PIKANTE/ “O Teqje, hajde në mbrojtje o djal”, Stojku e Qarri mbledhje në pushim. Gjicin e “ngujon”… era

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2019 | 22:48

PIKANTE/ “O Teqje, hajde në mbrojtje o djal”, Stojku e Qarri mbledhje në pushim. Gjicin e “ngujon”… era

Kukësi dhe Kamza luajtën dje sfidën e javës së 23-të në “Elbasan Arena”, dhe Panorama Sport ju sjell momentet më pikante të sfidës.

kukesi kamza

Sfida e djeshme u luajt në një mot të ftohtë dhe erë të fortë. Kjo gjë detyroi Safet Gjicin ta shihte ndeshjen jo në tribunën VIP, por në një nga ambientet e brendshme të “Elbasan Arenës”. Këtij të ftohti nuk i shpëtuan as stjuartët, që mundoheshin të bënin nxehmje për t’u ngrohur disi.

safet gjici

– Edhe pse hyrja ishte e lirë dhe pa pagesë, është diçka normale që kur luan Kukësi numri i tifozëve të jetë me pikatore. Afërsisht 150 tifozë ishin të pranishëm në shkallët e stadiumit.

– Në mungesë të kapitenit Ylli Shameti dhe zëvendësit të tij, Ardian Cuculi (të skualifikuar prej të verdhëve), dje shiriti kaloi në duart e Simon Rrumbullakut, i cili ishte lojtari më i vjetër në fushë.

– Mungesat janë kthyer në makth për Armando Cungun, aq sa dje u detyrua që në stol të kishte vetëm 5 lojtarë. Pasi i kreu tri zëvendësimet, të vetmit që mbetën në pankinë ishin portieri Gomis dhe mbrojtësi Maliqi.

– Qaqi, Teqja dhe Plaku u përballën me të shkuarën dje. kujtojmë që i pari deri para merkatos së janarit luante te Kukësi, ndërsa të njëjtin fat kishte edhe i dyti në kampin tjetër. Edhe kapiteni i Kamzës ka luajtur me verilindorët në Europë.

– Në të 33-ën ka debat mes Limajt dhe Mehmetit, megjithatë gjithçka mbyllet shpejt. Pa kaluar shumë sekonda, tensioni zhvendoset te Shala dhe Çyrbja, kur ky i fundit e kalon edhe masën duke shtyrë mbrojtësin e Kamzës me duar. Për këtë shkak ndëshkohet.

– Vasil Shkurtaj krijoi panik në të 36-ën, ndërsa shfaqi probleme në dorën e djathtë. E megjithatë, pas mori mjekimin e nevojshëm, për dy minuta u rifut në fushë.

– Gentian Stojku tërbohet me Niko Zisin në përfundim të pjesës së parë, pasi nuk pasoi një top për shokët, duke humbur një rast të artë për skuadrën e tij.

– Në të 66-ën Armando Cungu i tërheq vëmendjen Olsi Teqjes, i cili ishte zhvendosur në sulm. “O Teqje, hajde o djal”, duke i kujtuar që duhet të kthehej në mbrojtje.

– Kur skuadrat hynë në dhomat e zhveshjes, tekniku i Kamzës, Gentian Stojku, qëndroi për afro 10 minuta me një pjesëtar të tij të stafit në pankinë. U panë të dy teksa diskutonin, edhe me gjeste, me sa duket për gabimet që bëri skuadra gjatë pjesës së parë. Me ta u afrua edhe presidenti Naim Qarri, për të kuptuar çfarë po ndodhte. Më pas, hynë në dhomat e zhveshjes për të dhënë udhëzimet.

– Nuk mori dot pikë në këtë debutim Gentian Stojku në Superiore, por nuk “debutoi” as për median. Në fund të ndeshjes, elbasanasi iu përgjigj interesimit të medias për prononcimin pas ndeshjes, por tha që nuk i lejohej, ndaj nuk fliste dot. Ndoshta, mungesa e licencës “UEFA Pro” për të qenë trajner në Superiore e ka privuar nga kjo e drejtë. Gjithsesi, duke qenë se gjatë gjithë ndeshjes dha udhëzime për të tijtë, zëri i ishte ngjirur thuajse plotësisht.

L.Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"