Zoti Duka, qeveria nuk funksionon me sulltanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2020 | 18:53

Zoti Duka, qeveria nuk funksionon me sulltanë

ARSEN HOXHA
komiteti-ekzekutiv-uefa-armand-duka-fshf

Përballë faktit se pjesa dërrmuese e filmave që jepen në ekranet tona televizive janë prodhim turk, duam apo nuk duam ne, jemi të detyruar të ndjekim disa prej tyre, veçanërisht ata me karakter historik. Unë personalisht ndjek “Sulltanin e Madhërishëm” dhe do t’ua rekomandoja këtë të gjithë miqve të mi. Nëpërmjet ngjarjeve që zhvillohen në këtë film, lehtë kuptohet se ligësia njerëzore nuk ka kufij as brenda pjesëtareve të familjes e jo më jashtë saj.

Kemi parë sulltanë që të urdhërojnë edhe prerjen e kokës së tjetrit, pa pasur më përpara një vendim gjyqësor. Por, ndërkohë në mjaft raste kemi parë që vendimet e rëndësishme të merren nga këshilli i sulltanit, ku jo në pak raste përballë këtij realiteti Sulltani të tërhiqet nga dëshira e tij.

Thënia juaj e përsëritur shpesh herë se kërkesat tuaja zgjidhen vetëm për 5 minuta nëse kryeministri e dëshiron një gjë të tillë, nëse nuk është e frymëzuar nga këta filma, është pasojë e botëkuptimit tuaj të kahershëm mbi mënyrën e përdorimit të forcës së pushtetit nëpërmjet autoritarizmit dhe injorimit të institucioneve përkatëse të specializuara.

Nëse për ato kërkesa që ju dhe Liga Profesioniste keni paraqitur, jeni të kënaqur vetëm me një “OK” të Kryeministrit, jeni në rregull të kërkoni takim vetëm me të dhe unë ju kërkoj të falur, por nëse ju prisni një vendim të Këshillit të Ministrave, mendoj se jeni thellësisht të gabuar dhe rruga që keni zgjedhur nuk është e duhura.

Ministrja përkatëse e financës, zonja Denaj, zv. Kryeministri Braçe e disa ministra të tjerë kanë paraqitur argumente bindës se në kushtet aktuale, me përjashtim të ligjit të sponsorizimit, i cili edhe në parim është i drejtë, të tjerët nuk janë të tillë e për pasojë nuk do të gjejnë mbështetjen e tyre.

Çfarë do të bëjë kryeministri në këtë situatë?
Nëse ju brenda Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së veproni me të njëjtat parime që kërkoni të aplikohen edhe në kryeministri, është e lehtë për t’u kuptuar se deklarimet tuaja janë të gabuara. Nëse ndodh që te ju vendimet të merren në mënyrë apriori, thjesht nga një urdhër i juaj i detyrueshëm për të gjithë anëtarët e saj, në kryeministri nuk ndodh kështu, sepse në shtetet demokratike gjërat funksionojnë ndryshe.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"