Partizani “i ri” i Sormanit, trajneri italian ka ide të tjera për sulmin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2020 | 17:19

Partizani “i ri” i Sormanit, trajneri italian ka ide të tjera për sulmin

“Të luftojnë të bashkuar, me dëshirën për të vuajtur të gjithë së bashku, të sakrifikojnë, që në fund të dalin të gjithë triumfues”. Kjo është kërkesa e trajnerit Adolfo Sormani ndaj lojtarëve, në mënyrë që t’u tregojnë tifozëve se ata janë mjaft të lidhur me Partizanin dhe duan të luftojnë për këtë skuadër. Cënimi i harmonisë së grupit ishte shkaku i luhatjeve që treguan kampionët nën drejtimin e ish-trajnerit Franko Lerda, gjë të cilën trajneri Sormani kërkon ta riparojë në epokën e dytë me të kuqtë. Fillimi duket në rrugë të mbarë nën drejtimin e 54- vjeçarit italian.

Partizani

Sikur të mos mjaftonte reflektimi në miqësoren me Trabzonsporin, dita pasuese ka treguar se stafi po punon shumë në rikthimin e frymës së grupit dhe funksionimin si një familje. Për të ndryshuar situatën, Sormani po i kushton vëmendje marrëdhënies së grupit jashtë fushës së blertë, për të qenë sa më harmonikë në këtë minifazë që po e zhvillojnë në Antalia. Përveç stërvitjeve intensive, në kampin e kuq gjejnë kohë edhe për argëtim. Dje, “demat” u organizuan të gjithë së bashku duke luajtur “paintball”, ku duket qartë që stafi kërkon luftëtarë në fushë dhe jashtë saj.

Të ndarë në dy grupe, me veshje të kuqe dhe blu, futbollistët e Partizanit janë argëtuar tej mase. Kjo gjë evidentohet nga fotot e postuara në faqen zyrtare të klubit, ku të gjithë duken të gëzuar. Nuk mungon edhe përshëndetja e famshme ushtarake, me në krye Bruno Telushin, pasi skuadra e tij, e veshur me të kuqe ka rezultuar fituesja e luftës me topa-boje.

RISITË ME SORMANIN

Sormani Partizani

Miqësorja me Trabzonsporin dha sinjale premtuese për të ardhmen. Harmonia e brendshme shikohet si çelësi për t’u rikthyer te suksesi dhe dominimi. Ndonëse bëhet fjalë për ndeshjen e parë, që ishte miqësore pas një periudhe 6-ditore stërvitore, dora e trajnerit u duk te Partizani. Sormani provoi dy formacione të ndryshme dhe u dha mundësi të gjithëve që të luajnë, duke mos bërë ndasi. Në dallim nga pjesa e parë e sezonit nën drejtimin e Lerdës, ndaj Trabzonsporit ekipi tregoi më shumë grintë, dëshirë për të ndjekur topin dhe duke mos rënë në presionin e kundërshtarit. Kthjelltësia në veprime ishte e dukshme dhe lojtarët u munduan të ndaheshin më shpejt nga topi. Filozofia e Sormanit është loja në grup, gjë që ndodhi në debutimin e 54-vjeçarit. Ndaj Trabzonsporit, Partizanit i vinte era “ekip”.

Moduli i lojës ka nisur të ndryshojë dhe skema 3-5-2 nuk ka më vend. Sormani tregoi se në vazhdim ekipi do të luajë me dy sulmues të mirëfilltë përpara. Në pjesën e parë u provuan Braun dhe Bardhi, ndërsa në të dytën ishte Solomon dhe Ekuban. Për momentin, trajneri po u jep shans të gjithëve, duke mos i paragjykuar nga rendimenti i pjesës së parë. Në përfundim të minifazës do të ketë një konkluzion për secilin, ku ndonjëri pritet që edhe të largohet. Më e rrezikuara mbetet Treshja e sulmit, Solomon, Braun dhe Ekuban, ku njëri mund të sakrifikohet në fund. Sormani beson shumë te “gjaku i ri”, kështu që modeli “Ylber Ramadani” i para tri viteve pritet të ndodhë sërish.

Lojtarët e rinj që luajtën në pjesën e dytë dhanë sinjale pozitive për veten dhe trajnerin, por edhe si një alarm për senatorët që iu lëkundet vendi. Besnik Ferati, Agim Dajçi ishin dy nga të rinjtë që spikatën ndaj Trabzonsporit, duke luajtur edhe në role të reja.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"