PIKANTE| Partizani-Vllaznia/ “O Hamit, ti je për Milan-Atalanta”, Alban Hoxhës i ofrojnë kafe nga tribuna

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2020 | 14:30

PIKANTE| Partizani-Vllaznia/ “O Hamit, ti je për Milan-Atalanta”, Alban Hoxhës i ofrojnë kafe nga tribuna

-Partizani-Vllaznia u luajt në “Air Albania” dhe nga vetë pjesëmarrja në tribuna rezultonte se ky takim ishte më i rëndësishëm për shkodranët, që ishin më të shumtë në stadium. I pranishëm ishte edhe ish-kapiteni i Kombëtares dhe ish-trajner i Vllaznisë, Rudi Vata. Ndërsa tribuna “VIP” e Partizanit ka disa ndeshje që është e vakët.Partizani

-Partizani pati më shumë lojtarë në tribunë sesa në stol, ku nga ata që ishin në protokoll, nuk luajtën vetëm dy portierët, Aldo Teqja dhe Livjo Malaj. Ndërsa, Bitri i pezulluar nga kartonët, Braun, Kote, Boldor, Hakaj, Bilali dhe Lukas e ndoqën ndeshjen nga tribuna.

-Që në sekondat e para fusha e stadiumit shfaqi probleme, ku një plis i madh u ngrit krahun e djathtë të sulmit të Partizanit. U desh ndërhyrja e një punëtori të fushës për të riparuar problemin.

-Minuta e gjashtë. Ka tension në tribuna. Shkodranët nuk po e duronin personin që po inkurajonte me zë të lartë futbollistin e Partizanit. Por pas ndërhyrjes së zyrtarëve të të dyja klubeve acarimi u shua shpejt.

-Gjatë ndeshjes gjyqtari Hamiti u dha dy herë mundësi futbollistëve që të pinin ujë dhe të freskoheshin. Ndërprerja e parë ndodhi pas shënimit të golit të parë në minutën e 21-të, ndërsa e dyta në minutën e 67-të.

-Minuta 32. Ritmi i lojës kishte rënë shumë dhe portieri Hoxha u pa të bënte disa ushtrime shkrythëse në fushë. Në këtë kohë personi që mbështet ekipin me zë të lartë dëgjohet tek i drejtohet kapitenit: “O Alban, a e do një kafe?” Portieri si me të qeshur me kokë i bën shenjë pranuese.

-Po ky person pak më vonë dëgjohet duke thumbuar gjyqtarin lezhjan: “O Hamit, nuk je për këtë ndeshje ti. Ti je për finale si Milan-Atalanta”.

-Minuta 70. Anësori Rexha akordon gabimisht një rivënie anësore për Vllazninë, por vendimi riparohet nga gjyqtari i katërt dhe kryesori. Në këtë moment nga sektori i mbështetësve të Partizanit në stadium dëgjohet thirrja për anësorin: “E ke si forcë zakoni o Denis, je mësuar vetëm me dhënë kundër Partizanit”.

-Pas minutës së 80-të kemi një duel të zgajtur në fushë mes Adilit dhe Melos duke marrë hak ndaj njëri-tjetrit me ndërhyrje të gabuara. Për të evituar daljen me karton të kuq, të dy lojtarët u zëvendësuan menjëherë nga stafet teknike.

-Gjyqtari Hamiti e ndëshkoi me karton të verdhë trajnerin Kalari, i cili po protestonte për një vendim të dhënë gabim nga xhaketat e zeza. Gjithsesi, acarimi ishte momental, pasi në fund të ndeshjes të dy u panë duke i dhënë dorën njëri-tjetrit ku nuk munguan edhe përqafimet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"