Një “aventurë gazetarie” e vitit ‘72 falë rekordmenit olimpik Ymer Pampuri…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2021 | 16:57

Një “aventurë gazetarie” e vitit ‘72 falë rekordmenit olimpik Ymer Pampuri…

NGA BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Këto ditë më telefonoi një mik, njeri i sporteve, dhe më pyeti që të sqaroj edhe një herë me saktësi rastin e Olimpiadës së Mynihut 1972, të të paharrueshmit tonë Ymer Pampuri. Sigurisht e sqarova. Ndërkaq, interesantja është se ndonëse qysh para rreth 20 vjetëve kam stërsqaruar gjithçka, prapë vazhdon “mosmarrëveshja” e informacionit dhe vërtetësisë për këtë ngjarje të jashtëzakonshme për sportin shqiptar.

Ymer-Pampuri

Dhe kjo ndodh ngaqë shkrues të pandërgjegjshëm, të nxituar e të vetëkënaqur, ndonëse nuk kanë zbuluar asgjë deri më sot, e nuk dinë as të kopjojnë për së mbari, kanë shkruar pa pushim se Ymer Pampuri është kampion i parë olimpik nga Shqipëria, kur para tyre të tjerë e kanë shpalosur bukur e mirë të vërtetën.

Si, bie fjala, kolegu nga Italia, Giovanni Armillotta, i cili në mënyrë të veçantë për rastin “Pampuri” ka zbuluar deri në imtësi titullin botëror të tij. Por prapë soji në fjalë ka vazhduar të keqinformojë, madje të përsërisë shtrembërimet. E kësisoj, kanë ngatërruar historinë keqas edhe për këtë rast si për shumë e shumë të tjera.

Dhe ende shumëkush, për shkak të këtyre shtrembërimeve që nuk ndalin, kujton se Ymer Pampuri është kampion olimpik, ndonëse ne u lodhëm duke shkruar e përsëritur se i vetmi vend në Europë që nuk ka asnjë medalje olimpike është Shqipëria! Duke iu kthyer kështu, mbas kapitullit të para pak ditëve të librit “Shqipëria – e munguara e madhe e Olimpiadës”, po vazhdoj me një kapitull tjetër.

FORCA E GAZETARISË “SË LIRSHME” TË VITIT 1972…

Dhe shkoi te viti 1972! Shqipëria e cila kishte rënë prej vitesh në prehrin e Kinës Popullore, ndërsa ishte partizania më e fuqishme në Europë e atij që quhej “socializmi real”, papritmas kishte shpalosur një grimcë liberalizëm. Vetëm kaq. Në fund të fundit një buzëqeshje disi më tepër dhe aq… Dhe mua që më duket si sot dita e 29 gushtit 1972, teksa me cilësinë e gazetarit të të përditshmes “Bashkimi” ngjita me nxitim shkallët e “ATSH”-së që e kishim përballë dy hapa larg në qendër të Tiranës në bulevardin “Zog I”, në atë ndërtesë ku pas disa viteve do të shkonte “Bashkimi”.

Në katin e sektorit të jashtëm desh u ndesha me të paharrueshmin Napoleon Roshi, një punëtor i madh i gazetarisë, madje pionier i gazetarisë sportive me temën ndërkombëtare në Shqipëri. Ai nxitonte me fletën e “Associated Press” në dorë për te makina e tij e shkrimit dhe mua gati më thërriste: “Besnik, Ymer Pampuri rekord olimpik!”

E donte sportin miku më i moshuar dhe e dinte se sa e doja dhe unë e se si e ndienim të dy deri në palcë kuptimin e jashtëzakonshëm të kësaj ngjarjeje të madhe botërore për sportin tonë. E mandej gjithçka që bëhet e njohur: Shqipëria e mbyllur deri në grykë shkon në udhëtimin e saj të parë olimpik në histori për të marrë pjesë drejtpërdrejt në gara. Dhe kthimi me një rekordmen olimpik, një djalë i thjeshtë i Tiranës me emrin Ymer Pampuri, një fenomen i vërtetë, prekursor i ndërkombëtarizimit të peshëngritjes shqiptare.

image-4

Ndërkaq, është një temë më vete tregimi për atë çka do të ndodhte në Komitetin Qendror të PPSH, Drejtoria e Shtypit të të cilit do të merrte në analizë gjendjen e gazetës “Sporti popullor”. Sot e kësaj dite nuk arrij të kuptoj se përse bëhej kjo. Mbase duke njohur mirë popullaritetin e kësaj gazete te rinia shqiptare, Partia donte të përforconte edhe më tej këtë rol “popullor” të kësaj gazete.

