Pesë javë pa fitore, Erzeni pret zhbllokimin e Nonatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2023 | 22:00

Pesë javë pa fitore, Erzeni pret zhbllokimin e Nonatos

Erzeni mbledh të gjitha fuqitë për dy sfidat që e presin në shtëpinë e tyre. Pika e marrë në Ballsh, pas atij barazimi të ardhur me penallti në minutën e 86-të nga Amir Kahrimanoviç, duket se i ka dhënë frymëmarrje Erzenit edhe për faktin që si kundërshtar direkt nuk lejoi Bylisin t’i afrohej në renditje.

Nonato2

Edhe pse është ekipi me më pak humbje në kampionat deri tani, me vetëm me pesë të tilla, Erzeni pozicionohet në mesin e tabelës, ku ekipet e fundit janë afruar ndjeshëm dhe kampionati është bërë shumë më i fortë për cilindo ekip dhe statistikisht më i balancuari ndër vite. Në sfidën e radhës shijakasit përplasin forcat ndaj Egnatias nesër në orën 16:00 në Durrës, një ekip me të cilin ka ndarë vetëm dy barazime në ndeshjet e para.

Erzenit i mungon fitorja prej javësh dhe pret “një mundësi lulëzimi” tani në pranverë së bashku me sulmuesin kryesor Nonato që nuk po e gjen dot rrugën e rrjetës. Në ndihmë të ekipit vijnë disa lojtarë kryesorë si Ademi që mungoi për shkak kartonësh, por edhe Kadriu, Krasniqi e Sadiki. Lojtarë këta që kanë qenë boshti i ekipit këtë edicion në rezultatet pozitive dhe mungesa e tyre për shkak dëmtimesh u ndie goxha ndeshjet e fundit.

Një lajm i mirë tjetër vjen dhe për Adnard Mehmetin, i cili u largua me ambulancë nga fusha e lojës pas asaj përplasjeje kokë më kokë në ndeshjen e fundit në Ballsh. Lojtarit në fjalë iu dha ndihma e parë në spitalin e Ballshit dhe tashmë ndodhet në gjendje optimale. I gjithi fokusi është te ndeshja e së premtes dhe tifozët po bëhen gati për organizimin e radhës. Nga ana tjetër Kapllani ka të gjithë javën në dispozicion për të bërë kalkulimet e tij taktike për të mundur Egnatian.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"