Pesë të rinj tek ekipi i parë i Flamurtarit, Idrizi nuk heq dorë nga pezullimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2023 | 11:22

Pesë të rinj tek ekipi i parë i Flamurtarit, Idrizi nuk heq dorë nga pezullimet

Flamurtari paralajmëron pezullime të tjera. Administratori Sinan Idrizi, për “Panorama Sport”, shprehet se disa nga të huajt dhe “jabanxhinjtë” kanë dalë jashtë pritshmërive. Qartëson se nuk do të ndërpresë kontrata, por u kujton stolin dhe tribunën. “Sytë” tashmë do të kthehen nga akademia.

SINAN IDRIZI

“Ata që nuk i përgjigjen ritmit tonë, do të shikojnë ndeshjet nga stoli ose jo… Pjesa më e madhe e këtyre që kanë ardhur duhet të kuptojnë që qyteti ka pritshmëri të madhe. Unë nuk pres dot më. Në politikën e klubit nuk kam histori ‘me të huaj apo me shqiptarë’.

Për mua janë ose jo profesionistë. Kam parë disa djem vjet të akademisë. Kujtoj atë finalen e vjetshme me Korabin, kur nuk u ngjitëm dot. Kishim lojtarë njësoj të paguar si këta të sotmit, por golin e bëri djali i akademisë sonë. Kam kërkuar që këtyre t’u jepet një shans më i madh. Po shikoj se një pjesë e të huajve që kanë ardhur në Vlorë nuk kanë pritshmërinë që ne prisnim.

Këtu nuk bëhet fjalë për një ndeshje të radhës, por humbja është përgjegjësia e të gjithëve ne, e stafit, lojtarëve. Ne nuk luajmë në kushte të barabarta, kjo dihet. Një humbje në fushë, mua nuk më hidhëron. Mua më krijon problem një humbje skematike, e konturuar nga të tjerët jashtë fushe, që fatkeqësisht te Flamurtari janë shtuar shumë”, shprehet Idrizi.

PRAPASKENA – Tre lojtarët e pezulluar në Vlorë mund të përfundojnë tek ekipi i të rinjve për stërvitje. Klubi po mendon se Elvi Berisha, Mateos Indios dhe Aleksa Mrdja t’i dërgojë te skuadra U-19. Gazeta sidoqoftë mëson se ka edhe zyrtarë të klubit që e kundërshtojnë këtë masë. I pyetur për këtë rast, administratori konfirmon se vijon që të jenë në fuqi edhe për disa kohë: “Unë pres që ata të reflektojnë dhe të tregohen profesionistë e të rikthehen sa më shpejt me skuadrën. Por duhet që ta meritojnë. Ne nuk do të prishim kontratën me ata”.

AKADEMIA – Sinan Idrizi i ka kërkuar drejtorit Alfred Ferko dhe trajnerit të skuadrës U-19, Fjodor Xhafa, që të evidentojnë sa më shumë elementë nga akademia.

flamurtari Janë afruar tashmë tek ekipi i parë pesë lojtarë nga të rinjtë. Bëhet fjalë për mesfushorin Arlind Leshi, sulmuesin Erik Kondaj, qendërmbrojtësi Klevis Haxhiraj dhe mbrojtësi i djathtë Daniel Bregova. Të katërt këta janë të datëlindjes 2005. Grupit i është bashkangjitur edhe portieri Bruno Qarri i vitlindjes 2006.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"