Ndoshta!… Më ka thirrur instruktori i shtypit në KQ të PPSH fort i përkujtueshmi Marash Hajati dhe më ka kërkuar të shkruaja një lloj analize a promemorie, siç po më pëlqen ta quaj, për gjendjen e gazetës “Sporti popullor” dhe madje se si duhet të jetë ajo, simbas mendimit tim. Kam qenë një gazetar 29-vjeçar i “Bashkimit”, gazetë e cila sapo shpërthente si askush me temën sportive. Marash Hajati kishte njohje të afërt me mua edhe përmes vëllait tim, Petrit Dizdari, me të cilin kishin mbaruar së bashku gjimnazin e Shkodrës, çka e rriste besimin ndaj meje. Natyrisht pa i shkuar në mend se 10 vjet më vonë unë do të emërohesha pikërisht kryeredaktor i gazetës në fjalë…

Mbledhja, sigurisht e panjohur për publikun, pra brenda mureve të Komitetit Qendror, për sot mendoj se duhet të hyjë në historinë “mbrapaskenore” të gazetarisë shqiptare të regjimit. Besueshmëria e madhe që më kishte falur Marash Hajati, do të qëndronte në faktin se ai paraqiti raportin për “Sportin popullor” saktësisht siç e kisha shkruar unë. Si i ri në këtë profesion, doemos që u emocionova.

Për fat, nuk e kam të ruajtur atë çka shkrova, se ndoshta nuk kam përdorur letërkopjativin në makinën e shkrimit, çka ndodhte shpesh. Diku në arkiva shtetërore apo partiake, edhe mund të gjendet. Mund ta gjejë vetëm një Dash Kaloçi, çka ia vlente për ta botuar sot për të kuptuar më mirë se çka ishte jo thjesht gazetaria e asokohe, por më shumë vetë viti 1972, edhe përmes “mallit të shtampës”, siç ka përcaktuar Ernest Koliqi i madh. Vërtet, çka ishte kjo mbledhje e jashtëzakonshme e drejtuar nga anëtari i Komitetit Qendror të PPSH, Pirro Kondi, në krah të cilit qëndronin dy njerëz të tjerë të rëndësishëm të shtypit në KQ, Miti Tona e Pipi Mtrojorgji?

Ndërsa ne, të rinj “naivë”, shpërthyem në diskutime të një sinqeriteti të paparë për kohën. Sidomos autori i këtyre radhëve si dhe gazetari Skifter Këlliçi. Redaksia e “Sportit popullor” e ftuar kishte shtangur krejt e befasuar. Pirro Kondi vinte buzën në gaz dhe kur pa se mbledhja kishte zgjatur me orë, u ngrit e tha”: “Paskan dalë forcat e reja dhe na duhet të vazhdojmë nesër”. Ashtu u bë. Kjo ngjarje e pashembullt e “lirisë”, natyrisht të rrêjshme të vitit 1972, që po tregohet sot këtu për herë të parë, kërkon një kapitull më vete sado të vogël, analitik madje.

Kjo, për të kuptuar se çka “fshihte” viti 1972 edhe për shtypin, i cili mbasi do të gënjente se po mbërrinte njëfarë lirie në të gjitha fushat e jetës, vetëm mbas pak muajsh me të famshmin plenum IV të PPSH, do ta ngushtonte Shqipërinë e popullin e saj në një izolim të paparë, çka përveç të tjerave do t’i dhuronte “rekordin botëror” të mospjesëmarrjes për 20 vjet të tana të një shteti në Lojërat Olimpike, siç u tregua në kapitullin e para pak ditëve po këtu në “Panorama Sport”.

