Pak dyshime për formacionin, Zekiç shkon me pamje tjetër. Ja detajet e transfertës të Partizanit në Andorrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2023 | 14:45

Pak dyshime për formacionin, Zekiç shkon me pamje tjetër. Ja detajet e transfertës të Partizanit në Andorrë

Partizani ka vendosur të zbarkojë dy ditë përpara në Andorrë për ndeshjen e nesërme në impiantin “Estadi Comunal”, ku do të përballet me kampionët e këtij vendi, Atletik Eskaldes, në llogari të turit të dytë të Ligës së Konferencës. Gjatë gjithë javës pas humbjes ndaj BATE Borisovit, skuadra është stërvitur në stadiumin e Kamzës, që ka fushë me bar artificial, ndryshe nga tapeti i të kuqve në impiantin e kuq, që është me terren sintetik.

FOTO" F. Hazisllari

FOTO” F. Hazisllari

Kjo zgjedhje është bërë që skuadra të shmangë ndonjë dëmtim të mundshëm me ndërrimin e tapetit, si dhe që lojtarët të jenë tërësisht të ambientuar me terrenin që do të luajnë në stadiumin kombëtar të Andorrës, një vend me një popullsi prej vetëm rreth 75 mijë njerëzish, e krahasueshme me një lagje e Tiranës ose me një stadium të madh europian.

UDHËTIMI – Klubi i kuq ka vendosur sërish të udhëtojë me avion “charter” në këtë transfertë. Skuadra dhe i gjithë delegacioni, përfshirë edhe presidentin Demi, rreth orës 4:00 të mëngjesit kanë nisur fluturimin dhe pas gati tri orësh kanë zbarkuar në Francë, në qytetin e Tuluzës.

Arsyeja përse nuk kanë shkuar direkt në Andorrë mësohet të ketë qenë kapaciteti i aeroportit të Andorrës, që nuk ka parametrat e duhura për të suportuar uljen dhe akomodimin e avionit të “demave”. Pas kësaj, ata kanë udhëtuar me autobus për rreth dy orë e gjysmë nga Tuluza deri në Andorrë, ku janë akomoduar në hotel.

partizani

AXHENDA – Pas një pushimi, skuadra ka pasur kohë të lirë për të shpenzuar sipas dëshirës, teksa shumica kanë zgjedhur të eksplorojnë qytetin, e të tjerë janë ulur nëpër lokalet e zonës për të shijuar një pije freskuese.

Në fotot e publikuara në rrjetet sociale shihet që lojtarët janë ndarë në grupe dhe kanë kaluar kohë në pika të ndryshme të qytetit.

Pas kësaj, ata janë kthyer në hotel dhe në orën 18:00 trajneri Zekiç ka drejtuar stërvitjen e parafundit. Edhe sot itinerari do të jetë i ngjashëm, por me siguri trajneri Zekiç do të kërkojë më shumë regjim dhe pushim. Ndërkohë, ndoshta për ogur të mirë për të hequr dhe “tersin” e rasteve të humbura, Zekiç ka ndryshuar pamje, duke hequr mjekrën.

FORMACIONI – Partizani e humbi ndeshjen me BATE Borisovin në transfertë, por në tërësi skuadra zhvilloi një ndeshje cilësore sa u përket rasteve të krijuara dhe volumit të lojës.

Nisur edhe nga lojtarët që ka në dispozicion, nuk pritet që Zekiç të bëjë ndryshime, pavarësisht se tashmë si opsione janë shtuar edhe emra si Gjelbrim Taipi apo Mateo Kocijan. Qirko nuk i ndahet portës, ndërsa Sembene pritet të vazhdojë në mbrojtje.

Në mesfushë nuk priten ndryshime, ndërsa në sulm mund të kemi aktivizimin e Grezdës në vend të Carës ose Da Silvës, si i vetmi ndryshim. Partizani konsiderohet si favorit absolut në këtë ndeshje.

partizani

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"