Partizani-Tirana, një derbi me efekt anti-krizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2024 | 8:50

Partizani-Tirana, një derbi me efekt anti-krizë

“Hë mo, do vish në derbi?” Kështu nis biseda e çdo tifozi të Tiranës dhe Partizanit në këto orë para duelit mes Partizanit dhe Tiranës, dy superfuqive të futbollit shqiptar dhe dy krenarive në dy anët e qytetit.

PARTTT

Prej afro një dekade shohim katër beteja të tilla brenda një sezoni, por secili prej tyre është një ngjarje, një spektakël më vete. Por çfarë derbi është ky që luhet sonte në 19:00 në “Air Albania”? Kjo pyetje merr shumë përgjigje.

ANTI-KRIZË – Një fitore në derbi është si ata ilaçet që të çojnë brenda ditës në këmbë kur je sëmurë. Është si antibiotik për dy skuadra, që vijnë pas luhatjeve dhe pas ndeshjeve kur nuk kanë arritur të tregojnë forcën dhe potencialin që pretendojnë se zotërojnë. Kush fiton këtë derbi, merr dozën e duhur për t’u kuruar në rrugën drejt titullit kampion. I fundit përfundoi barazim, por këtë rezultat sot nuk e do asnjëra.

PRESION – 22 lojtarët zbresin në fushë me këmbët e rënduara nga presioni i rezultateve dhe pritshmëria e pangopur e tifozëve, që edhe kur fiton, e gjejnë gjithnjë diçka që nuk shkon. Derbet kanë gjithnjë presion, por ky i sotmi është më i rëndë, sepse kërkohet me pahir një përgjigje për rezultatet e munguara prej javësh.

ÇUDI – Ky është një derbi i çuditshëm ende pa nisur. Luhet me një skemë ndryshe, që sa i përket pikëve nuk e ka vlerën e përballjeve të viteve të shkuara dhe nga ky aspekt nuk të tërheq sa duhet. Ndeshje anormale në një sezon eksperimental.

KONFIRMIM FORCE – Partizani dëshiron të thellojë kohën pa humbur në derbi, ndërsa Tirana do revanshin e më shumë se një viti pa fituar. Në fushë do të jetë një matje force e dy ekipeve, që pretendojnë të ndeshen pesë herë këtë sezon. E fundit në finalen e madhe, ndoshta në një nga derbet më të rëndësishëm që janë luajtur ndonjëherë.

PA BOMBER – Asnjëri prej ekipeve sot nuk e ka një lojtar që të bën diferencën dhe shënon rregullisht. Tirana shiti Hasanin dhe Kainën dhe është pa një 9-sh “bio” në ekip, ndërsa Partizani luan pa Bintsukën dhe Skuka ende nuk është në formën e tij maksimale.

DY TRAJNERËT – Sfida e sotme është edhe një demonstrim për dy trajnerët. Ahmataj kërkon t’i bindë të gjithë kritikët se e ka potencialin për të qenë trajner i një ekipi të madh si Tirana. Në anën tjetër, Shehi kërkon të përmbushë pritshmëritë e mëdha të krijuara që nga ardhja e tij e bujshme te kampionët në fuqi.

PËR TIFOZËT – Kjo ndeshje do t’i dedikohet gjithnjë atyre. Spektakli i dy tifozërive është një arsye më shumë për të ndjekur derbin e kryeqytetit të Shqipërisë nga shkallët e stadiumit. Pa atë që ndodh në tribuna, kjo ndeshje do të ishte e “vdekur”.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"