë diku tjetër një ndërhyrje të politikës.

Edhe pse ndoshta në prapaskenë, një dëshirë e kësaj partie në pushtet për të marrë nën hijen e saj edhe futbollin, pra, drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, mund të ketë ekzistuar. E kushedi…! U zgjata disi me këtë hyrje, por vërshimi televiziv i “mbrojtësve” të Ekzekutivit të FSHF-së menjëherë mbas zgjedhjeve më nxiti edhe më fort për të filluar këtë cikël në vazhdimësi nën mbititullin (okielon) në formë pyetjeje retorike: “A mund të priten ndryshime në pandryshueshmëri?”. Kjo sepse u pa që zgjedhjet në FSHF nuk sollën thuajse asgjë të re në “prodhimin” e tyre.

Me gjithë prirjen për t’i vënë vulën asaj që në thelb nuk ekzistoi: ndërhyrjen e politikës. “Politikës së politikës”, jo politikës së zhvillimit të futbollit kombëtar. Kjo mungoi. Dhe u zgjodhën po ata në këtë të ashtuquajturin Komitet Ekzekutiv të FSHF-së. Me përjashtim të vetëm nja dy anëtarëve të rinj. Sigurisht mund të ndodhë edhe kështu. Nuk ka asgjë të keqe. Tjetër punë mandej, nëse këta që u rizgjodhën përbëjnë mendjet më të ditura, më me përvojë të djeshme e të sotme, pra, njerëzit më me personalitet të mjedisit të sotëm të futbollit kombëtar. Për fat të keq, vështirë që kjo pyetje të marrë plotësisht një përgjigje pozitive.

Bashkësia e futbollit e përfaqësuar nga një asamble duket se vuan nga të meta jo të pakta. Sigurisht, këtu nuk përfshij “të metat” inatçore që subjektivisht erdhën e vazhdojnë të vijnë prej njerëzve, të cilët kohë më parë kanë punuar në FSHF, madje me detyra të rëndësishme drejtuese. E tash marrin rolin e kritikut të pamëshirë, ndonëse kur ishin në FSHF, teksa edhe ata vetë ishin autorë të përbashkët të të metave, nuk bëzanin.

fshf komiteti

2. Ishte krejt i papranueshëm pompoziteti propagandistik që mveshi këto zgjedhje, të cilat për herë të parë në historinë e Shqipërisë sportive morën përmasa gjigante të vetëlavdërimit, të vetëpremtimit, të vetëjustifikimit, të vetëpretendimit.

Të dukej se po përcaktohej fati i Shqipërisë. Kur në të vërtetë u pa qartë se mirëfilli nuk po përcaktohej as fati i futbollit. Këto ishin zgjedhjet e radhës në FSHF, të siguruara, përveç të tjerave, edhe me “masa të forta sigurie”, “policore” apo të “rendit”, siç u njoftua, çka nëse është e vërtetë, përbën një rast unik për gjithë Europën e futbollit. Ndërkaq, duke shkuar te shembuj të jashtë kufijve të Shqipërisë, zgjedhjet shqiptare të futbollit, nuk ngjasojnë, bie fjala, me zgjedhjet e 2015-ës në Argjentinë, mbasi dy pretendentët, Luis Segura dhe Marcelo Tinelli morën nga 38 vota secili.

Kishte lindur puna e një skede më tepër (ishin 75 votues) dhe ndë- rhyrja e politikës qe spektakolare. Ndërhyri qeveria argjentinase, pra, e cila me prepotencë bllokoi votimet e dyta, ato të 30 qershorit 2016. Natyrisht për një shkak krejt “origjinal”: Federata Argjentinase e Futbollit prej muajsh nuk paguante nëpunësit e saj. Përveç një borxhi të pamatë. (Nuk ndodh në Shqipëri, ku prej kohësh Federata e Futbollit të saj konsiderohet një federatë e pasur! Vërtet?). Dhe jo vetëm për këtë, por edhe pse kësaj radhe do të kandidonte edhe njeriu me emrin Hugo Moyano, i cili ishte sekretar i Konfederatës së Përgjithshme të Punës, një lloj politikani “origjinal” edhe ky, por njëkohësisht edhe president i klubit Indipendente. Dhe FIFA që nuk bëzani…!

