“Paqe” në Valbona-Kastrioti, treshe vajzash në gjykim. Trajneri Ndreu: Jemi të cunguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2024 | 16:53

“Paqe” në Valbona-Kastrioti, treshe vajzash në gjykim. Trajneri Ndreu: Jemi të cunguar

Nuk ka fitues në Barbas, atje ku Valbona mati forcat me Kastriotin. Edhe pse nuk luajnë në të njëjtën ligë, diferencat në fushë ishin minimale. Këtë e pasqyron më së miri edhe rezultati i kësaj miqësoreje, që përfundoi 2-2. Edhe pse tropojanët nuk kishin titullarët si Progni, Imeraj, Mziu, Farruku e Joti në formacion, dëshmuan se jo më kot kryesojnë grupin A të Kategorisë së Dytë.

valbona kastrioti Foto: A. Dushku

Në pjesën e parë tropojanët u paraqitën më mirë, por rastet më të pastra i patën krutanët sidomos në minutën e 31-të kur Çela goditi shtyllën pingule. Në minutën e 35-të Imer Zuna detyrohet të lerë fushë, pas një dëmtimi në kavilje. Pas pushimit nisën zëvendësimet, por edhe dhe golat. Në të 53-ën shënoi Mashi me një gjuajtje të fortë brenda zonës.

Por vetëm dy minuta rezistuan, pasi Çela barazoi. Ai lëshon një “predhë” mjaft të bukur teksa befason portierin Braho, që zëvendësoi Birja-n. I njëjti protagonist shënon dhe përmbys shifrat në  të 74-ën, këtë herë me një gjuajtje nga 25 metra. U duk se do të fitonte Kastrioti, por jo. Dy minuta para fundit, Lushaku–Kovaçi–Diogo gatuajnë barazimin. Braziliani i erdhi një top i artë, që nuk e fali dhe realizoi për 2-2. Duhet thënë që kjo ndeshje u gjykua nga një treshe vajzash. Kryesore ishte Disela Lekgegaj, ndërsa anësore Erinda Kume dhe Klea Fejzulla.

ALLAMANI – I kënaqur për paraqitjen e të tijve ishte Alfred Allamani. Trajner i Valbonës, pas ndeshjes tha: “Kjo ishte ndeshja e parë e këtij viti. Ndonëse nuk kishim në skuadër 50 për qind të titullarëve, mora sinjale pozitive nga ata që luajtën. Ishin dhe dy-tre lojtarë në provë, të cilët shfaqën vizion dhe risi. Njihen pretendimet tona për këtë sezon dhe do vazhdojmë rrugëtimin tonë”.

Ndreu: Jemi të cunguar

Ramadan Ndreu mendon se skuadra nuk është gati dhe “sytë” i ka te merkatoja. Pas barazimit me Valbonën, trajner i Kastriotit tha: “U munduam që të provonim çdo lojtar që kishim në dispozicion, disa prej tyre që në pjesën e parë. Por, janë larg pritshmërisë që ne kishim. Kështu që, shpresojmë që deri në momentet e fundit, të marrim lojtarë të tjerë për të kompletuar grupin që për hir të vërtetës e kemi pak të cunguar. Gjithsesi, si ndeshje miqësore ia vlejti”.

VALBONA

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"