Sporti pa vizion në Shqipëri, ministria nuk ka asnjë plan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2021 | 23:45

Sporti pa vizion në Shqipëri, ministria nuk ka asnjë plan

Nga dr. ARTAN POGONI

120235421_10221104333335125_6778457012821407360_n

Gjendja aktuale e sportit në Shqipëri vuan mungesën e vizionit dhe joefektivitetin e politikave për zhvillimin e tij nga ana e qeverisë dhe ministrisë përkatëse.

Fondet e pakta të akorduara çdo vit në favor të tij nga buxheti i shtetit, si dhe joeficencën në përdorimin e burimeve të ndryshme të fondeve për sportin.

Pushteti qendror dhe ministria përgjegjëse i kanë dhënë sportit gjithmonë një rol dytësor në jetën e qytetarëve shqiptarë dhe sportistëve, elitarë apo amatorë. Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë ka qenë joefektive sa i përket zhvillimit të sportit, duke bërë që shumat e vogla të granteve të alokuara për federatat, të mos përmbushin misionin e tyre në promovimin dhe ushtrimin normal të disiplinave përkatëse dhe rritjes së interesit nga ana e publikut.

Institucionet qendrore dhe njësitë e qeverisjes vendore nuk garantojnë plotësisht kushtet për ushtrimin e aktiviteteve nga sportistët, nxënësit apo të rinjtë.

Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë nuk ka qenë plotësisht eficiente në ndarjen e fondeve në dispozicion, duke mos kontribuuar mjaftueshëm në përmirësimin e infrastrukturës sportive.

MASR nuk ka një strategji të mirëfilltë apo plan veprimi afatgjatë për zhvillimin e sportit, i cili të bazohet dhe mbështetet nga burime financimi publike apo të tjera, të mjaftueshme për realizimin e tij.

Grantet e akorduara nga MASR për federatat përbëjnë rreth 20-40% të kërkesës së tyre vjetore të paraqitur.

MASR nuk ka analizuar institucionalisht rezultatet e (pa)arritura nga organizatat sportive, si rezultat i financimit publik të tyre. Në organet drejtuese të federatave, asamble vjetore apo mbledhje të komiteteve drejtuese nuk rezulton një analizë konkrete e këtij aspekti të rëndësishëm, një vlerësim i përbashkët i specialistëve të MASR-së me drejtuesit e federatave për të evidentuar arritjet dhe problemet e këtij bashkëpunimi.

Rreth 20-45% e fondit të akorduar federatave shkon vetëm për pagat, shpenzimet e administratës, udhëtimet dhe dieta si brenda ashtu dhe jashtë vendit dhe kualifikimin e tyre profesional.

Federatat sportive kanë gjeneruar shumë pak ose aspak të ardhura nga aktiviteti tyre, donacionet, sponsorët, të drejtat televizive apo çdo burim tjetër të ligjshëm.

Bazuar në të dhënat e marra nga federatat shqiptare të sportit, rezulton që mungesa e financimeve buxhetore ka sjellë një reduktim të mundësive që këto federata kanë për organizimin e aktiviteteve sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, për financimin e sportistëve elitarë, trajnerëve të tyre, për mbështetjen e kërkesave për trajtim të përshtatshëm ushqimor, mjekësor e rikuperues.

Burimet alternative të financimit të federatave shqiptare të sportit janë pothuaj inekzistente dhe zënë një vend tejet të papërfillshëm në buxhetin e përgjithshëm të tyre. Në përgjithësi, i vetmi burim jashtë buxhetit publik të akorduar nga MASR, është kuotizacioni i klubeve anëtare, një pjesë e madhe e të cilit paguhet përsëri me fonde publike, duke qenë se klubet sportive, anëtare të federatave, janë klube në pronësi të bashkive dhe financohen nga fonde të buxhetit lokal. Ndërsa sa i përket financimit nga të drejtat televizive, shitja e biletave, reklamat, sponsorizimet e donacionet, ato janë të papërfillshme dhe zënë më pak se 5% të buxhetit të përgjithshëm të tyre.

Të dhënat e marra nga federatat konfirmojnë një ulje të spektatorëve që shohin ndeshjet e kampionateve tona kombëtare. Arsyet kryesore janë kushtet aspak të përshtatshme të ambienteve sportive dhe cilësia e rezultateve sportive të shprehura në këto aktivitete.

Detyrimi ligjor i MASR-së për mbështetjen e organizatave sportive kombëtare me financim është realizuar vetëm pjesërisht në raport me kërkesat e këtyre organizatave. Plotësimi i kërkesave për financim në këtë nivel ka shkaktuar vështirësi konkrete për përmbushjen e detyrave dhe objektivave që federatat shqiptare të sportit kanë në zhvillimin e aktivitetit të tyre. Buxheti i përgjithshëm për sportin, bazuar në analizën e raportit kërkesë-nevojë, rezulton i papërshtatshëm për të garantuar zhvillimin e sportit si detyrim i shtetit, në kuadër të përcaktimit të tij si aktivitet publik, me interes të përgjithshëm për gjithë shoqërinë

Efektiviteti financiar në këto 8 vjet për sportin ka qenë thuajse zero. Edhe amendimi i ri i ligjit, për ne që jetojmë çdo ditë me sportin është sërish zero. Nivel i lartë informaliteti për shkak të mungesës së burimeve financiare.

Demotivim i skajshëm i atyre pak njerëzve apo bizneseve që investojnë në sport.

Sportistë të rinj që emigrojnë jashtë vendit duke kryer edhe punë të rëndomta sepse nuk shohin asnjë perspektive për të ardhmen e tyre nga politikat e mbrapshta të qeverise shqiptare. Asnjë ndihmë ekonomike nuk morën sportistet shqiptarë gjatë kohës së pandemisë duke u nëpërkëmbur dhe përçmuar nga qeverisja e vendit.

Asnjë sportist, qoftë ky edhe elitar, nuk është vaksinuar me qëllim që të vazhdojë i qetë veprimtarinë e tij sportive.

Në propagandën me vaksinimet, kryeministri i vendit vaksinoi një pjesë të figurave të artit, politikës dhe shkencës pensionistë, por duke lëne mënjanë të gjithë figurat e sportit të cilët kane dhënë kontribute të patjetërsueshme në jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Asnjë vëmendje nga qeverisja aktuale, asnjë projekt apo program në dobi të shëndetit të popullatës dhe sidomos moshave të treta në lidhje me aktivitetin e tyre fizik dhe rekreativ. Çdo sportist elitar sot në Shqipëri përfiton të ardhura financiare qesharake dhe sipas analizës ekonomike edhe më pak para në xhepat e sportistëve se në vitin 2013. Kjo gjendje ka ardhur si rezultat i përfaqësimit skandaloz politik të sportit me njerëz demagogë dhe megalomanë, të paaftë deri në dhimbje në dëm të sportit dhe sportistëve shqiptarë.

Mendoj se ka ardhur koha që sporti të drejtohet në nivel ekspertesh, nga njerëz që dinë se si bëhet dhe me thënë të drejtën fatkeqësisht te ne ka pak të tillë, por edhe këta pak që janë edhe këtë radhë në përzgjedhjen politike nuk pamë asnjërin. Koha që sporti të jetë një “qokë” sipas preferencës së dikujt që drejton, për politikën shqiptare duhet të mbarojë sa më shpejt dhe kjo është detyrë imperative e njerëzve të sportit, të cilët duhet të jenë shumë të interesuar. Boll më me njerëz që as dinë, as përpiqen të mësojnë dhe që i marrin dhe i përdorin sa për fushata elektorale si buratinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"