A kishte ndërhyrje të politikës në zgjedhjet e Federatës Shqiptare? Nga një palë u tha se ndë- rhyri partia në fuqi duke vënë si kandidat për kryetar të FSHF-së një deputet apo sekretar të forumeve të saj. Iu kërkua të hiqte dorë nga deputetësia, por ai hoqi dorë vetëm nga sekretarësia. Humbi. E, ndërkohë, në komitet u zgjodh një deputet i palës tjetër. Ironi e tërë! Në të vërtetë, nuk ka asgjë të keqe që një deputet zgjidhet në kryesinë e një federate futbolli. Mendja ta thotë se një prani e tillë, madje, mund të bëhet një ndërlidhëse e mirë e një bashkëpunimi të frytshëm midis një federate sportive dhe një Parlamenti, qeverie po shteti për shumë punë të bukura të përbashkëta që mund të bëhen për zhvillimin e një sporti kombëtar.

Asambleja1-665x400

A ia ka ânda një partie që të ketë ndikimin e saj në një organizatë sportive? Doemos. Partia në fuqi duket që e deshi fort këtë ndikim. Por, nga ana tjetër, këtë ndikim besoj se e deshi edhe tjetra, e cila madje qe ajo që fitoi me deputetin e saj të zgjedhur në kryesi (KE). E vërteta është se për një- qind arsye nuk ka vend në botë ku politika të mos luftojë për ndikimin e saj, sidomos mbi një federatë futbolli. Hyni në botën e futbollit ndërkombëtar, e çka nuk do të gjeni: deputetë e funksionarë të politikës e të rangjeve të larta të jetës sociale e të biznesit si drejtues federatash sportive e pjesë të lidershipit të tyre. Besoj të gjithë e dinë se ndikimet politike në federatat sportive të të gjithë shteteve të botës, sidomos në ato të futbollit, në kohën e sotme po bëjnë ligjin. Sulmi është shumëdrejtimesh.

Deputetë, partiakë, ministra, republikanë e mbretërorë, autokratë e liridashës janë përherë në sulm. Siç thotë një autor modern i këtyre ideve, “nuk duhet harruar se rruga e sotme e globalizmit e ka bërë futbollin të jetë i barabartë me fenë, naftën, teknologjinë dhe biznesin financiar, pra, një element thelbësor të politikës”. Të gjitha këto, për një çast, të duken fjalë disi “të ngatërruara”. Ndonëse janë krejt të qarta. E rëndësishme është, megjithatë, që politika të mos prekë pavarësinë e vetëveprimit të një federate sportive. Ose, ashtu siç thonë UEFA e FIFA: “Të ndalohet çdo formë propagande politike, ideologjike dhe fetare në federatat e futbollit”. Kjo, po. Kjo është më e rëndësishmja. Por që assesi nuk ndalon deputetin të zgjidhet në drejtimet e futbollit të një vendi. Po të ishte ndryshe, me zgjedhjen e deputetit në fjalë në kryesinë e FSHF-së, UEFA do të kishte thënë diçka.

Mirëpo, fjalët që ajo tha përmes të deleguarit të saj ishin vetëm për urimet e “mrekullisë” së zgjedhjeve të FSHF-së. Madje, me përshëndetje telegramesh prej kreut të UEFAs e të FIFA-s e deri të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Urime festive të papame! Pa shkuar, ndërkaq, te skenat e përqafimeve, puthjeve, urimeve në fund të zgjedhjeve, çka qenë vërtet të rralla! Për të shpërthyer nja 80 orë më vonë sulmi tjetër “festiv”, ai kundër “trukimeve” ende të pavërtetuara të gati nja 50 ndeshjeve prej skuadrës më të mirë shqiptare të gjithë kë- tyre viteve: Skënderbeut të Korçës! Për çka, nëse del e vërtetë, FSHF-ja jonë doemos assesi nuk mund të dalë jashtë përgjegjësisë. Kështu sepse ajo është drejtuesja omnipotente e futbollit shqiptar. Madje, si në asnjë shtet të tjetër të Europës. Ajo ka ndër duart e saj politikat dhe praktikat e zhvillimit të futbollit kombëtar.

