Përgatitjet për Pogradecin, Lika mund të kursehet. Ngoo ende në Tiranë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2018 | 21:28

Përgatitjet për Pogradecin, Lika mund të kursehet. Ngoo ende në Tiranë

Tirana ka vazhduar përgatitjet me ritëm të lartë edhe dje. Orari kishte ndryshuar, pasi këtë herë iu përshtatën ndeshjes. Duke qenë se me Pogradecin do të luajnë në orën 14:00, edhe seancën e parafundit e kryen në të njëjta kushte klimatike. Grupi vazhdon të jetë i cunguar, ashtu si në javët e fundit. Majkëll Ngoo vazhdon fazën rikuperuese në kryeqytet dhe duke qenë se ndërhyrjen në gju e ka bërë me qepje, rrjedhimisht edhe koha e rikthimit do të jetë më e gjatë.

tiranaaa

Sulmuesi do të qëndrojë këto muaj në Shqipëri dhe vetëm në fund të majit mund të flasë për rinovimin dhe më pas të niset për në Angli. Ndryshe paraqitet situata me “rebelin” Junus Sentamu. Vazhdon të kujtohet me ndonjë foto në rrjetet sociale duke dëshmuar lidhjen e fortë me ngjyrat bardheblu, por ende nuk dihet kur do të kthehet ose më e keqja a do të kthehet?! Sigurisht që flasim për këtë sezon, pasi me kontratën që ka është i detyruar që të kthehet. Por frika vjen prej precedentit Moise, i cili u “arratis” për të mos u kthye më, përtej marrëveshjes që e mbante të lidhur me grupin.

Pezull mbeten dy afrikanët e ardhur në dimër dhe që u cilësuan nga Ze Maria si lojtarët që do të bënin diferencën. Muguna ka përsëritur problemin muskulor, duke pësuar një tjetër zgjatim, megjithatë vetëm kur të marrë përgjigjet e rezonancës do të vendoset për të. Me Musën që ka dalë jashtë planeve për 11-shen, edhe stërvitjet i ka rralluar. Nuk është i dëmtuar, megjithatë po e bën pushim. Këtë javë mungon Dorian Kërçiku prej të verdhëve, por trajneri është i qetë, pasi riaftësimi i Albi Dokës erdhi në kohën e duhur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"