Kësisoj, në gjithë këtë vështrim, edhe pjesëmarrja për herë të parë e Shqipërisë në Lojërat Olimpike duket se bënte pjesë në këtë kontekst, ndoshta thjesht të një prove që po bënte Partia e Enver Hoxhës me Shqipërinë. Dhe ndodhi që autorit të këtushëm, si gazetar i së përditshmes “Bashkimi”, iu lejua vend i dukshëm në shkrime po të përditshme për Olimpiadën. Kur nga zhanri tjetër i gazetarisë, do të spikasë për herë të parë transmetimi hapësinor televiziv në “TVSH” i Lojërave Olimpike të Mynihut me orë të tana. Për këtë mjafton të vështrosh këtu programin e “TVSH” simbas botimit të “Bashkimit” të 5 shtatorit 1972:

TELEVIZION

“15.00-19.00: Transmetim nga garat e lojërave të 20-ta olimpike; Hipizëm; 19.00 – 1915: Lajmet; 19.15-20.00: Basketboll (Ndeshje për vendin 9-16); Volejboll, hendboll; 20.00-20.30: Revista televizive dhe koha në vendin tonë; 20.30-21.20: Përmbledhje e garave kryesore të lojërave olimpike të ditës së djeshme; 21.20-24.00:

Ngritje peshash (mbi110 kg.). Përmbledhje e një gjysëm finale futbolli”. Siç shihet, me përjashtim të dy emisioneve lajmesh, gjithsej vetëm 45 minuta, “Televizioni Shqiptar”, me vetëm një kanal të asokohe, në këtë ditë ka vetëm Olimpiadë! Them se do të ketë qenë një rekord europian i pathyer deri më sot për të gjitha shtetet që kishin një kanal të vetëm televiziv. Barrën e transmetimeve e kishte marrë përsipër tele e radiokronisti Skifter Këlliçi, gazetar i “RTSH”.

Por duke na befasuar me komentatorë të tillë të improvizuar si Napoleon Roshi, Feti Borova, Pipi Naçe, ndoshta edhe Kreshnik Tartari. Dhe gazeta e përditshme “Bashkimi” që bëhet papritmas fort “olimpike” edhe ajo, në gazetarinë e fjalës së shkruar. Kam shkruar dhe botuar përditë, plot 16 shkrime në nja 18 ditë! Deri në hollësi madje, për Olimpiadën. Edhe në këtë rast nuk ishte merita ime, por e kryeredaktorit të paharrueshëm Niko Nishku, i cili e kuptonte se çka ishte sporti qytetar dhe pasqyrimi i tij në një gazetë. Kam shkruar reportazhe olimpike, pa qenë në Mynih.

Frazat kanë qenë të tilla edhe për të na kujtuar sot se si guxonim të shkruanim ne për Olimpiadën nga zyrat e gazetës. Megjithatë, nuk ka qenë kushedi se çka, por hapësira që u dha ishte sensacioni i parë i asaj gazetarie. Dukej që në ato ditë gushti ende shndriste paksa një diell, i dyshimtë megjithatë. Ndërsa Ymer Pampuri ishte aty për të shndritur më fort se asgjë në mrekullinë e tij. 27 vjeç, peshëngritës i 17 Nëntorit të Tiranës (sot SK Tirana), në të vërtetë, vetëm pak më parë me 125 kg në stilin e forcës, ai ishte shpallur nënkampion i Europës në Kostancë të Rumanisë zhvilluar më 13-21 maj 1972.

Më 11 gusht 1972, në një ceremoni zyrtare dhe publike, atij do t’i jepej titulli më i lartë sportiv në Shqipëri, “Mjeshtër i Merituar i Sporteve”, ditë kur qarqet zyrtare sportive të Shqipërisë deklaronin se kjo e fundit do të merrte pjesë në Olimpiadë me të dhe me një grup qitësish. Pa i shkuar askujt nëpër mend se Shqipëria qysh në herën e parë të saj në garat e Olimpiadës, do ta fillonte me një medalje. Ndonëse jo me një medalje olimpike, por me një medalje botërore! Dhe me një rekord olimpik! Do të mbërrinim kështu te 22 gushti 1972, kur “Agjencia Telegrafike Shqiptare” e lajmeve do të njoftonte se më 21 gusht 1972, “u nis për në Mynih grupi i sportistëve tanë, i cili do të marrë pjesë në lojërat e 20-ta olimpike.