Asambleja

Ka ndër duart e saj skuadrat Kombëtare të Shqipërisë. Ka në zotërim të plotë, si askush tjetër në Europë, Kampionatin Kombëtar, madje Kampionatet Kombëtare të të gjitha llojeve. Me të rritur e të rinj. Ajo përcakton strukturat e paprekshme të këtyre kampionateve. Ajo hedh kalendarë ndeshjesh e drejton arbitrat. Ajo përcakton edhe delegatët e vëzhguesit e ndeshjeve, gjithnjë shumica nga një qytet i vetëm (Tirana). E madje, duket se i nxit të dalin nëpër televizione për të përcaktuar fatet e gjykimeve të tyre, me çka edhe për këtë është e vetmja në Europë.

Dhe, guxon e thotë që fajin e kanë televizionet që i thërrasin! Në vend që, për hir të etikës së saj dhe jo vetëm të saj, t’i ndalojë ajo që ata të dalin e të sundojnë fatet e gjyqtarëve në ekranet e TV. Kjo nuk ngjet në asnjë vend tjetër në Europë! FSHF ndërton stadiume (së bashku me UEFA-n e qeverinë shqiptare). Ajo përhap futbollin. Ajo është njëkohësisht edhe Federatë edhe Ligë e futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit për futbollin në Shqipëri është gjithçka. Shumë më tepër se çka ishte gjatë Regjimit. Dhe me të drejtë kërkon që politika të mos ndërhyjë në punët e saj.

3. Ndërkaq, ndodh, bie fjala, që në Rusi president i Federatës së Futbollit të jetë zëvendëskryeministri Vitaly Mutko. E kam njohur në Kongresin e AIPS në Soçi. Kam biseduar nja dy fjalë me të, në rusishten time “të vjetër” dhe për çudi te delegacioni ynë ai u ndal më gjatë, duke më dhënë urimet më të mira për organizimin e shkëlqyer, siç e quajti ai, të Kampionatit Europian të Peshëngritjes që ishte zhvilluar në Tiranë. Mutko është një njohës fort i mirë i sporteve. Ka mbërritur deri në majat e FIFA-s. Edhe pse ishte Ministër i Sporteve të një qeverie, pra, mirëfilli njeri i politikës, madje i përmasave.

duka

Prapë FIFA nuk bë- zani. Mirëpo, kur Mutko në marsin e vitit 2017 deshi të zgjidhej në Komitetin a Këshillin e kreut të FIFA-s, tash për shkak të pozicionit të tij politik, FIFA nuk e lejoi. Mutko vazhdoi rrugën tjetër: fitoi 266 me 142 votat në zgjedhjet për president i Federatës së Futbollit të Rusisë, duke mundur një njeri “puro sangue” të futbollit: Valery Gazzaev-in, trajnerin e mirënjohur rus, të cilin një herë Shqipëria ia mposhti 3- 1 Rusinë e tij. Kësaj radhe FIFA nuk bëzani. Sepse rregullat e saj nuk mund të mbërrijnë deri në ndërhyrjen e politikave të zhvillimit të futbollit të një shteti të pavarun. Madje, FIFA nuk ndërhyn as kur zëvendëskryeministri dhe presidenti i Federatës Ruse të Futbollit, Vitaly Mutko, bëhet kryetar i Komitetit Organizativ të Kupës së Botës 2018. Sepse FIFA e di fort mirë se Mutko, miku i madh i presidentit Putin, së bashku me këtë të fundit, u kanë kushtuar një rëndësi të pamatë politikave të zhvillimit të futbollit të vendit të tyre.

E madje, jo Federata e futbollit, por qeveria e Rusisë ka dhënë 400 milionë dollarë për buxhetin e Kupës së Botës 2018. Ndërsa mbas dështimit të Rusisë në “EURO 2016”, dyshja PutinMutko, ishte nxitësja e parë për t’i vënë kufi të huajve në skuadrat e Rusisë dhe për të marrë masa për të forcuar formimin e futbollistëve të rinj në klubet vendëse. (Vetëm në katër ndeshjet gjysmëfundore të Kupës së Shqipërisë javën që shkoi, pra, në vetëm 8 skuadra kam numëruar 36 futbollistë të huaj. Dhe thuajse të gjithë krejt të zakonshëm apo të nivelit mesatar. Vërtet, si nuk ndërhyn “politika e politikës” kur ajo me kushtetutë ka detyrime ligjore, pra, për zhvillimin e sportit kombëtar për të ndalur këtë hov që mpak talentet e futbollit shqiptar?).

