Plas në Durrës, një amerikan akuzon: Po më prishin karrierën …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2019 | 12:57

Plas në Durrës, një amerikan akuzon: Po më prishin karrierën …

Pas eksperiencës me Teutën, ku ishte ndër lojtarët më të mirë të ekipit dhe të Superligës, këtë edicion basketbollisti amerikan CJ Uillson u transferua në radhët e Goga Basket. Por aventura e tij te kampionët në fuqi të Shqipërisë nuk shkoi ashtu sikurse e priste, madje përfundoi shumë shpejt. 

Uilson basket

Lojtari amerikan prej disa ditësh është kthyer në atdheun e tij. Deri këtu gjithçka është normale, por, me sa duket, nuk është aspak kështu. CJ Uillson përmes një letre drejtuar gazetës “Panorama Sport”, tregon skandalin, që, sipas tij, i ka ndodhur në ekipin e Gogës. Ai shprehet se dy ditë pas ndeshjes ndaj Tiranës, klubi i ka komunikuar nëpërmjet celularit ndërprerjen e kontratës (të kërkuar nga vetë lojtari) dhe se është kërcënuar që të lirojë brenda dy ditëve ambientin ku jetonte.

Një ngjarje që e ka tronditur pa masë lojtarin, duke e vendosur në një pozitë të vështirë në një vend të huaj, e për rrjedhojë ka marrë avionin dhe është kthyer në vendlindjen e tij në SHBA. Por historia nuk mbaron me kaq, pasi Goga Basket i ka komunikuar një gjobë prej afërsisht 5000 eurosh, që sipas lojtarit bie në kundërshtim të plotë me kontratën, që ai ka firmosur e tashmë Uillson nuk merr dot lejen e kalimit, nëse nuk e paguan këtë shumë.

Uillson Goga

Letra e CJ Uillson drejtuar gazetës: “Përshëndetje! Bëhet fjalë për një skandal në basketbollin shqiptar nga ekipi i Goga Basket dhe presidenti i saj Perikli Goga. Unë si lojtar kam luajtur për sezonin 2018-2019 me ekipin e Teutës të qytetit të Durrësit në Superligën Shqiptare, si dhe kemi debutuar edhe në Ligën Ballkanike me një kontratë për 1 sezon, duke e mbyllur me sukses së bashku me detyrimet reciproke.

Këtë sezon në muajin gusht u kontaktova nga Goga Basket për të luajtur me ekipin e tyre për sezonin 2019-2020. Pas kontaktit pranova dhe nënshkrova kontratë për të luajtur në këtë ekip, duke ardhur sërish në Shqipëri, në Durrës. Që ndeshjen e parë dhe deri ndeshjen e fundit me këtë ekip kam dhënë maksimumin në fushë, fakt të cilin e tregojnë edhe statistikat.

Në ndeshjen e fundit që kam luajtur, kundër Tiranës, pas një loje shumë të vështirë, ne fituam në fund me shumë vështirësi me diferencë 4 pikë. Papritur, 2 ditë mbas ndeshjes, me anë të një mesazhi në celular, drejtori sportiv, z. Bekim Abrazhda, më komunikon përfundimin e kontratës dhe largimin nga ekipi për arsye që i kisha kërkuar unë vetë.

Uillson

Po atë ditë nuk më kanë lejuar të futem në ambientet e palestrës së Goga Basket dhe më kanë kërcënuar se nëse brenda 2 ditëve nuk liroj apartamentin ku banoja, do të thërrisnin policinë dhe do të më arrestonin. Unë i trembur dhe sigurisht i çoroditur në një vend të panjohur dhe pa asnjë përkrahje, jam larguar duke e kaluar natën me datë 13 dhe 14 nëntor në një hotel në Durrës. Më datë 15.11.2019 jam detyruar të nisem për në SHBA, pasi mendoja se mos më hapnin probleme të tjera.

Me anë të ‘WhatsApp’ Goga Basket më ka komunikuar një gjobë në vlerën 5000 €, e cila bie në kundërshtim të plotë me kontratën që unë kam firmosur me ta, dhe nëse nuk e paguaj, nuk më japin lejen e kalimit për të luajtur diku tjetër. Në këtë fletë gjobe më kanë futur, si vlerë të gjobës, biletën e ardhjes në Shqipëri, federimin në FSHB, taksat, siguracionin shëndetësor, uniformat dhe një shumë në vlerën 2000 €, me arsyen se kam nuk kam luajtur mirë në ndeshjet e zhvilluara dhe për krijimin e frymës së keqe në ekip.

uILSON55

Të gjitha këto shpenzime bien në kundërshtim me nenin 3 të kontratës, pasi këto shpenzime paguhen nga klubi. Theksoj se të njëjtën ditë me mua janë larguar edhe 2 lojtarë të tjerë, me të njëjtat metoda dhe kërcënime. Me anë të kësaj letre dua të denoncoj një skandal dhe një padrejtësi që më bëhet mua si lojtar (shtetas amerikan), duke më kërcënuar që nëse nuk paguaj këto 5000 €, nuk do të luaj më kurrë basketboll, sepse nuk më japin lejen e kalimit dhe kartonin nga FSHB.

Me anë të kësaj letre ftoj Prokurorinë e Shtetit Shqiptar, policinë, FSHB dhe Ambasadën Amerikane të hetojnë dhe të shkojnë në ambientet e Goga Basket, pasi nga ana ime nuk ka asnjë dokument, shkresë, mesazh apo veprime që të kenë cenuar ekipin e tyre. Përkundrazi ato më kërcënojnë dhe po shkatërrojnë karrierën time si sportist, duke më mbajtur peng lejen time për të luajtur basketboll. Bashkëngjitur po ju dërgoj të gjitha dokumentet përkatëse dhe kontratën time. Ju faleminderit”, shkruhet në letrën e amerikanit.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"