Sportistët tonë do të konkurojnë në garat e qitjes dhe të ngritjes së peshave”. Ndërsa shtypi, në një ekstazë “socialiste”: “Shqipëria, atdheu ynë i dashur do të përfaqësohet për të parën herë në Olimpiadën XX”. Lojërat e Mynihut hapen më 26 gusht 1972. Shqipëria është e pesta në parakalimin ceremonial të “Olympiastadion” të Mynihut mbas Greqisë, Egjiptit, Etiopisë dhe Afganistanit, duke pasur flamurtare qitësen Afërdita Tusha, çka do të thotë se flamurtarja e parë olimpike e Shqipërisë është një femër. Shqipëria shkon në Olimpiadë me një ekip të përbërë nga gjashtë sportistë, emrat e të cilëve kanë mbetur në histori si shqiptarët e parë që garuan në një edicion të Lojërave Olimpike.

Ata ishin qitësit Ismail Rama, Afërdita Tusha, Beqir Kosova, Fatos Pilkati dhe peshëngritësi Ymer Pampuri si dhe trajnerët Zyhdi Mazreku (peshëngritje) dhe Ali Mata (qitje). Kjo ishte Shqipëria në Olimpiadën e Mynihut, në pjesëmarrjen e saj të parë të drejtpërdrejtë në veprimtaritë sportive, sepse me delegacione kishte qenë në Berlin në 1936 dhe në Romë në 1960. Por nëse në të dyja këto raste kishte shkuar me ministrin e Arsimit, dr. Nush Bushati (1936) dhe me presidentin e KOKSH, Vasil Konomi (1960), kësaj radhe Shqipëria do të garonte për herë të parë në histori.

Dhe ndodh që kryetarit të BFSSH, Veiz Lelo, ai që duhet të ishte presidenti i KOKSH, e për këtë ai duhej të ndodhej në Mynih, Partia i jep rrugën e një vizite zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, e cila për shkak të Tajvanit, nuk merrte pjesë në Olimpiadë!

Mjafton kjo sfidë shqiptare për të kuptuar se për Vendin e Shqiponjave, olimpizmi ishte një askurgjâ! Megjithatë, në Mynih, Partia synonte tejet, sidomos me qitjen që bën këtë paraqitje: karabinë e vogël tri pozicione (precizion 1×60): Ismail Rama i 22-ti me 594 pikë; Beqir Kosova i 66-ti me 587 pikë; pistoletë standard Fatos Pilkati i 24-ti me 546 pikë; Afërdita Tusha e 51-ta me 522 pikë. Do të pëshpëritej se krerët e lartë të regjimit patën një zhgënjim nga ky përfaqësim i qitësve, sepse këtë sport PPSH prej kohësh përpiqej ta reklamonte si sportin bazë me nënkuptimin “plumba të gatshëm për çdo armik”. Mirëpo, ja që sensacioni shqiptar qe lënë të shpalosej prej Ymer Pampurit në peshëngritje…

YMER PAMPURI – REKORDMENI OLIMPIK DHE KAMPIONI I VETËM I BOTËS PËR SHQIPËRINË!

Madje, deri për sot e kësaj dite. Gara e Pampurit pra, është zhvilluar më 29 gusht 1972 dhe në stilin e forcës, peshëngritja shqiptare arrin 127.5 kg, çka ishte rekord olimpik. “Sportisti shqiptar Pampuri mbrenda pesë minutave thyen dy herë rekordin olimpik”, thekson “AP”-ja. 27-vjeçari Ymer Pampuri shkonte në Olimpiadë me cilësinë e nënkampionit të Europës dhe ajo çka ai arrin ishte thyerja e rekordit olimpik të legjendarit Yoshinobu Miyake të Japonisë – rekord i vendosur prej këtij të fundit në Olimpiadën e Tokios (1964), kur dihej që japonezi i famshëm ishte fitues i medaljes së artë edhe në Meksiko.

Nga ana tjetër, Pampuri do të mbetej pionieri legjendar i asaj që do të mbërrijë më vonë peshëngritja shqiptare: e treta në Kampionatin Europian të Aalborgut në Danimarkë më 13-20 maj 1990 para Bashkimit Sovjetik dhe Bullgarisë! Dhe menjëherë largimi i peshëngritësve tanë të famshëm Pirro Dhima, Luan Shabani e të tjerë, për t’i dhënë medalje olimpike Greqisë. Duheshin edhe 18 vjet për të mbërritur këtu… Jemi në 1972. Më e rëndësishmja është se në të njëjtën kohë, Pampuri shpallet edhe kampion i botës në stilin e forcës të peshës 60 kg, titull që ne do ta “zbulonim” mbas plot 29 vjetësh.