Dihet, Rusia, ndonëse nuk është më komuniste, kohë kur klubet e sportin i subvenciononte shteti, prapë se prapë futbolli i saj është gati krejt në duart e politikës. Prej 36 skuadrave të dy ligave të saj, plot 26 prej tyre mbahen nga qeveritë lokale. Të duket për një çast si puna e bashkive tona që votuan në zgjedhjet e FSHF-së. Nuk mund të bëhen krahasime me bashkitë tona “të mjera”, të të voglës Shqipëri, të cilat ata e dinë se sa vuajnë për të paguar rrogat e futbollistëve. Nëse vërtet arrijnë t’i paguajnë. Ndërkohë Rusia i ka krijuar modelet. Zeniti subvencionohet privatisht nga Gazpromi, Lokomotiva e Moskës nga Hekurudhat e Rusisë. Dinamo e Moskës nga Banca Vip, Spartak i Moskës nga Lukoili e naftës.

Duka dhe Fino pas zgjedhjeve

Ndërkaq, një skuadër të tillë “të re”, tashmâ e mirënjohur në gjithë Europën, si bie fjala, Rubin e Kazanit e Tatarisë, e mban prodhimi i naftës. Kur nga ana tjetër, Terek Grozny i Çeçenisë është ngritur në këmbë fuqishëm falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë prej presidentit të vendit, Ramzan Kadijrov. Dhe lajmi i ditëve të fundit thotë se mû në mes të Kampionatit të Rusisë, skuadra Terek Grozny ndërron emrin në Akhmad (FC Akhmad Grozny) që nuk është gjë tjetër përveçse emri i babait të Ramzan Kadijrov-it, pra, Akhmat Kadijrov, më parë edhe ai president i Çeçenisë i vrarë me atentat në 2004-ën ndërsa zhvillohej një paradë. A janë të gjitha këto ndë- rhyrje të politikës, ndaj të cilave heshtin UEFA dhe FIFA?…

4. FIFA pati pranuar që me Infantinon për president të FIFA-s të kandidonte Presidenti i Federatës Aziatike të Futbollit, Sheiku Salman bin Ibrahim al – Khalifa i Bahreinit, anëtar i familjes mbretërore. Ndoshta ngaqë ai është një politikan i llojit krejt të veçantë: jo një “politikan i politikës”, por një politikan sundues. Fitoi Infantino me 115 vota, kundrejt 88 të Salman. Nuk arrij të kuptoj se ku qëndron etja për pavarësi kaq “origjinale” te drejtimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, që sa herë ka një diçka disi të veçantë, ajo “trembet” prej ndërhyrjes së paqenë të politikës. Siç ndodhi para zgjedhjeve të saj, rreth të cilave më shumë, pra, u fol për “politikën e politikës” (kakofoni?) sesa për politikat e zhvillimit të futbollit.

Si në një histori aspak paralele, them se në Shqipëri, qeveria apo shteti shqiptar i kanë “falë” Federatës Shqiptare të Futbollit një largim spektakolar prej tyre. Ose një lloj lirie “sui generis”, që ka penguar jo pak zhvillimin e futbollit në shumicën e qyteteve e krahinave të Shqipërisë. Kur dihet fort mirë që një Federatë Kombëtare e Futbollit, duam apo s’duam, është vetvetiu edhe një përfaqësim qeveritar apo shtetëror. Merreni me mend për një çast sikur Kombëtares së Shqipërisë shteti t’ia heqë të drejtën e flamurit dhe të himnit. Ose deri tek ajo më “banalja”: që të mos ia çojë policinë për të mbajtur rendin në ndeshjet. Përrallat që duan të thonë se Federata e Futbollit më shumë u varka nga FIFA e UEFA sesa nga shteti a qeveria e vendit të saj, në këtë rast shqiptar, mund të rrêjnë vetëm naivët.

