“Për 4-5 minuta humba vetëdijen”, iu desh të ndërronte tri spitale në pak orë, portieri i Bylisit: U përmenda në ambulancë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 14:32

“Për 4-5 minuta humba vetëdijen”, iu desh të ndërronte tri spitale në pak orë, portieri i Bylisit: U përmenda në ambulancë

Bylisi përjetoi stres në Peqin dhe jo prej humbjes dhe as golave të pësuar, por prej portierit. Alban Miftari u dëmtua rëndë në fytyrë në fund të pjesës së parë dhe për pasojë humbi vetëdijen. Mjekët e sollën shpejt në vete, e megjithatë paniku nuk kaloi. Atë e dërguan me urgjencë për një kontroll të specializuar në spital. Aty për aty u tha që nuk kishte asgjë shqetësuese, por lojtari kishte dhimbje dhe kjo i detyroi që ta transportin në Fier dhe më pas në kryeqytet. Iu desh që të ndërronte tri spitale, për të kuptuar çfarë ndodhi. Pas një skaneri, rezultoi se ka krisje në fytyrë. Në një intervistë të dhënë enkas nga Spitali i Traumës për “Panorama Sport”, rrëfen momentin e kolapsit. Ai zbulon se është përmendur vetëm në autoambulancë dhe për disa ditë do t’i duhet që të qëndrojë i shtruar, për të qenë në vëzhgim të mjekëve. Shpreson që të kthehet sa më shpejt në fushë, ndonëse nuk e ka vetë në dorë.

MIFTARIAlban Miftari i shtruar në Spitalin e Traumës, pas goditjes që mori në fytyrë

Alban, çfarë ndodhi në Peqin?

Ndodhi ajo që nuk e kisha menduar kurrë dhe nuk ia uroj asnjë sportisti. Por falë Zotit mbaroi me kaq, sepse ka edhe më keq. Në një moment, kur ndeshja ishe 1-0, në përpjekje që të largoja topin, për plasem me një lojtar peqinas (me sulmuesin Barbosa). Të dy me inerci e kishim mendjen te topi dhe unë dëmtohem. Ishte pa vetëdije, kuptohet. Ka qenë shumë goditje e fortë dhe kam rënë në tokë duke humbur vetëdijen për 4- 5 minuta. Lojtarët që kanë qenë afër meje e panë që nuk reagova dhe menjëherë njoftuan stafet mjekësore.

Kur u përmendët, me aq sa kujtoni?

Unë u përmenda kur isha në autoambulancë dhe po më nisnin për në spitalin e Peqinit.

A kryet skaner?

Ndihmën e parë e mora në Peqin. Më pas udhëtuam drejt Fierit për një kontroll më të specializuar. Aty kuptova se ishte diçka serioze, sepse kisha dhembje të forta. Pas skanerit, del që kisha krisje në fytyrë në pjesën e djathtë. Atëherë mjekët e Fierit më nisën me urgjencë drejt Tiranës për në Spitalin e Traumës, ku jam edhe sot (dje).

Po mjekët në Tiranë çfarë ju kanë thënë?

Do të qëndroj për disa ditë nën kontroll më të specializuar për të parë edhe gjendjen e dëmtimit… Kaq për momentin.

A keni folur me shokët dhe drejtuesit?

Po, kanë qenë vazhdimisht të interesuar. Madje, edhe klubi ka qenë duke monitoruar gjendjen time, por edhe Besnik Kapllanaj. Ai më ka shoqëruar që nga Peqini në Fier, por edhe në Tiranë më ka ndenjur shumë afër deri në të gdhirë. Dua ta falënderoj presidentin, trajnerin, stafin dhe shokët, por edhe klubin dhe tifozët ballshiotë që më kanë dërguar mesazhe dhe më kanë dhënë kurajë.

Kur do të rikthehet Albani në fushë?

Mjekët e dinë, por dua të kthehem sa më shpejt. Shpresoj që u prish syri i keq për skuadrën tonë. Jam i bindur se nuk do shkonte ndeshja ashtu me mua në portë. Por shokët e mi u llahtarisën, sepse unë as jepja e as merrja në fushë. Kam besim se Bylisi do të rikthehet te fitorja që këtë javë dhe do të vazhdojë rrugën drejt Superiores. Nuk kemi rivalë, sepse jemi një familje dhe funksionojmë si e tillë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"