Ndonëse në të vërtetë, nuk do ta zbulonim ne, por kolegu Giovanni Armillotta nga Piza, miku ynë i hershëm italian. Kështu, në 2001, dr. Giovanni Armillotta i shkruan autorit të këtushëm se mbas 29 vjetësh kishte zbuluar se rekordmeni ynë i parë dhe i vetëm olimpik, Ymer Pampuri, është sot e kësaj dite kampion i botës në peshëngritje, madje i vetmi shqiptar i tillë në historinë e Shqipërisë.

Papritmas zbulohej se Ymer Pampuri kishte plot 29 vjet që ishte kampion i botës, madje zyrtarisht i konfirmuar nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF) dhe askush në Shqipëri nuk e dinte këtë. Ky zbulim, të cilin falë dr. Armillota-s, pata nderin ta paraqes për herë të parë, më 2001 në Shqipëri, duket si një aventurë e tri dekadave (1972-2001). Ngjarja, e bartur nga arkivi i 29 vjetëve më parë, ishte përveç të tjerave, një aventurë e vërtet Interneti, të cilën Armillotta e kishte ndërtuar nga Italia falë një afeksioni shqiptar të rrallë.

Gara e 29 gushtit 1972 ka qenë një duel spektakolar midis Nurikian të Bullgarisë dhe Shanidze të Bashkimit Sovjetik për medaljen e artë, po ajo ka ndërmes, atë verë të 72-shit, edhe shqiptarin Ymer Pampuri, të cilit i bëhet ceremonia dhe i jepet medalja e kampionit të botës. Këtu është ngatërruar gjithçka, ngatërrim që për ne mbeti nëntokë për tri dekada. Shtypi shqiptar i kohës e quan atë “medalje të rekordit olimpik”, të cilën ne më 1972 i konsideronim si ndere të një rekordi olimpik, çka absolutisht nuk njihet në Olimpiada.

Kanë qenë nderet për kampionin e botës, Ymer Pampurin nga Shqipëria, medalja e kampionit të botës dhe diploma e titullit të tij. Në shtypin shqiptar të gjitha këto me nxitim i janë veshur rekordit olimpik. Gabim që për një çast të dukej i shpjegueshëm kur mendon se asnjë gazetar nuk shoqëroi delegacionin e vogël shqiptar në Olimpiadën e tij të parë. Duke iu kthyer gazetës “Sporti popullor” të kohës, jehona nuk ka përmasat realiste, normale të një suksesi kësisoj.

Për ballë një politizimi të shquar nën titujt e mëdhenj të tipit “Lart flamujt e garave socialiste”, “Kooperativistët e Progonatit merren gjërësisht me fizkulturë” apo “Një sukses i zbatimit të protokollit të Këshillit të Ministrave për t’u përfaqësuar denjësisht në aktivitete ndërkombëtare”, sensacioni botëror i Ymer Pampurit duket si të ishte një ngjarje e frikshme për t’u publikuar në përmasa të mëdha të meritueshme.

Sot, vërej se as unë nuk kam qëndruar fort mbrapa gjithë kësaj, ndonëse shkrimi në “Bashkimi” është disi më i gjatë, teksa fillon në faqen e parë dhe vazhdon në të katërtën. E ndiej si një detyrë të kujtesës historike – e kjo i përket gazetarisë së regjimit – për ta botuar këtu të plotë pa asnjë ndryshim atë shkrim. Tek është me të gjithë “stilin” socialist të vitit 1972. Është botuar më 30 gusht 1972. Një shkrim i plot 49 vjetëve më parë, me titull e nëntitull që përpiqet të shpëtojë edhe paraqitjen e qitjes me Ismail Ramën e mirënjohur. Është ky shkrim:

NGRITËSI I PESHAVE YMER PAMPURI THEU REKORDIN OLIMPIK – REZULTAT I LARTË I QITËSIT ISMAIL RAMA

Dita djeshme e 29 gushtit 1972, do të zërë një vend nderi për sportin tonë. Për herë të parë një sportist i yni arrin një rezultat, por bile një rekord. Protagonisti është ngritësi ynë i peshave, mjeshtri i merituar i sportit, nënkampioni i Evropës Ymer Pampuri. Duke konkuruar në peshën e lehtë (deri 60 kilogram) në garat e vlefëshme për lojnat e 20-ta olimpike në Mynih, mekaniku i ofiçinës radiologjike të Tiranës, 27 vjeçari Ymer Pampuri u tregoi të pranishmëve se ai është një sportist i mrekullueshëm. Ishte ushtrimi i forcës, ai ushtrim ku Pampuri pat fituar medaljen e argjentë të kampionatit evropian të Kostancës.

Agjensitë e lajmeve theksojnë se sportisti shqiptar Ymer Pampuri brënda pesë minutave theu dy herë rekordin olimpik. Në fillim ai ngriti 125 kilogram, kurse pesë minuta më vonë e shtoj rezultatin në 127.5 kilogram, 5 kilogram më shumë se rekordi olimpik që mbahej prej japonezit të njohur Joxhinobu Mijake, rekordmen botëror. i cili zhvilloi garën mbrëmë vonë. Duke gëzuar një formë sportive të shkëlqyer, Ymer Pampuri arriti një rezultat të nivelit ndërkombëtar edhe në tregarësh. Ai grumbulloi kështu në tre ushtrimet sëbashku, shumën 342.5 kilogram që është një rekord i ri i Shqipërisë. Rekordi ynë i mëparshëm në tregarësh ishte 327.5 kilogram dhe i përkiste po atij.

Pra Pampuri përmirësoi rekordin tonë në tregarësh me 15 kilogram më shumë. Me rezultatin e tregarëshit Pampuri ishte i treti në grupin A. Rezultati i ngritësit tonë të talentuar nuk është i rastit. Pampuri i cili ka dhjetë vjet që merret me ngritje peshash, kohët e fundit i ka ngritur së tepërmi rezultatet e tij. Nën drejtimin e apasionuar të trajnerit Zyhdi Mazreku ai arriti një stabilitet të vërtetë sportiv, një përgatitje morale të kënaqshme.

Rezultati ndërkombëtar i rekordmenit tregon për mundësitë e mëdha të sportit shqiptar edhe në sporte të tillë si ngritja e peshave pa tradita në vendin tonë. Pampuri mbetet një shembull i vërtetë talenti e mundësie për sportin e ri të Shqipërisë socialiste. Një rezultat të mirë, të nivelit ndërkombëtar arriti edhe qitësi ynë i njohur Ismail Rama në garën e qitjes me karabinë. Ismail Rama grumbulloi 594 pikë nga 600 të mundshme.

Kaq pikë grumbulluan edhe 10 qitës të tjerë që u klasifikuan nga vendi i 11-të deri në të 21-tin midis 99 pjesëmarrësve. Qitësi tjetër yni Beqir Kosova grumbulloi 587 pikë. Kaq pikë grumbulluan pesë qitës të tjerë që u klasifikuan nga vendi i 57-të në të 63-tin. Le të kalojmë tani së bashku në disa nga garat e tjera më interesante të olimpiadës…” Dhe vazhdohej me përshkrime “të rrufeshme”, por çuditërisht pa fort frikë censure komuniste me plot cilësime të garave të tjera, madje edhe të sportistëve të Bashkimit Sovjetik a të Jugosllavisë (“armiq” të Shqipërisë) të llojit si të këtyre dy pasazheve: “…Konkurencë e fortë u pa sidomos në garën 200 metra stil flutur për meshkuj.

Amerikani 22-vjeçar Mark Spic theu rekordin botëror dhe olimpik me kohën e shkëlqyer 2.00.07 minuta dhe meritoi medaljen e artë. Mark Spic ka ardhur në këte olimpiadë për të marrë 7 medalje të arta!…” “…Një rezultat i papritur u arrit edhe në ndeshjet e basketbollit të vlefëshme për grupin B. Porto Riko mundi Jugosllavinë – nënkampione olimpike me rezultatin 79-74, portorikanët kishin fituar edhe pjesën e parë të kësaj loje 38-31.