Euforia, përqafimet e pafund që pushtuan sallën e zgjedhjeve të FSHF-së me praninë, qoftë edhe të një zëvendëspresidenti të UEFA-s nga Ukraina me emrin Georgi Surkis, biznesmen dhe politikan (po, po politikan!), që ka mbërritur deri deputet i fuqishëm Partisë Socialdemokrate të Ukrainës në dy legjislatura, me deklaratat e tij më tepër informale sesa formale, edhe këto mund t’ua marrin mendtë vetëm naivëve. Është mjerim shprehja, që prej gazetarisë servile shpërtheu këto ditë, duke thënë se “UEFA i certifikoi këto zgjedhje”.

Po në cilin Nen të Statuteve të UEFA-s apo FIFA-s thuhet se këto dy Federata ndërkombëtare e paskan të ligjshme t’i certifikojnë ata zgjedhjet e një federate të një vendi të pavarur? Natyrisht, një Surkis, i cili vetëm për disa orë që ndenji në Shqipëri, as ka idenë se ç’ndodh në futbollin e brendshëm shqiptar. Ai dhe kolegët e tij mund të kenë vetëm dy “ide”: që Shqipëria arriti suksesin e madh të mbërritjes në turneun fundor të “EURO 2016” dhe se skuadra më e shquar e saj, shumëherë kampionia Skënderbeu, ka trukuar 50 ndeshje. E, ndërsa “ideja” e parë vërtet që është e certifikuar prej saj, për të dytën duhet pritur. Surkis erdhi, pa iku, dhe kaq. Të mençmëve doemos nuk ka arritur t’ua marrë mendtë. Dhe për pak harrova: ai u takua edhe me kryeministrin shqiptar, një takim i panevojshëm, që nuk di nëse duhet quajtur ndë- rhyrje e politikës, madje e politikës evropiane, në çështjet e futbollit shqiptar.

Dhe për në fund: a thua ka ndodhur që ndërsa lidershipi i futbollit italian, mbasi votuesit hodhën me shumicë në kuti fletë votimi të bardha, çka i shkatërroi zgjedhjet për presidentin e saj, duke e lënë Federatën Italiane (FIGC) pa president, ka pyetë ndopak për UEFA-n? Dhe pa i marrë aspak leje UEFA-s apo FIFAs, Italia cakton përkohësisht në rolin e presidentit të Federatës Italiane të Futbollit me titullin e Komisarit të Jashtëzakonshëm të Federatës së Futbollit të Italisë, sekretarin e përgjithshëm të Komitetit Olimpik Italian (CONI), Roberto Fabbricini-n!

Pa i shkuar assesi ndër mend për një certifikim të UEFA-s. Kanë Statutin e tyre, në origjinalitetin e tyre. Statutin, pra, atë që siç kemi propozuar në kohën e duhur, mbasi zgjedhjet e FSHF-së të shtyheshin, të ndërtohej Statuti i ri, të sanksionohej themelimi i Ligës, e mandej të shkohej në zgjedhje. Sepse çdo vend ka rregullat, ligjet e karakteristikat e tij edhe në botën sportive, pra, edhe në atë të futbollit. Dhe është e çuditshme vërtet se si, për shembull, UEFA hesht, edhe pse anëtarja e saj, Shqipëria, është e vetmja në Europë që nuk ka formuar Ligën e saj të Futbollit dhe duket që as ka ndër mend ta formojë.

Se na kaloi një vit zhurmë boshe për këtë formim. Ose të paktën ta shpaloste si politikë urgjente zhvillimi në platformat e zgjedhjeve të fundit. Kështu pra, problemi shqiptar i sportit tonë më popullor është politika e zhvillimit të futbollit kombëtar dhe jo “politika e politikës”. Ose është problemi tjetër, ky i temës sonë të sotme që shtroi pyetjen: “A mund të priten ndryshime në pandryshueshmëri?”. Do ta vazhdojmë edhe më tej ciklin tonë, por tashmë jo nëse ndërhyri politika në zgjedhjet e FSHF-së, por duke u përpjekur që të gjejmë se cilat janë mangësitë e politikës së zhvillimit të futbollit në Shqipëri.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"