Pejiç: Sot fiton Kukësi, Gjicit i premtova rikthimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2016 | 9:58

Pejiç: Sot fiton Kukësi, Gjicit i premtova rikthimin

Pero Pejiç nuk e harron Kukësin. Sulmuesi flet nga Irani për “Panorama Sport”, teksa pret me kuriozitet të ndjekë finalen e sotme të Kupës së Shqipërisë. pejicGolashënuesi që aktivizohet me Esteghalin beson te fitorja e skuadrës verilindore kundër Laçit. Pejiç ishte pjesë e Kukësit edhe në finalen e vjetshme, kur kurbinasit fituan 2-1. Pejiç zbulon për gazetën se pas përfundimit të kontratës me klubin iranian në verën e vitit të ardhshëm, do të rikthehet te Kukësi.

“Po e pres ta shoh me kënaqësi finalen. Vjet, kur isha te Kukësi, humbëm kundër Laçit, por këtë herë besoj se do të jetë ndryshe. Jam i bindur se Kukësi do ta fitojë atë ndeshje, pasi ka lojtarë shumë të mirë dhe ata do të bëjnë maksimumin për ta marrë trofeun.

Ekipi nuk do të gabojë këtë herë dhe për këtë besoj shumë. Uroj shokët e mi si Mici, Shameti dhe Hasani, por edhe të tjerët, për një fitore të finales, pasi e meritojnë. Me këta lojtarë kam kontakte më tepër dhe flas vazhdimisht. Gjithashtu, mund të them se ky trofe do të jetë një dhuratë për tifozët kuksianë, të cilët janë të mrekullueshëm. E kanë treguar që e duan klubin. Një arsye më shumë që Kukësi do të fitojë sot është se ka një trajner të zotë si Duro”, ka thënë Pejiç. Sulmuesi tregon bisedat që ka bërë me presidentin Gjici.

“Ky do të jetë trofeu i parë për presidentin Gjici, i cili është një person mjaft korrekt, për të cilin kam respekt të veçantë. Ai është treguar korrekt me mua në çdo marrëdhënie, prandaj me mbarimin e kontratës në Iran, do të rikthehem te Kukësi. Kam komunikuar me presidentin dhe ruaj ende raporte të mira. Më pëlqen Shqipëria dhe jeta atyre, prandaj dhe e shikoj të mundshëm rikthimin”, tregoi kroati. Në fund foli edhe për kontratën me Esteghalin.

“Kam edhe një vit kontratë dhe dua ta respektoj deri në fund. Gjatë kësaj periudhe kam qenë i përqendruar totalisht te skuadra, duke mos menduar asnjë moment për të lëvizur. Ndihem mirë në Iran për momentin”, përfundoi autori i 35 golave me Kukësin në sezonin 2014-2015. Gjatë këtij viti, sulmuesi është aktivizuar në 14 ndeshje në kampionatin iranian.

Përgatiti: S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"