Shqipëria më pëlqeu, ja pse e pësojmë në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2022 | 21:56

Shqipëria më pëlqeu, ja pse e pësojmë në fund

Nga NEPTUN BAJKO

Gjithmonë ndeshja e ekipit kombëtar është një ngjarje dhe në veçanti merr një vëmendje të madhe kur ke përballë një ekip si ai spanjoll me vlera të spikatura sepse i përket rangut të lartë në futbollin europian dhe më gjerë. Kjo jo vetëm për ekipet dhe protagonistët, por në veçanti për opinionin e gjerë sportdashës, i cili e do dhe e ndjek me kënaqësi ekipin kombëtar kur arrijnë të përputhen më së miri dëshirat e tij me nivelin e pasqyruar nga ekipi në përgjithësi dhe lojtarët dhe stafi i tyre në veçanti.

neptun bajko

Ja pse ky takim e kaloi përkufizimin e një miqësoreje “luksi”. Kjo ndeshje pati shumë vlera, në veçanti për kombëtaren tonë. Mbi bazën e kësaj ndeshjeje, të këtij niveli, anët pozitive që pasqyroi, tani stafit, trajnerit Reja dhe lojtarëve këtej e tutje do t’u kërkohet:

– Ruajtja sa më gjatë dhe rritja në nivelin akoma më cilësor si një nga faktorët që do ta çojë atë në arritjen e objektivave të ekipit kombëtar. Një nga vlerat pozitive që duhen pasur parasysh në çdo takim të ardhshëm:

1) Koncepti mbrojtës i gjithë ekipit. Ishte gjëja më pozitive dhe në këtë aspekt duhet theksuar disiplina taktike e gërshetuar me detyrat e çdo reparti dhe ato individuale.

2) Ekipet e mëdha përballë ekipeve “të vogla” dihet që admirojnë veçse vetveten. Në këtë aspekt Kombëtarja jonë, stafi dhe trajneri, duke njohur shumë mirë lojën e spanjollëve, duke luajtur me disiplinë, me një koncept të qartë, me një vendosje të mirë në të gjithë fushën, arritën të pasqyronin që tashmë diferencat janë shkurtuar ndjeshëm.

RRESHTIMI NË MBROJTJE

U pa qartë që rreshtimi në mbrojtje ishte me pesë: 3 lojtarë në qendër, Ismajli, Kumbulla dhe Gjimshiti, plus dy anësorët Balliu dhe Hysaj.

Këta të dy luajtën mjaft mirë taktikisht, duke arritur të mbulojnë shumë mirë zonën dhe kundërshtarin. Ata minimizuan atë që quhet rreziku më i madh nga spanjollët: të mos i lejonin pra spajollët: të mos i lejonin pra që të shkonin lirshëm në anësore dhe të mos krosonin nga fundorja.

Për mendimin tim Berisha dhe mbrojtja në tërësi me lojën e tyre tepër të vëmendshme i dhanë qetësi dhe siguri ekipit. Pa dyshim në këtë aspekt ndihmoi edhe treshja e mesfushorëve, por edhe ndihma e dy sulmuesve ishte tepër efikase dhe pozitive.

Ekipi në fazën mbrojtëse veproi si një tërësi e plotë, por veprimet në sulm pa dyshim do të ishin jo shumë të koordinuara, duke i lënë kështu hapësirë veprimeve personale të Brojës, gjithmonë në shërbim të lojës së skuadrës.

MESFUSHA

BareGjasula-Laçi vepruan shumë mirë në vendosje dhe në veprimet mbrojtëse. Pa dyshim së bashku me 5-shen e mbrojtjes do të linin shkak për mungesën e organizimit dhe mbështetjes në veprimet sulmuese të Brojës dhe Cikalleshit. Kjo ishte më se e qartë dhe e kuptueshme, por e kushtëzuar edhe nga kundërshtari që ishte përballë.

CIKALLESHI-BROJA

Gjëja më pozitive e kësaj dysheje ishte loja e tyre me presing të vazhdueshëm ndaj mbrojtësve spanjollë, madje shpeshherë deri te portieri, duke bërë që kundërshtarët ta qarkullonin topin dhe të vononin organizimin e sulmit.

Në këtë mënyrë dy sulmuesit tanë i dhanë kohë mesfushës dhe mbrojtësve që të vendoseshin sa më mirë, të mbulonin me qetësi, si kundërshtarin, ashtu edhe zonën duke u paraprirë veprimeve të tyre sulmuese.

Loja pa top e Cikalleshit dhe Brojës tregoi se sa rëndësi ka loja kolektive. Këtu te ne pak vetë e vënë re lojën pa top, por Cikalleshi dhe Broja ishin fantastikë në këtë aspekt. Nuk bie në sy, por është jetike kur ke përballë rivalë si Spanja.

GABIMET

Futbolli ka një parim: që dikush duhet të gabojë që të fitojë tjetri. Futbolli është edhe lojë gabimesh, pra edhe kundër Spanjës pati gabime, por pozitivja i mbuloi dhe anashkaloi disa nga këto të meta.

Megjithatë, nuk do të ishte gabim të themi se skuadra duhet të përmirësohet ndjeshëm në konkretizimin e aksioneve. Dihet se kundër Spanjës apo rivalëve të tjerë do të kesh raste me pikatore, por duhet të jesh i përgatitur t’i shfrytëzosh ato.

Shqipëria i pati rastet, por nuk i shfrytëzoi maksimalisht dhe për këtë nevojitet edhe përgatitje psikologjike.

PSE HUMBËM NË FUND

Në nivelin e këtij takimi, në një atmosferë tepër dashamirëse, me një lojë që ishte në çdo aspekt “Fair Play”, entuziazmi nuk përfshin vetëm lojtarët, por edhe trajnerët dhe stafin teknik.

Do të thotë që pas golit të barazimit nga ana jonë ekipi duhet të ishte rreshtuar përballë zonës së rreptësisë dhe 1 ose dy lojtarë të bënin presing te topi ku luhej.

Mund të mjaftonte edhe një faull me zgjuarsi ose një truk futbollistik për të vonuar lojën, sepse 2 minuta ngelën. Për fat të keq nuk e bëmë dot.

ÇFARË NA MUNGON

Kam parë ndeshjen e Italisë me Maqedoninë e Veriut… më bëri përshtypje mesfushori Enis Bardhi, i cili kur merrte topin kishte cilësitë teknike, vetëbesimin, forcën dhe vizionin për ta dërguar topin atje ku donte ai.

Rrjedhimisht zhvendoste gjithë skuadrën përpara dhe përhapte panik me befasinë që karakterizon një numër 10 të kohëve moderne.

Thënë këtë, unë mendoj se edhe Shqipëria ka shumë nevojë për një lojtar të tillë në mesfushë. Duhet të organizohemi më mirë. Ndërkaq, akoma nuk është perfeksionuar skema e kundërsulmit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"