Plan për zhbllokimin e merkatos, Tirana pret dy sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2024 | 19:57

Plan për zhbllokimin e merkatos, Tirana pret dy sulmues

Tirana mendon që të hapë merkaton dhe të afrojë të paktën dy lojtarë. Ky është qëllimi i bardhebluve në këtë fundjanari. Nënkampionët e Shqipërisë kanë shitur dy lojtarë, duke përfituar 400 mijë euro, por e kanë merkaton të bllokuar, për shkak të dy lojtarëve që janë ankuar në FIFA si dhe dy lojtarëve të tjerë në FSHF.

TIRANA

Shuma e përbashkët që duhet për të hapur merkaton shkon në 200 mijë euro. Gjithsesi, plani është që me lojtarët që kanë bllokuar lëvizjen, të bëhet marrëveshja dhe Tirana të regjistrojë futbollistë të rinj. Plani është që të regjistrohen të paktën dy të tillë, në repartin e sulmit. Bardheblutë ende nuk kanë afruar asnjë lojtar në këtë merkato dimri, për shkak të bllokimit të merkatos. Emrat janë Mustafa Ba dhe ndonjë lojtar tjetër nga merkatoja e huaj. Drejtuesit e klubit mitrovicas kanë arritur marrëveshjen me drejtuesit e Tiranës për transferimin e 25-vjeçarit. Marrëveshja në parim është arritur me ish-kampionët e Tiranës që do paguajnë plot 100 mijë euro për transferimin e Mustafa Basë dhe gjithashtu do të lënë përqindje në rast të shitjes së ardhshme.

LARGIMET – Tre lojtarë i janë larguar Tiranës. Florent Hasani, Hila dhe Kaina së bashku kishin shënuar 16 gola, ose rreth gjysmën e golave të realizuar në dy fazat e para të kampionatit. Pak a shumë Tirana ka ndryshuar të gjithë repartin ofensiv. Dy të ikurit e parë nga bardheblutë ishin Hasani dhe Hila. Rapidi i Bukureshtit zyrtarizoi para vitit të ri blerjen e sulmuesit të Tiranës, Florent Hasani. Klubi Tirana përfitoi nga ky transferim 300 mijë euro neto. Gjithashtu bardheblutë kanë mbajtur edhe 10% të kartonit, në rast shitjeje të lojtarit që ikën në janar nga Shqipëria. Para disa ditësh u largua nga skuadra edhe Ardit Hila. Për Kainën kanë marrë 78 mijë euro.

SULMI – Pas largimit të Kainës katër sulmues do të luftojnë ashpër për të qenë titullarë. Skuadra ka në sulm Abazajn, Latifin, Haxhiun dhe Patrikun. Ndërkohë që veç sulmit që shënon 34 gola, Tirana duhet të riparojë pësimin e golave. Ka marrë 28 gola si asnjëherë tjetër në 20 javë. Ahmataj ka punën më të vështirë, përveçse të çojë sulmuesit te goli, të riparojë prapavijën, pasi ky është qetësimi kryesor i Tiranës në këtë moment.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"