Megjithëse jugosllavët në pjesën e dytë kaluan në avantazh deri 8 pikë, ata nuk mundën t’i bënin ballë mobilizimit dhe lojës plot pasion të portorikanëve në minutat e fundit…”. “…Ekipi i gjimnastëve sovjetikë fitoi medaljen e artë… Në garën çiklistike me kronometër 100 kilometra fitoi Bashkimi Sovjetik me kohën 2 orë 11 minuta e 47.8 sekonda…”. Mandej, duke kaluar te numri i “Bashkimit” të mbas 24 orëve, 31 gusht 1972, përsëri do të merresha me Pampurin, duke shkruar kështu në “Ditarin olimpik…”: Nga ditari olimpik…

NGRITJE PESHASH: Në numrin e djeshëm të gazetës ne njoftuam për rezultatin e lartë të ngritësit tonë Ymer Pampuri. Mbrëmë vonë i vazhduan garat e kësaj peshe ngritësit e grupit B, ndërmjet të cilëve kish pretendentë për vendin e parë në tregarësh.

Megjithate, asnjeri prej pjesëmarrësve nuk mundi ta kalojë rekordin e Pampurit në stilin e forcës. Konkurentët kryesorë, sovjetiku Shanidze dhe bullgari Nurikjan mundën vetëm të barazonin rekordin olimpik prej 127.5 ilogram të Pampurit. Interesante është se edhe në kampionatin evropian që u zhvillua kohë më parë në Kostancë, Pampuri i pat mundur si Shanidzen ashtu dhe Nurikjanin në stilin e forcës. Në ndryshim nga kampionati evropian, në olimpiadë, ndonëse ngritësi ynë zuri vendin e parë në stilin e forcës, ai nuk mori medalje të artë.

Kështu është vendosur për lojnat olimpike. Medaljet në ngritjen e peshave për lojnat olimpike jipen vetëm për tregarëshin!… Prandaj në këte peshë (deri 60 kilogram) vendin e parë dhe medaljen e artë në tregarësh e mori bullgari Nurikjan. Ai grumbulloi në të tre ushtrimet 402.5 kilogram, që është barazim i rekordit botëror. Medaljen e argjentë e mori sovjetiku Shahnidze me 400 kilogram, ndërsa medaljen e bronztë e mori Benedek i Hungarisë me 390 kilogram. Kampioni olimpik i lojnave të Tokios dhe Meksikos, japonezi Mijake u klasifikua i katërti me 385 kilogram.

Rekormeni olimpik i stilit të forcës Ymer Pampuri, siç kemi njoftuar, në tregarësh theu rekordin tonë kombëtar me 15 kilogram më tepër. Me 342.5 kilogram që realizoj në të tre ushtrimet, Pampuri u klasifikua i 9-ti në lojnat olimpike të Mynihut, duke lënë prapa një numër ngritësish të tjerë…”.

Dhe asnjë fjalë për titullin e kampionit të botës së Pampurit. Për ta mësuar këtë do të na duhej të prisnim edhe plot 29 vjet!… Kështu, në këtë stil lakonik, por sadopak edhe përcaktues, kanë vazhduar shkrimet në “Bashkimi”, përditë, gjithnjë nën titullin “Nga ditari olimpik”… Plot 16 shkrime. Dhe me befasinë: në to mungonte rregullisht firma e autorit. Nuk shqetësohesha, sepse e dija që kështu dëshironte Partia, përderisa nuk kishte çuar asnjë gazetar në Olimpiadë. Vetëm shkrimi përmbyllës me titullin “…Dhe u shua zjarri olimpik” mban firmën time. Po t’i lexosh sot me vëmendje këto shkrime “të realizmit socialist” në gazetari, vëren doemos ndryshime me të sotmit.

Ende “peshëngritjes” ne i thoshim “ngritje peshash” dhe “peshëngritësit” thjesht “ngritësi”. Ndërkaq, vëren se shumë cilësime të përveçme janë shkruar me germa të vogla, jokapitale si sot. Ortografia është tejet e rreptë në parazbatim të Kongresit të Drejtshkrimit të mbajtur mbas nja dy-tre muajve (nëntor 1972). Sundon tosknishtja letrare. Deri aty saqë redaktori letrar nuk më lejonte të shkruaja “tashmâ” të cilën gjithnjë ma ndryshonte në “tanimë” apo “tash” në “tani”. Çudia është se si më ka lënë të shkruaja “lojnat olimpike” dhe jo “lojërat olimpike”.

