PIKANTE| Luftëtari-Tirana/ Osmani e Fili polemika me tifozët, Demo nxjerr shpatullën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2019 | 22:13

PIKANTE| Luftëtari-Tirana/ Osmani e Fili polemika me tifozët, Demo nxjerr shpatullën

Në orën 12 e 30 minuta të parët që shkelin tapetin e stadiumit “Gjirokastra” ishin lojtarët e Tiranës. Pak minuta më vonë nuk munguan edhe bluzinjtë, të ndarë mes titullarëve dhe pjesës së rezervave.

tirana luftetari

Në tribunën VIP, dy presidentët Halilaj dhe Halili, Klodian Duro, Devi Muka, Artur Dadaj, Artan Lazaj e të tjerë. Kontroll të imët ushtruan anësorët e sfidës në portat e stadiumit “Gjirokastra”, me qëllim evidentimin e gjendjes së rrjetave të katërkëndorëve.

Në momentin e stërvitjes para takimit, Ilion Likës iu desh të gjente gjuhën e komunikimit me tifozët bardheblu për të rikthyer topin në fushë në momentin e goditjeve standarde nga të tijtë.

tirona fanatics

“O gjysh, lëri vendin një të riu dhe mos i ha hakun një lojtari të ri!” Kështu tha një nga tifozët bluzi në një nga momentet e para të ndeshjes kur Vangjeli rrëshqet. “Doli një pensionist dhe hyri një tjetër”. Është minuta e zëvendësimit të Osmanit me Muçën.

Për pak minuta nuk mungoi nga “Fanatics”-at e Tiranës banderola me mbishkrimin “Prehu në paqe Renis”, dedikuar 14-vjeçarit, tifozit të Partizanit që humbi jetën pas një aksidenti të rëndë. Një tjetër grupim “#31” është shfaqur në stadium, duke mbështetur ekipin e Tiranës. Ahmataj për asnjë çast s’u ul në stol, teksa herë pas here u imponohej të tijve. “Luaje Hoxhallar topin mos e tepro”; “Të presin shokët në sulm”.

julian ahmataj

Në pushimin mes dy pjesëve ka kohë edhe për të dëgjuar tifozët vendës, teksa thonë: “O Hasan luaj për Vllazninë, ç’do ti që luan për këta të mbaruarit”. Fili në minutën e 57-të u drejtohet të tijve: “Ngjituni lart, nuk kemi ç’të humbasim”.

Në minutën e 66-të një nga specialët e tribunës VIP i drejtohet Vangjelit (Kristit): “Bëni golin e tretë”. Kur i riu Muçi futet në lojë si zëvendësues në vend të Grent Halilit, Ahmataj përqafon të birin e presidentit për të dëgjuar nga pas krahëve zërin e një prej tifozëve. “Puthe o Juli djalin e presidentit se ai të jep lekët”.

Në fund të ndeshjes, tifozët bluzinj duket se kanë mbetur të pakënaqur nga loja e lojtarëve të Luftëtarit, teksa kanë lëshuar thirrje: “Hiqeni fanellën e Luftëtarit se nuk e meritoni”. Ka pasur debat mes disa lojtarëve ku kryesonte Fili dhe tifozëve, por incidenti është mbyllur shumë shpejt. Megjithatë, në fund fotot me lojtarë si Fili, Demo e ndonjë tjetër s’kanë munguar në dalje të stadiumit “Gjirokastra” nga adhuruesit e tyre.

Aurel Demo doli nga fusha e lojës pas një dëmtimi jo të lehtë në minutën e 72-të. Në fund Demo ka dalë i fashuar në krahun e djathtë, pas nxjerrjes së shpatullës së djathtë.

Një përplasje në distancë ka ndodhur me një nga tifozët e Luftëtarit me mbrojtësin Tefik Osmani. “O Osman, mundni Partizanin. Mbaj Solomonin, po je mbrojtës dhe jo fëmijët tanë”.

Në fund ka ndarje me shtrëngim duarsh mes lojtarëve të dy skuadrave dhe stafeve respektive.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"