Pikantet nga Korabi-Skënderbeu, Daja e Plaku ngatërrojnë pankinën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2017 | 9:46

Pikantet nga Korabi-Skënderbeu, Daja e Plaku ngatërrojnë pankinën

– Ekipi i Skënderbeut mbërriti i pari në stadium, ndërsa tekniku Daja preferoi të qëndronte jashtë stadiumit duke konsumuar një cigare. Në këtë moment, mbërrin ekipi i Korabit dhe tekniku i korçarëve nuk ngurroi të takonte disa prej lojtarëve që edhe i njihte.

daja hoxhaj

– Në çastin kur po fillonte loja, Ilir Daja del nga dhomat e zhveshjes dhe drejtohet për nga pankina e Korabit. Në momentin e fundit kupton që ishte ngatërruar dhe shkon te pankina e korçarëve. Të njëjtën gjë bën edhe Sebino Plaku pas zëvendësimit, ku u nis për te pankina dibrane.

– Mbrojtësi i Korabit, Arian Sheta, ndryshe nga pjesa tjetër e ekipit, nuk kishte një fanellë me emrin e tij mbi supe. Por, kishte veshur atë me numër 2 që, me shumë gjasa, e ka pasur mbrojtësi Dukiç. Në këtë rast ishte gjetur “zgjidhja” duke i vënë një shirit të bardhë për ta mbuluar.

– Ilir Daja, vetëm pak minuta pasi starton loja, nxjerr menjëherë në nxehmje tre lojtarë. Spikati tek ata bomberi shkodran Hamdi Salihi, i cili u fut në pjesën e dytë edhe realizoi penalltinë që u dha tri pikët korçarëve.

– Tekniku i dibranëve, Gerd Haxhiu, në dy raste kur nuk u dha rivënie anësore për skuadrën e tij, protestoi ashpër te gjyqtari.

– Në minutën e 27-të, dy futbollistë të Skënderbeut përplasen me kokë midis tyre dhe kryesori ndal menjëherë lojën. Portieri Vujadinoviç përfitoi nga rasti për t’i bërë një masazh kofshës, i cili u afrua për te masazhatori i ekipit.

– Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, si gjithnjë, nuk hoqi dorë nga konsumimi i një puroje gjatë zhvillimit të ndeshjes.

– Në minutën e 33-të shkaktohet faull në mesfushë ndaj një lojtari të Skënderbeut, Kola lë avantazhin fillimisht, por kur Orelesi po i drejtohej portës akordon faull në favor të korçarëve. Këtë moment tekniku Daja dhe e gjithë pankina korçare kërkon llogari pse nuk la avantazhin.

– Daja e pa të gjithë ndeshjen në këmbë dhe nën shi, por kishte marrë “masa” me një xhup me kapuç. Ndërsa Gerd Haxhiu ishte paraqitur serioz dhe fillimisht qëndroi në pankinë nga shiu i dendur. Megjithatë, një pjesë të madhe të lojës e pa nën shi, ku hoqi edhe xhaketën. Në fund të ndeshjes kishte ndërruar veshjen, pasi në konferencën për shtyp u paraqit me kostum sportiv.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"