“Liria” e zbehtë e Shqipërisë 1972 ishte tejet e rreptë me “moslirinë” e drejtshkrimit. Ndërkaq, delegacioni olimpik i Shqipërisë mbërrin në Tiranë më 14 shtator 1972 dhe pritet në aeroport nga zëvendësministri i Arsimit dhe Kulturës, prof. Bedri Dedja, dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Mihal Qipo. U jepet fjala protagonistëve, Pampurit dhe trajnerit të tij tashmâ historik, Zyhdi Mazreku. Pak radhë që kanë kaluar “pa zë”, kur sot vërejmë se brenda tyre ka qenë e gjithë e vërteta. Ymer Pampuri deklaron në gazetë, fjalë për fjalë kështu: “Në ceremoninë e mbylljes m’u dha medalja e rekordmenit olimpik dhe e kampionit olimpik për stilin e forcës”.

Pampuri ka dashtë të thotë pikërisht “medalja e kampionit të botës”, sepse dihet që kampioni olimpik ishte vetëm një: bullgari Norair Nurikian me 402.5 kg në tregarësh (forcë+shkëputje+shtytje) dhe asnjë tjetër, pra as Pampuri ynë edhe pse theu rekordin olimpik. Ymer Pampuri është, kështu, shqiptari i vetëm deri më sot kampion i botës. Ndonëse kanë kaluar plot 49 vjet ende nuk na ka ardhur tjetri. E kam fjalën për të rriturit.

Ndërsa me të rinjtë kemi tre tituj të kampionit të botës po në peshëngritje: Erkand Qerimaj 2 herë (2006 e 2007) dhe Daniel Godelli 1 herë (2011). Pa harruar meritën e dytë të madhe të Pampurit: ai është po shqiptari i vetëm deri më sot që ka zënë vendin e parë në një garë në Olimpiadë, edhe pse në një garë ku nuk jepej medalje olimpike, siç e treguam. Edhe në këtë rast ai mbetet i paarritshëm për plot një gjysmë shekulli: MYNIH 1972. Po e fiksojmë edhe në këtë libër këtë “titull” të arritur, ndonëse pa medalje:

OLIMPIADA E MYNIHUT 1972. PESHËNGRITJE, STILI I FORCËS (60 KG):

1. Pampuri / ALB 127.5 kg

2. Shanidze / URS 127.5 kg

3. Nurikian / BUL 127.5 kg

4. Pitner / AUT 125.0 kg

5. Benedek / HUN 125.0 kg

6. Chang / CUB 120.0 kg

7. Ëojnoëski / POL 120.0 kg

8. Miyake / JPN 120.0 kg

9. Nowak / POL 120.0 kg

10.Tanti / ITA 120.0 kg

11.Chen / ROC 110.0 kg

12.Martinez / PUR 92.5 kg

13.Ando / JPN 0.0

Nuk i ka dalë ende rivali tjetër shqiptar Ymer Pampurit, ndonëse ka kaluar një gjysmëshekull. Pikërisht këtu del problemi i madh i sportit shqiptar. Prapambetja e madhe olimpike e Shqipërisë, “e munguara e madhe e Olimpiadës”. Duke titulluar këtë kapitull si një “aventurë” gazetarie, në fund të fundit, siç shihet, roli i gazetarisë është i jashtëzakonshëm. Dhe në mënyrë metaforike, qe gazetaria ajo që “ia dha” titullin botëror Pampurit qoftë edhe mbas 29 vjetëve.

E, vetvetiu ky tregim mbyllet ashtu si rënia e siparit të një “aventure gazetarie”, falë kampionit të tonë të vetëm të botës deri më sot, të paharrueshmit Ymer Pampuri (1944-2017). U mbetet të tjerëve që ta arrijnë. Ndonëse duket tejet e vështirë edhe kësaj here në “Tokio 2020”. Kushedi!… Le të shpresojmë tek e mrekullueshmja jonë Luiza Gega e cila u bë e para atlete e Shqipërisë që mbërrin në një finale të Lojërave Olimpike. Shpresë që mund të na çojë edhe ne për herë të dytë në histori te një “aventurë” tjetër gazetarie…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"