“Partizani e pa që nuk mund të kalojë Vllazninë dhe Egnatian”, analiza e Pinarit: Kishim objektiv tjetër, por Dinamo në “Final Four” bëhet e rrezikshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 19:13

“Partizani e pa që nuk mund të kalojë Vllazninë dhe Egnatian”, analiza e Pinarit: Kishim objektiv tjetër, por Dinamo në “Final Four” bëhet e rrezikshme

Luan Pinari mendon se Tirana është skuadra e cila do të rivalizojë me Dinamon për vendin në “Final Four”. Ish-futbollisti i njohur, i ka bërë analizën kampionatit shqiptar duke u ndalur te detajet e luftës për çdo objektiv në renditje.

pinari

Duke folur për “Sport News” në “News 24”, Pinari ka theksuar se Dinamo do të dijë të tregohet konkurruese nëse arrin të sigurojë katërshen e parë, teksa shpjegon se çdo gjë është e hapur deri në mbyllje të sezonit të rregullt.

Gjashtë javë përpara fundit duket sikur të gjithë janë garë. A po jep skema efektet që priteshin?
Sigurisht ka një efekt, por ekipet nuk janë shkëputur shumë. Edhe Kukësi u mendua se po dorëzohet, por jo, me ndryshimin e stafit teknik, tashmë është në garë. Në këtë fund kampionati, po jep ndikim skema e re.

Pas 30 javësh, as kreu nuk është më i sigurt. A do ketë ndikim kjo rënie e Egnatias edhe në “Final Four”? A është zbehur statusi i tyre si favorit?
Kur u shkëput, e ka dëmtuar disi, pasi Egnatia e ka humbur ritmin e rezultateve pozitive. Një ekip duhet të jetë e fokusuar nga fillimi deri në fund. Po të shikojmë rezultatet e fundit të Egnatias, e bëjnë që katërshja e parë të jetë e diskutueshme. Po luftohet për dy vendet e para.

Luajnë me Partizanin këtë javë, si e sheh si përballje? A është ky shansi i fundit për Partizanin për të treguar se janë favorit?
Shans i mirë për të dyja skuadrat. Partizani duhet të tregojë se çfarë është i aftë të bëjë nën drejtimin e Shehit. I vetmi dyshim është se luhet në Rrogozhinë. Në “Final Four” do luajnë në “Air Albania”. Për Partizanin është një moment i mirë për të parë veten në çfarë situate është.

Nuk po ngjitet kurrë Partizani, Pinari, në nivelet që pritej që pas ardhjes se Shehit. Pse, në këndvështrimin tënd?
Edhe te Tirana i ka ndodhur kështu, derisa implementoi skemat e veta. Duhet një përshtatje, ka një filozofi të re Shehi. Te Partizani është diçka ndryshe. Dëmtimet e shumta, mungesat e shumta kanë bërë që ndonjëherë të sajojë 11-shen titullare.

Duket se edhe Partizani, ashtu si Egnatia, po presin vetëm “Final Four”. Por sa të vështirë do ta kenë ta kapin formën atëherë kur duhet? Nuk besoj se në futboll gjërat bëhen me magji…
Është kjo që i druhemi. Duam apo nuk duam, ndikon te skuadra. Kjo është pyetja, a do jenë gati skuadrat për të qenë në “Final Four”.

Nga tre ekipet e para vetëm Partizani është jashtë Kupe, a e shton ky fakt presionin në ekip?
Sigurisht. Vendi i 3-të që është Partizani kërkon të parakalojë Vllazninë. Ndaj Vllaznisë, Partizani pa që nuk është aq e fortë për të kaluar Egnatian dhe Vllazninë.. Është një minus eliminimi në Kupë. Gjithsesi, ka mundësi që Partizani të japë gjithçka në kampionat.

Mes Egnatias dhe Partizanit është Vllaznia, por dhe shkodranët nuk janë në momentin e tyre më të mirë, duket sikur si po e kalojnë tani atë moment “Jo”. Si e sheh Vllazninë në këtë pikë të sezonit?
Vllaznia është skuadra më në formë, nga këto skuadra. Vllaznia është skuadër pragmatiste, shfrytëzon në maksimum aftësitë e disa lojtarëve. Nuk ka luhatje në mënyrën e lojës, Vllaznisë do t’i jepja një plus më tepër sesa Egnatias dhe Partizanit, për arsye se kanë konsoliduar skuadrën.

Kanë shumë dëshirë, si skuadër, si qytet, por çfarë i mungon?
I mungon besimi dhe mënyra e shmangies së euforisë. Do luajë në Tiranë në “Final Four” dhe do japë maksimumin. Ka nervozizmin si anën negative. Janë mësuar me rezultate pozitive.

Nëse zbresim pak më poshtë, në vendin e katërt ndodhet Dinamo. Më thuaj të drejtën Pinari, e prisje Dinamon të ishte në këtë pozicion?
Ne kemi besuar duke parë cilësinë e skuadrës. I druheshim faktit se vinim nga Kategoria e Parë. Mendoj se jemi me këmbë në  tokë, jemi në vendin e katërt. Nuk na ka falur askush asgjë, për 6 ndeshje le të mbajmë këtë vend. Të gjithë kemi besuar te katërshja e parë.

A mund ruajë Dinamo këtë pozicion, sepse beteja më e fortë është për vendin e katërt…
Po, është plotësisht e mundur. Do jetë e vështirë sepse është skuadër e re. Ne e dimë sesi në momente të caktuara ka aleanca, por mund të themi se mund te arrijmë objektivat. Kukësi është futur në valle, Erzeni tregoi se është gjallë pas fitores me Egnatian, të gjitha janë në garë.

A do të ishte i suksesshëm sezoni i Dinamos nëse do futej në katërshe, a mjafton kaq për këtë sezon?
Objektivi i parë ishte mesi i tabelës. Nëse marrim pjesë në “Final Four”, do të jemi shumë të rrezikshëm, mundësitë i kemi. Në çdo ndeshje po japim më të mirën.

Mes Skënderbeut dhe Tiranës, kë sheh si rivalin më të madh të Dinamos?
Patjetër që është Tirana. Fanella e Tiranës rëndon më shumë se e Skënderbeut.

Çfarë po ndodh me Tiranën, Pinari? Duken të dorëzuar, është realisht kështu?
Ndoshta ka probleme të brendshme. Po ndryshon shumë në stafin teknik. Ka cilësi, ka element por nuk ka harmoni. Ka disa problematika që ata i dinë më mirë.

E kanë shumë të vështirë të reagojnë, pësuan dhe një humbje të rëndë në Kupë. A po shkojnë drejt dështimit në këtë formë?
Po të shikosh rezultatin e ndeshjes së parë, ashtu është, por është edhe ndeshja e kthimit. Tirana, nëse nuk kap katër vendet e para, është dështim. Mospjesëmarrja në katërshe është dëmtim për Tiranën.

Ndërkohë një garë e fortë po luhet tani edhe për mbijetesës, kjo falë Laçit dhe Kukësit që janë zgjuar. Ke ndryshuar mendim se cili mbijeton? Laçi, Teuta, Erzeni dhe Kukësi, kjo është renditja e katër ekipeve të fundit, kush mbijeton, ose kush bie?
Kam thënë që Kukësi dhe Erzeni janë më të rrezikuarat, tani shikoj Laçin dhe Teutën që do luajnë për “Play-Out”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"