Pistorius 5 vite burg , familjarët e Stenkamp të kënaqur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2014 | 10:27

Pistorius 5 vite burg , familjarët e Stenkamp të kënaqur

PistourisIsh-kampioni paraolimpik, Oskar Pistorius, është dënuar me pesë vite burg për vrasjen e të dashurës së tij Reva Stenkamp, më 14 shkurt të 2013-s. Ky ishte vendimi i marrë nga gjyqtarja Tokozile Masipa në seancën e djeshme gjyqësore ndaj ish-kampionit të Afrikës së Jugut, tashmë i shpallur fajtor. Prokuroria, nëpërmjet prokurorit Xheri Nel, kishte kërkuar një dënim prej së paku dhjetë vjet burgim, ndërsa avokati i Pistorius, Berri Ruks, kishte kërkuar për klientin e tij shërbim në komunitet dhe arrest shtëpie. Gjithashtu Pistorius u lirua nga akuza për 3 vite burg për armëmbajtje. Verdikti i dhënë nga gjykata u mirëprit nga familjarët e viktimës Stenkamp: “Po, jemi të shumë të lumtur dhe të kënaqur”, tha babai i topmodeles së vrarë mbrëmjen e Ditës së Dashuruarve. Në rast të sjelljes së mirë të Pistoriu në qeli gjatë 10 muajve të parë në burg, ai mund ta vuajë dënimin për vitet e mbetura në arrest shtëpie. Ndërkohë Prokuroria e Pretoria do të vlerësojë nëse do ta apelojë apo jo vendimin e marrë nga gjykata. “Ne jemi vërtet të zhgënjyer, – tha zëdhënësi Nati Menkub. – Megjithatë nuk kemi vendosur ende nëse do ta apelojmë vendimin. Kemi 14 ditë për të shqyrtuar ligjin dhe duam të jemi të sigurt nëse faktet dhe ligji do të na lejojë për ta apeluar”. Oskar Pistorius u dërgua në një qeli të Gjykatës së Lartë të Gautengut të Veriut, në pritje për t’u transferuar në burg. Sipas BBC-së, paraolimpisti do ta vuajë dënimin në burgun e Kgosi Mampuru II të Pretorias. Pas vendimit, Komiteti Paraolimpik Ndërkombëtar (IPC) deklaroi se sprinteri nuk do të marrë pjesë në “Rio 2016”, si dhe në të gjitha eventet përgjatë kohës së dënimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"