PIKANTET E ERZENI-PARTIZANI/ Skuka bëhet ultras dhe shpërndan fanellat e shokëve, Cara i bën “faull” anësorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2024 | 23:26

PIKANTET E ERZENI-PARTIZANI/ Skuka bëhet ultras dhe shpërndan fanellat e shokëve, Cara i bën “faull” anësorit

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes Erzeni-Partizani, e luajtur në Rrogozhinë dhe e mbyllur 0-4.

partizani

* Në minutën e 28-të, Erzeni luajti për 1 minutë me një lojtar më pak, pasi Bekim Maliqit iu desh të ndërronte takat. Mbrojtësi humbi shpesh herë ekuilibrin gjatë atyre minutave dhe iu desh të mbathte taka me maka më të gjata.

* Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, u pa i kënaqur pas përfundimit të pjesës së parë duke e ndarë gëzimin e tij me telefonata me miqtë e tij.

* Kapiteni Alban Hoxha, pasi i mohoi një gol të sigurt Mihanës në minutën e 36-të u pa i irrituar me shokët e skuadrës, duke kritikuar dy lojtarët e qendrës së mbrojtjes, Sotën dhe Prekën.

* Alfred Deliallisi gati sa nuk futej në fushë kur skuadra e tij nuk arrinte të konkretizonte mundësitë që kishte drejt portës së të kuqve. Shpeshherë mori vërejtje nga arbitri i katërt, Sokol Bebja.

* Tifozët e Erzenit shpërthyen në ofendime drejt gjyqtarit kryesor, Kreshnik Barjamaj, në momentin kur ky i fundit vërshëlleu për mbylljen e pjesës së parë. Më së shumti i acaroi penalltia e dhënë kundër tyre, megjithëse vendimi qëndron.

* Lojtarët e Partizanit shkuan ta ndajnë me tifogrupin “Guerrils” fitoren në fundin e sfidës, duke i duartrokitur këta të fundit për mbështetjen.

* Sulmuesit të Partizanit, Xhuliano Skuka, i cili nuk luajti kundër Erzenit, i kërkuan fanellën tifozët në shkallët e stadiumit. Ky i fundit nuk kishte fanellën e tij dhe u detyrua t’ia merrte Hadrojit për t’ia dhënë një prej fansave të kuq. Sulmuesi i të kuqve nuk ishte i gatshëm as për këtë ndeshje dhe nuk preferoi ta ndiqte ndeshjen në sektorin “VIP”, por u vendos në tribunën ku ishin pozicionuar ultrasit e Partizanit. Nuk munguan as postimet e tij në rrjetet sociale.

* Tedi Cara rrëshqet në limitet anësore në fushës dhe i bën”faull” gjyqtarit Feliks Kolleshi, i cili i mbijeton si duhet ndërhyrjes dhe nuk rrëzohet. Vetë kavajasi gërvishtet në terrenin plastik anës fushës.

* Paulo Buxhelaj është lojtari i radhës, që shfaq probleme muskulorë te Partizani. Mbrojtësi kërkoi ndërrim në pjesën e dytë dhe u desh që Atanaskoski të sakrifikonte, pasi gjatë ditëve para ndeshjes ka qenë me temperaturë. Jo në gjendjen e duhur fizike.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"