“Pogba, hajde të argëtohemi”, Dibala: Mund të luaj shumë mirë edhe pa…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 21:24

“Pogba, hajde të argëtohemi”, Dibala: Mund të luaj shumë mirë edhe pa…

Moment i madh forme për Paulo Dibalën, sërish në qendër të projektit taktik të Juventusit dhe në sintoni me Kristiano Ronaldon (edhe në sfidën e fundit të fituar kundër Parmës 2-1 argjentinasi i dhuroi asistin për golin e dytë portugezit). I intervistuar nga platforma digjitale “OTRO”, numri 10 bardhezi ka folur megjithatë edhe për një tjetër kampion me të cilin ka luajtur në të kaluarën në Torino:

pogba dibala

“Unë dhe Pol Pogba kemi një raport të mirë: kur ai luante këtu, kërkonim vazhdimisht mënyra të reja për të festuar golat. Kemi shënuar shumë, ndaj edhe festimet i ndryshonim shpesh. Shpresoj që një ditë të mund të festojmë sërish së bashku”. Kushedi nëse “Zonja” do arrijë të plotësojë dëshirën e Dibalës.

dibala

DIBALA DHE GATUZO

Të dy së bashku kanë ndarë fanellën bardhezi për një sezon të vetëm, atë 2015- ’16, duke fituar titullin dhe Kupën e Italisë edhe falë 33 golave të shënuar nga dyshja, shpesh të festuar me shumë fantazi, duke nisur nga “dab dance” në modë tri vite më parë e zëvendësuar më pas nga “Dibalamask”. A do të ketë koreografi të tjera? Ndërkohë “Joya” shpreson të qëndrojë gjatë juventin: “Përfaqësimi i këtyre ngjyrave është një ëndërr. Shpresoj të fitoj diçka të rëndësishme edhe në nivel personal në këtë klub”. Një mendim edhe për Gatuzon, kundërshtarin e ardhshëm në kampionat dhe trajnerin e tij te Palermo për disa muaj në sezonin 2013- ’14: “Në Argjentinë ata si ai i quajnë ‘të çmendur’ në kuptimin e mirë. Kam kujtime shumë të bukura: ndoshta nuk ishte gjithmonë i qetë, mbi të gjitha gjatë stërvitjeve, por mënyra e tij e punës ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme”.

dibala

VAR-I DHE PSEUDONIMI 

Lidhur me VAR-in dhe pseudonimin: “Është vështirë, ka shumë mënyra për të interpretuar teknologjinë. Si në favor po ashtu edhe kundër. Personalisht do të luaja shumë mirë edhe pa VAR, mendoj që arbitri duhet të jetë i lirë të menaxhojë ndeshjen vetë pa qenë i kontrolluar nga arbitra të tjerë që nuk janë në fushë sepse mendoj se në mes janë shumë faktorë që ndikojnë në ndeshje dhe nuk mund të kuptohen nga jashtë. Pse më quajnë ‘Joya’? Është pseudonimi që më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës, që kur luaja me Instituto de Kordoba. Një gazetar lokal më quajti kështu dhe disa shokë vazhdojnë akoma”

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"